Zharrëz:U premtuan demshperblim ,por banoret jetojnë ende ne shtepite e demtuara

Zharrëz:U premtuan demshperblim ,por banoret jetojnë ende ne shtepite e demtuara

48
SHPËRNDAJE

Pas premtimit për dëmshpërblim të qeverisë, dhjetëra shtëpi në zonën e Zharrëzës u vlerësuan si të pabanueshme, por institucionet injorojnë rrezikun që u kanoset banorëve dhe ia pasojnë njëra-tjetrës përgjegjësinë për përmbylljen e procesit të shpërndarjes së fondeve
Barie Hajdini jeton fillikat mes mureve të çara dhe të spostuara nga themelet e shtëpisë së saj në fshatin Zharrëz të bashkisë së Patosit ndonëse një komision vlerësimi e ka cilësuar strehën e saj si të pabanueshme dhe të rrezikshme. Gruas së moshuar e cila vuan edhe nga një koleksion sëmundjesh kronike, iu premtua zgjidhje e shpejtë, por pesë muaj më pas nuk është bërë ende asgjë dhe Hajdini ka filluar të shqetësohet se dimri do ta gjejë sërish në të njëjtën shtëpi.

“Hajde ngryse dimrin këtu”,- thotë ajo, ndërsa tregon me gisht nga kanalet e suvasë së rënë që çajnë tejpërtej murin.
“Na thanë që do ta zgjidhnin këtë problem brenda një muaji. Erdhi kryetarja e bashkisë së Patosit dhe drejtoresha e Entit Kombëtar të Banesave dhe na thanë nëse donim shtëpi apo para? Asnjë gjë nuk kanë bërë deri tani”, u ankua ajo për BIRN.
Pas bashkëjetesës shumëvjeçare me lëkundjet e vazhdueshme të tokës, shpresat për zgjidhje të Barie Hajdinit u rritën në fund të muajit shkurt, kur maratona e një greve urie dhe marshimi epik i banorëve të Zharrëzës u mbyll në Tiranë me premtimin qeveritar se dëmet e shkaktuara në shtëpitë e tyre do të shpaguheshin.
Për të përmbushur premtimin publik, Këshilli i Ministrave miratoi më 1 mars vendimin nr. 155 “Për marrjen e masave për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet e tokës në njësitë administrative Zharrëz, Patos (fshati Dukas), Bashkia Patos dhe Kuman, Bashkia Roskovec”. Pas vendimit të qeverisë, grupet ndërinstitucionale të punës nisën procesin e vlerësimit në Zharrëz dhe zonat përreth, ku konstatuan se dhjetëra shtëpi ishin të pabanueshme dhe përbënin rrezik për jetën e banorëve të tyre.
Megjithatë, të dhënat e siguruara nga “BIRN” tregojnë se, ky rrezik injorohet prej muajsh nga institucionet përgjegjëse shtetërore, të cilat ia hedhin “topin” njëra-tjetrës për zgjidhjen e situatës dhe nuk japin asnjë përgjigje se kur do të dëmshpërblehen banorët e Zharrëzës.
Premtimi, ende në letër 
Në shkurt 2017, banorët e Zharrëzës iu kundërpërgjigjën injorimit shumëvjeçar me një grevë urie dhe një marshim prej 126 kilometrash nga Fieri në Tiranë, duke kërkuar dëmshpërblim për shtëpitë e tyre të rrënuara.
E gjendur në mes të presionit publik, qeveria e Edi Ramës premtoi të dëmshpërblente 100 për qind dëmet e shkaktuara në shtëpitë e tyre, ndërsa vendimi i 1 marsit përmbante afate të qarta për përmbushjen e tij.
Vendimi i Këshillit të Ministrave përcaktonte datën 5 mars për ngritjen e grupeve ndërinstitucionale të punës(GNP), të cilat do të evidentojnë dhe vlerësojnë dëmet e shkaktuara si pasojë e lëkundjeve të tokës në territorin e Bashkisë Patos dhe Bashkisë Roskovec. Në pikën 4 të këtij vendimi shkruhet se; “brenda 30 ditëve nga ngritja e tyre, GNP-të të përgatisin listën përfundimtare emërore të kryefamiljarëve me banesa të shkatërruara plotësisht apo me dëmtime të rënda”. Por edhe pse kanë kaluar 6 muaj nga miratimi i këtij vendimi, banorët e Zharrëzës nuk janë njohur ende me listat e vlerësimit të dëmeve, ndërkohë që për sigurimin e jetës së tyre nuk është marrë asnjë masë.
