Tjetër taksë për shqiptarët/ Tani siguracion i detyruar për shtëpitë

Tjetër taksë për shqiptarët/ Tani siguracion i detyruar për shtëpitë

226
SHPËRNDAJE

Qeveria shpenzon çdo vit miliona euro për kompensime e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet. Për t’i dhënë fund këtij fenomeni Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare në bashkëpunim me Bankën Botërore kanë hartuar një projekligj për sigurimin e detyrueshëm të banesave për Tërmetet dhe Përmbytjet.

Është siguruar nga “klan plus” një kopje e këtij drafti konfidencial, i cili parashikon që sigurimi i detyrueshëm i banesave do të bëjë të mundur mbulimin e kostos në raste përmbytjesh dhe tërmetesh.
Bëhet fjalë për banesat e hipotekuara ose banesat që kanë një certifikatë pronësie. Draft ligji thotë qartë se kompensimi i dëmit mund të refuzohet nga kompanitë e sigurimeve për objekte që nuk kanë respektuar kushtet teknike të ndërtimit ose janë modifikuar ose dobësuar nga ndërhyrjet në strukturë.
Po ashtu, Kompanitë e Sigurimeve mund të refuzojnë zhdëmtimin edhe për ato që nuk është ofruar informacion i saktë.
Qytetarët, sipas ligjit, do të paguajnë një tarifë të përvitshme dhe kjo do të vendoset në bazë të zonës së banimit dhe riskut që mbart.
I gjithë ky proces nga lidhja e kontratës me qytetarët e deri tek mbulimi i humbjeve financiare, mendohet paraprakisht të menaxhohet nga Qendra Shqiptare e Sigurimit nga Katastrofat që do krijohet Tiranë.
Një entitet juridik publik jo-fitimprurës, i cili vetë-financohet nga primet e sigurimit, me menaxhimin e pavarur, e krijuar ekskluzivisht për kryerjen e veprimtarisë së sigurimit të detyrueshëm të banesave.
Qendra e sigurimeve nga Katastrofat sipas draftit është menduar të qeveriset nga një bord prej 5 anëtarë jo ekzekutivë.
Anëtarët e Bordit miratohen nga AMF dhe një përfaqësues duhet të jetë nga Ministria e Financave, i cili do të veprojë si kryetar i Bordit Drejtues. Një përfaqësues nga Drejtoria e Emergjencave Civile, një nga Shoqata e Sigurimeve dhe një përfaqësues nga Banka e Shqipëri.
Kjo qendër do të krijojë një bazë të dhënash elektronike dhe policat e sigurimit do të shiten online, nga kompanitë e sigurimit të regjistruara në këtë Qendër. Vërtetimi nëse një qytetar e ka kryer apo jo sigurimin e detyrueshëm nga katastrofat do të kontrollohet në procedurat e aktit të pronësisë, abonimet e ujit dhe energjisë elektrike dhe procedurat e kredisë për strehim.
Sipas nenit 30, Sigurimi i Detyrueshëm do të jetë edhe kusht për hipotekimin e pronës. Drafti nuk parashikon shifra. Por aktualisht sigurimi i një vile me vlerë 100 mijë euro kushton 90 ose 100 euro, ndërsa për të siguruar një apartament me të njëjtën vlerë kushton 50 – 60 euro në vit. /klanplus

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.