Vrasja për drogën në Fier, Apeli i fal 15 vite burg autorit

Vrasja për drogën në Fier, Apeli i fal 15 vite burg autorit

586
SHPËRNDAJE

Në 29 qershor të 2015-ës, 23-vjeçari, Alfons Dautaj u qëllua me breshëri automatiku në fshatin Ninsh të Mallakastrës, duke humbur jetën në vend, ndërsa dy të tjerë, Riza Fejzaj, 22 vjeç, nga Ninëshi dhe Mariglen Luari, 24 vjeç, nga Patosi, mbetën të plagosur. 

Shkak për vrasjen ishte tentativa e një grupi tjetër të rinjsh për grabitjen e një parcele me kanabis. Bimët narkotike ruheshin nga viktima dhe dy shokët e tij.

 

Gentjan dhe Artur Pashaj si dhe Ermal Çaushaj u ndaluan nga policia si autorë të ngjarjes dhe u dënuan nga Gjykata e rrethit të Fierit. Dënimet të cilat janë zbutur ndjeshëm nga Gjykata e Apelit të Vlorës me vendimin e datës 11 korrik 2017. Për rrjedhojë, autorit të krimit, Gentjan Pashaj, Apeli i Vlorës i ka ulur 15 vite nga dënimi, nga 35 në 20 vite burg.
Ja vendimet e dy gjykatave, asaj të rrethit të Fierit dhe Gjykatës së Apelit të Vlorës.


Gjykata e Fierit, 35 vite burg autorit

Autorësia e krimit i mbeti Gentjan Pashajt, 36-vjeç, banues në fshatin Vrinë të Sarandës, i cili sipas dëshmive të të mbijetuarve por edhe shokëve të tij, ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov në drejtim të Alfons Dautajt, Riza Fejzajt dhe Mariglen Luarit. Për krimin e kryer ai u dënua me 35 vjet burg në Gjykatën e Shkallës së Parë në Fier më datë 11 nëntor 2016, duke i ngarkuar dy akuza atë të ‘vrasjes në rrethana të tjera cilësuese’ dhe ‘armëmbajtjes pa leje’.

 

Vëllai i tij, Artur Pashaj u dënua me 14 vjet, ndërsa bashkëpunëtori tjetër në krim, Ermal Çaushaj me 2.2 vite burg.

 

Gjithashtu, gjykata dha dënime edhe për dy shokët e viktimës për akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike.


(Vendimi i Gjykatës së Fierit)

 

Apeli i Vlorës zbut dënimet

Gjykata e Apelit të Vlorës ka ulur ndjeshëm dënimet për autorët e krimit të dy viteve më parë në Mallakastër, i cili si shkak kishte kanabisin.

 

Kësisoj, me vendim të datës 11 korrik 2017, Apeli i Vlorës ka dënuar me 20 vite burg Gentjan Pashajn, i akuzuar për vrasjen e Alfons Dautajt. Vendimi i Apelit i ul atij 15 vite burg nga dënimi i Gjykatës së Fierit.

 

Për Artur Pashajn, vëallin e autorit, Apeli vendosi ta lirojë nga burgu, ndërsa shkalla e parë e Fierit e dënoi me 14 vite burg.

 


(Vendimi i Gjykatës së Apelit, Vlorë)
Prokuroria bën rekurs

Pas këtij vendimi të Gjykatës së Apelit, Prokuroria ka bërë rekurs. Kërkesa është firmosur nga prokurori i Apelit, Altin Binaj me objekt prishjen e vendimit nr.522 dhe lënien në fuqi të vendimit nr.777 të Gjykatës së Fierit e cila e ka dënuar me 35 vjet burg Gentjan Pashajn.

 
(Rekursi i bërë nga Prokuroria e Gjykatës së Apelit, Vlorë)
Dënimet e Gjykatës së Fierit

Gentjan Pashaj – 35 vjet burg

 

Artur Pashaj – 14 vjet burg

 

Ermal Çaushaj – 2.2 vite burg

 

Vendimet e Gjykatës së Apelit Vlorë

Gentjan Pashaj – 20 vjet burg

 

Artur Pashaj – (Lirohet nga burgu)

 

Ermal Çaushaj – I liruar kohë më parë
Vrasja për parcelën e kanabisit

Artur dhe Gentjan Pashaj, si dhe Ermal Çaushaj, janë përpjekur të vjedhin bimët narkotike mesnatën e 29 qershorit 2015, por gjatë vjedhjes janë përballur me tre të rinjtë, që e ruanin parcelën.
Dy të mbijetuarit, Riza Fejzaj, 22 vjeç, nga Ninëshi dhe Mariglen Luari, 24 vjeç, nga Patosi, ndaj të cilëve gjykata ngriti akuzën e “kultivimit të bimëve narkotike”, kanë deklaruar paraprakisht se kanë qenë në gjumë, kur kanë dëgjuar zhurmë pranë tyre. 
Pa arritur që të ngrihen nga shtretërit e sajuar në mes të pyllit, personat që u ishin afruar pranë u kanë kërkuar që të mos lëviznin duke pohuar se ishin punonjës të policisë. 
“Ndaloni! Mos lëvizni se jemi të policisë! Kthehuni ngadalë me fytyrë nga toka dhe mos lëvizni!”, mësohet t’u kenë thënë tre autorët tre të rinjve nga fshati Ninësh. Këta të fundit janë bindur dhe kanë vepruar ashtu si u është kërkuar. Në çast mbi ta është qëlluar me breshëri automatiku. 
Sipas policisë, 22-vjeçari Riza Fejzaj, i cili ka marrë vetëm një plumb është shtirur si i vdekur dhe nuk ka lëvizur më. Ndërkohë, Alfons Dautaj dhe Mariglen Luari kanë tentuar t’u shpëtojnë plumbave dhe kanë reaguar. Por kjo ka qenë tragjike për ta, pasi autorët kanë shtënë më shumë ndaj tyre duke sjellë për pasojë vdekjen e Alfonsit dhe plagosjen e rëndë të djalit të hallës së tij, Mariglenit. Më pas, autorët janë larguar me shpejtësi nëpër pyll.
Ata u arrestuan të nesërmen pas dëshmive të të mbijetuarve Riza Fejzaj dhe Mariglen Luari.

Marre nga Shqiptarja.com

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.