Teqeja e Melanit

Teqeja e Melanit

860
SHPËRNDAJE

Melani është një vend me histori shumë të lashtë. Për origjinën e këtij objekti të rrallë arkitektonik, kulturor e fetar, ekzistojnë dy hipoteza: e para, që është një zgjatim i qytetit antik të Antigonesë dhe, së dyti, që në territorin e saj gjenden rrënojat e një qyteti tjetër të lashtë, i panjohur deri sot.

Mendohet se projekti i teqesë është bërë 600 vjet përpara nga Izmiri dhe se objekti u ndërtua më 1827-n nga vetë Baba Aliu, varri i të cilit është në Tyrbe, përballë strukturës qendrore të teqesë.

Mendohet se objekti është i vendosur mbi pjesën e Akropolit të vjetër të qytetit të lashtë ilir. Në të njëjtin territor mendohet se gjatë periudhës historike të Bizantit ka ekzistuar një manastir i krishterë. Gjasat janë që rrënojat që mund të vërehen në territorin përreth janë të Justinianopolit, një qytet i shekullit VI, për të cilin ende nuk ka shumë informacione.

E veçanta e Melanit është e lidhur edhe me faktin se në të kanë shërbyer disa nga “gjyshërit” më të nderuar bektashianë të zonës së jugut, si Haxhi Ali Haqi Babai, Baba Qamili, Baba Selimi etj.

Sot ky vend shërben si qendër fetare dhe pelegrinazhi për sektin e bektashinjve myslimanë dhe të tjerë vizitorë vendas e të huaj. Një dervish qëndron gjatë gjithë kohës në teqe.

Ndërtesa kryesore përbëhet nga një vend lutjeje në formë rrethore, me disa dhoma dhe galeri anësore. Fasada e ndërtesës ka hajat dhe pjesa

e sipërme është e ndërtuar e gjitha në stilin tipik epirot, me blloqe guri të prera mirë e të marra nga zona përreth.

Për   të   mbërritur në Melan duhet të marrësh rrugën për në fshatin Glinë, në të majtë të rrugës nacionale, drejt kufirit shtetëror me Greqinë. Rruga kalon nga fabrika e ujit mineral “Glina”, mbrapa kësaj fabrike, duke vazhduar përmes fshatrave në këmbët e malit të Buretos, drejt fshatit Grapsh, 4 km larg Glinës.

Prej këtej rruga zbret pas disa kthesash deri në teqenë e Melanit, rrethuar nga qeparisa të shumtë, të dukshëm nga lart dhe nga rruga nacionale.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.