Skandali/ Ish-Deputeti Socialist  i Fierit bleu Benz 92 milionë lekë

Skandali/ Ish-Deputeti Socialist  i Fierit bleu Benz 92 milionë lekë

618
SHPËRNDAJE

Teksa ekonomia e vendit përpëlitet, zyrtarët shtetëror vijojnë të shpërdorojnë fondet publike, me shpenzime luksi. Rasti më flagrant është ai i ish deputetit të Partisë Socialiste në qarkun Fier, Ervin Koçi, i cili aktualisht mban pozicionin e drejtorit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare (AMF).
Tpz.al disponon dokumentat e një tenderi që ka bërë institucioni i AMF-së, me firmën e Ervin Koçit. Sipas tyre, është hapur një procedurë “blerje automjeti për titullar të AMF” me fond 7.933.334 lekë pa TVSH. Tenderi u bë më 13 nëntor 2017 dhe kriter ishte çmimi më i ulët, por në garë konkurroi vetëm koncesionari i Mercedes-Benz, që kontrollohet nga ‘Auto Star Albania sh.a’.
“Njoftojmë se, ka qenë pjesëmarrës në procedurë vetëm një ofertues me vlerën përkatëse: Operatori ekonomik ‘Auto Star Albania sh.a.’, vlera 7.666.666 lekë pa TVSH” thuhet në dokument. Pra, vlera e Benz-it luksoz për drejtorin e AMF-së ka shkuar në 92 milionë lekë të vjetra bashkë me TVSH.
Sipas këtyre dokumenteve, Koçi e kërkon automjetin me kilometrazh 0, viti i prodhimit 2017. Ish-deputeti kishte të tjera kërkesa për automjetin; ngjyrën e donte të zezë metalizato, tapicerinë e brendshme lëkure, kondicioner klimatronik, kambio automatike model tronic me min. 7 shpejtësi, xhamat e pasëm të errësuar dhe sistem drejtimi hidraulik. Gjithashtu automjeti kërkohej që t’i ketë zhamat me hapje elektrike, mbyllje të centralizuar të dyerve, drita me teknologjinë LED, timon multifunksional, kamera parkimi mbrapa, sensor parkimi para dhe mbrapa, AIR BAG, jo më pak se 6 copë, etj.
Ky është skandali i dytë i denonocuar nga Tpz.al, në lidhje me shpërdorimin e fondeve publike me makina luksoze. Më herët, ishte kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli i cili hapi tenderin për blerjen e një fuoristrade me vlerë 66 milionë lekë. Por pas denoncimit të Tpz.al, Leli u tërhoq duke thënë se ishte një gabim blerja e këtij automjeti kaq të shtrenjtë.
Konflikt interesi?!
Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, që drejtohet nga Ervin Koçi që prej muajit mars 2017, është një institucion që monitoron të gjithë tregun financiar jo bankar në vend, që pensionet private, fondet e investimeve e deri tek kompanitë e sigurimeve.
Koçi bleu makinën e tij luksoze Benz tek “Auto Star Albania”, e cila është në pronësi 100% të biznesmenit Shefqet Kastrati. Por ky i fundit ka në pronësi edhe kompaninë e sigurimeve ALBSIG, e cila është nën kontrollin e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare.
Pra, drejtori i AMF-së, ka blerë me fondet publike një supermakinë luksoze tek klienti i tij, Shefqet Kastrati që ka në pronësi kompaninë e sigurimeve ALBSIG. Ky është skandal që tregon jo vetëm shpërdorimin e fondeve publike por gjithashtu edhe kapjen e institucioneve nga biznesi dhe biznesmenë të shumëpërfolur në vendin tonë./TPZ.AL/E.H/

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.