Si e paralajmëroi kontrollin e policisë vetë Ervis Martinaj para se të...

Si e paralajmëroi kontrollin e policisë vetë Ervis Martinaj para se të zhdukej

254
SHPËRNDAJE

Pesë muaj pas zhdukjes, FNSH dhe RENEA kanë gjetur një arsenal armaësh në banesën e bosit të basteve, Ervis Martinaj. Arsenali i armëve ishte i fshehur në kosheret e bletëve, ndërsa në këtë sasi armësh dhe municionesh, kishte elementë që kryesisht gjenden në ngjarjet kriminale të vrasjeve që mbeten pa autorë.  Nga sa mësohet në shtëpinë e Ervis Martinajt dhe 2 xhaxhallarëve të tij Faik dhe Rakip Martinaj u gjetën 2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme.

Kontrolli ishte me vendim të gjykatës në funksion të hetimeve që po kryhen për zhdukjen e Ervis Martinajt, por edhe pas këtij aksioni, policia nuk e ka një përgjigje nëse i shumë kërkuari tashmë i zhdukur që prej muajt gusht, është gjallë apo ka vdekur. Kontrollet nisën orët e para të mëngjesit të sotëm dhe zgjatën për rreth 5 orë në të gjithë zonën e Fushë Kuqes në Kurbin, aty ku ndodhet edhe banesa e Martinaj.

Po kontrollet në banesën e tij, ishte vetë Martinaj që i kishte paralajmëruar, vetëm pak para se të zhdukej.  Prokuroria e Laçit, që po ndjek hetimin e zhdukjes misterioze të biznesmenit Ervis Martinaj, ka konfirmuar gjatë verifikimeve të saj, vetëm një komunikim të thatë, që Martinaj ka kryer me xhaxhain e tij, përmes aplikacionit “Telegram”. Mesazhi është dërguar pasditen e 9 Gushtit, nga Martinaj në orën 19:21, duke njoftuar xhaxhain e tij, Rakip Martinaj, me përmbajtjen: “…Kujdes, se mund të ketë kontrolle…”.

Ky mesazh pas 3 minuta është parë nga gruaja e Rakipit, L.Martianj, e cila është dhe nëna e Brilantit të ekzekutuar në 17 korrik 2022, në masakrën e Fushë-Krujës. Ajo në momentin që ka parë mesazhin e mbërritur nga Ervisi, në telefonin e burrit të saj, në orën 19:24 të datës 9 Gusht, ka shkruar: “…A je mirë? Nga kush nga policia apo nga…….”.

Pas këtyre fjalëve të thata, telefoni i Ervis Martinaj, nuk ka pasur asnjë sinjal dhe nuk është dhënë asnjë përgjigje. I vënë në dijeni nga gruaja, për këtë situatë jo normale, Rakip Martinaj, dhe të afërmit e tjerë kanë telefonuar “mbretin” e lojërave të fatit, por sërish askush nuk përgjigjej përtej telefonit.

Kjo solli shqetësim të mëtejshëm brenda familjes, duke u impenjuar jo vetëm me burimet njerëzore të tyre, por duke kërkuar dhe ndihmën e organeve shtetërore, për të kryer hetime me qëllim lokalizimin e vendndodhjes së Ervis Martinaj. Prej asaj date zhdukja e Martinaj, vijon të mbetet ende mister, duke ngritur dyshime të forta, përmes një ekzekutimi të mundshëm apo për një skenar tërheqje nga aktiviteti i zakonshëm.

Ndërkohë sa u përket kontrolleve të djeshme, dyshohet se indicia është marrë që nga Vlora se mund të ketë gjurmë të Ervis Martinajt në banesën e tij pikërisht natën e Krishtlindjeve.

Një ndër personat më të njohur të botës së krimit, Martinaj ka një siguri tepër të lartë në banesën e tij, e cila është e rrethuar me mure 3 metra të lartë të rrethuar me tela me gjemba. Madje ekspertë të kriminalistikës, kanë pohuar se Martinaj ka vendosu kamera dhe sensorë edhe në kryqëzimet që janë kilometra larg nga banesa e tij.

Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të këtij viti. Gjatë kësaj periudhe policia ka kryer disa kontrolle në kërkim të tij në qytete të ndryshme, operacione të cilat janë mbajtur diskrete. Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka zgjedhur që të përgjigjet shkurt mbi hetimet për zhdukjen e tij duke thënë se janë në rrugë të mbarë.

Sjellim në kujtesë, se ishte rrëfimi i Nuredin Dumanit në kuadër të operacionit Plumbi i Artë, që solli edhe shpalljen në kërkim ndërkombëtar të Ervis Martianjt. Dumani e akuzonte Martinajt si porositës vrasjesh. Sipas tij, Martinaj i ka ofruar në një rast 500 mijë euro, nëse ai do të mund të vriste Endrit Doklen, ish anëtarinë e bandës famëkeqe të Durrësit. Kujtojmë se Indri Dokle ka qenë numri 2 i Bandës së Durrësit dhe është i dënuar për “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të organizatës kriminale.

Deri më tani, një “as nën mëngë”, hetuesit e kanë me Jeton Lamin, efektivin e policisë i cili u arrestua pasi shoqëronte Ervis Martinajn edhe pse ky i fundit ishte i shpallur në kërkim. Lami ka qenë edhe personi i fundit i cili është takuar me Ervis Martinaj. Ai u arrestua më 23 gusht, pas hetimeve të kryera. Lami dhe Martinaj, shihen në fillim të gushtit në një hotel në Durrës. Megjithatë deri më tani Jeton Lami nuk është rrëfyer. Dyshohet se ai mund të ketë nxjerrë vetëm disa informacione që kanë krijuar indicien e operacioneve por jo të dhëna për fatin e Ervis Martinajt.

S'KA KOMENTE