Thethi, mrekullia e alpeve shqiptare

Thethi, mrekullia e alpeve shqiptare

124
SHPËRNDAJE

“Dita e Bjeshkës- Thethi, mrekullia e alpeve shqiptare”, ishte aktiviteti i organizuar këtë fundjavë në 50-vjetorin e shpalljes së Thethit Park Kombëtar. Aktiviteti i organizuar me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit, Bashkisë Shkodër, Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe GIZ, mblodhi së bashku banorët e zonës dhe vizitorë të tjerë, që iu drejtuan bukurive dhe freskisë së këtyre alpeve për të kaluar ditët e nxehta të verës.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi pranon se zona ka nevojë për më shumë investime. Ajo premtoi se shumë shpejt në këtë zonë do të hapet një zyrë turistike dhe do të përfundohet infrastruktura rrugore. Ndërkohë Ministria e Mjedisit dhe Agjencia e Zonave të Mbrojtura kanë një projekt për bashkimin nga Vermoshi deri në Valbonë në një park të vetëm, të quajtur Parku kombëtar i Alpeve me një sipërfaqe prej 85 mijë ha. “Bashkia e Shkodrës ka hapur prokurimin e fondeve për të bërë një organizim të mirë të pastrimit dhe grumbullimit të mbetjeve urbane për t’i transportuar nga zona e Thethit në landfillin e Bushatit. Po përpiqemi bashkarisht të hapim zyrën turistike ku bashkia e Shkodrës bashkë me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura janë impenjuar dhe së shpejti ne do të kemi një zyrë të promovimit të turizimit”, tha ajo.

Mes kostumeve popullore, tingujve të çiftelisë dhe traditave të hershme, kjo festë ka për qëllim promovimin e vlerave natyrore, klimaterike, turistike dhe kulturore të zonës.

Ndërsa Drejtori i AKZM-së Zamir Dedej tha se “është menduar që të krijohet një park më i madh”. “Para një viti e kemi prezantuar si ide dhe kemi ecur. Sot është në debat në Këshill të Ministrave për të bërë një bashkim midis Valbonës, zonës së Thethit dhe Vermoshit. Kjo është e gjithë pjesa e Alpeve që themi se do marrë një zhvillim bashkarisht”, tha ai.

Parku Kombëtar i Thethit shtrihet në zemër të Alpeve, ndërmjet bllokut të Bjeshkëve të Namuna në perëndim dhe bllokut të Jezercës në lindje dhe ka një sipërfaqe prej 2630 ha. Është një nga qendrat turistike më të rëndësishme të Veriut, 70 km larg nga qyteti i Shkodrës. Bën pjesë në komunën e Shalës të zonës së Dukagjinit.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.