Kryetari i shoqatës “Zharrëza”, Qani Rredhi, i tha BIRN se, janë rreth 57 shtëpi që janë vlerësuar si të pabanueshme në këtë fshat, por institucionet shtetërore sipas tij ia hedhin “topin” njëri-tjetrit, pa dhënë asnjë zgjidhje. “Na u tha që menjëherë këta banorë duhet të largohen nga këto shtëpi, që të mos ketë pasoja në jetë njerëzish. Dhe u hodh një ide që menjëherë pasi të bëhej vlerësimi i shtëpive të pabanueshme, këta banorë do të sistemoheshin në shtëpi me qira të trajtuara financiarisht nga bashkia, nga shteti. Asgjë nuk është bërë deri tani”,- tha Rredhi, njëri prej protestuesve kryesorë të marshimit epik të shkurtit.
“Po presim akoma nga Enti Kombëtar i Banesave të na bëhen publike listat, gjë që s’po bëhet. Kemi marrë takime. E hedhin “topin” sa nga Emergjencat Civile te Ministria e Energjetikës, gjë që nuk po jep zgjidhje. Po presim se çfarë do të bëhet”,- shton ai.
Kundërshtitë e institucioneve   
Tri institucionet e përfshira në procesin e vlerësimit të banesave të dëmtuara në Zharrëz dhanë justifikime të ndryshme për BIRN, ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk dha një përgjigje se kur mund të ketë një zgjidhje përfundimtare për banorët që jetojnë ende në shtëpitë e rrezikshme.
E kontaktuar nëpërmjet telefonit, kryetarja e Bashkisë Patos, Rajmonda Balili, i tha BIRN se ishte në dijeni të shqetësimit të qytetarëve, por bashkia që ajo drejton nuk ishte marrë drejtpërdrejt me këtë çështje. “Me këtë çështje është marrë Enti Kombëtar i Banesave dhe Emergjencat Civile. Bashkia e Patosit ka pasur thjesht një anëtar në grupin ndërinstitucional të punës. Për këto arsye jemi duke iu kërkuar informacion se çfarë po bëhet”,- shtoi ajo.
Ndërkohë, Enti Kombëtar i Banesave pretendon se i ka përfunduar listat me shtëpitë e pabanueshme dhe ato me dëmtime më të lehta dhe ia ka përcjellë ato Emergjencave Civile. Rajmonda Stefa, zv.drejtoreshë e Përgjithshme e Entit Kombëtar të Banesave i tha BIRN se ata e kanë përmbushur rolin e tyre të vlerësimit të dëmeve në terren dhe se listat e shoqëruara me dokumentacionin përkatës i janë dërguar Emergjencave Civile për ndjekjen e hapave të mëtejshëm.
“Enti Kombëtar i Banesave ishte vetëm në rolin vlerësues, nuk kemi pasur lidhje me politikëbërjen apo me shlyerjen e detyrimeve në këtë rast”,- tha Stefa për BIRN. Por drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile e quan të papërfunduar dhe me probleme punën e kryer nga Enti Kombëtar i Banesave.
Në një përgjigje me shkrim për BIRN të datës 28 gusht, Shemsi Prençi tha se “institucioni që ai drejton do të aktivizohej për kontrollin e ligjshmërisë së dosjeve të vlerësimit vetëm pasi institucionet e lartpërmendura të kenë përfunduar të gjitha detyrimet”. “Vetëm atëherë do të aktivizohemi për kontrollin e ligjshmërisë së dosjeve… dhe do të fillojë procedura e rialokimit të fondeve dhe shpërndarja e tyre për çdo familje”, -tha Prençi./BIRN/

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.