Shqiptaret te varfer por ja sa shpenzojne per argetim

Shqiptaret te varfer por ja sa shpenzojne per argetim

85
SHPËRNDAJE

Sipas të dhënave më të fundit nga Eurostat, të analizuara nga `Scan Intel`, rezulton se shqiptarët janë të tretët në Europë për peshën që zë argëtimi dhe kultura në ekonomi. Konsumi i familjeve shqiptare për këtë zë është i barabartë me 6.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit tonë. Kjo normë në Europë është më e lartë në vetëm dy shtete; Islandë dhe Kroaci, respektivisht me 7.1% dhe 7.4%. Mesatarja e Bashkimit Europian sa i përket peshës që zë argëtimi dhe kultura në ekonomi fiksohet pranë 4.8%.

Mesatarja e vendeve kandidate fiksohet në 4.6%, ndërkohë që në rajon ndjekësi jonë më i afërt është Serbia, me një normë pranë 4.8%. Irlanda me një normë pranë 1.6% dhe Luksemburgu pranë 2.7% janë vendet e Europës me normën më të ulët. Pavarësisht se ky tregues është i lidhur ngushtë me madhësinë e ekonomisë, tregon drejtpërdrejtë shpenzimet për argëtim të një ekonomie të caktuar në raport me kapacitetet që ka si ekonomi.

Por, sa harxhojmë në total për argëtim dhe kulturë? Të njëjtat të dhëna nga Eurostat, që i referohen vitit 2022 tregojnë se ky shpenzim prek vlerën e 1.1 miliardë eurove në vit, thuajse 3 herë më e lartë se Maqedonia e Veriut dhe 4 herë më e lartë se Mali i Zi. Për frymë ndërkohë, mesatarisht një shqiptar shpenzon rreth 396 euro në vit për argëtim dhe kulturë, ose rreth 33 euro në muaj. Kjo vlerë na vendos ndër vendet e fundit në Europë por edhe në rajon, pasi edhe Serbia edhe Mali i Zi regjistrojnë një vlerë mbi 400 euro për frymë në vit. Mesatarja e Bashkimit Europian për të njëjtin zë ndërkohë fiksohet pranë rreth 1600 eurosh në vit.

Por, distanca e ndjeshme me Bashkimin Europian lidhet edhe me diferencën e çmimeve, pasi në Shqipëri çmimet për zërin e argëtimit dhe kulturës janë vetëm sa 60.5% e cmimeve në Bashkimin Europian. Në rast se cmimet në Shqipëri do të ishin njësoj me Bashkimin Europian, atëherë ky shpenzim për një shqiptar do të ngjitej pranë 946 eurove në vit. Edhe duke e zhveshur nga diferenca e çmimeve sërish ka distancë të ndjeshme me Europën.

Por, siç e nënvizuam edhe më sipër, pavarësosht se për frymë ne harxhojmë dhe konsumojmë më pak se një europian mesatar për argëtim dhe kulturë, në raport me kapacitetin që ka ekonomia e vendit, dhe rrjedhimisht edhe ekonomia familjare, jemi të tretët në Europë.

Nga ana tjetër, nëse kalojmë në retrospektivë shohim se në vitet 2015-2019 Shqipëria ka qenë e para në Europë sa i përket shpenzimeve për argëtim dhe kulturë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit. Ndërkohë që sot kjo normë në vendin tonë fiksohet pranë 6.2%, gjatë periudhës 2015-2019 ka qenë pranë rreth 10%, dhe në rritje të ndjeshme krahasuar me vitet pararendëse. Me pandeminë duket se janë rikthyer tendencat rënëse.

Ky ndryshim rrënjësor i treguesve, nga 1.6% në vitin 2014 në 9.8% në 2015-tën duket të jetë rrjedhojë e ndryshimeve metodoligjike ose mungesës së cilësisë së treguesve të Institutit tonë të Statistikave.


SCAN

S'KA KOMENTE