Shqiptarët “ikësit e mëdhenj prej parajsës në ferr”

Shqiptarët “ikësit e mëdhenj prej parajsës në ferr”

118
SHPËRNDAJE

Dr. Ndriçim Mehmeti

Prej dy a më shumë shekuj me të njëjtin intensitet, hapur, fshehtazi, me dashje, “pa dashje”, ballkanik, evropian, “shqiptar” modern e snob (sot vetëquhen evropianistë) kanë artikuluar dy teza njëra më antishqiptare se tjetra: Shqiptarët janë të ardhur në Ballkan dhe se shqiptarët janë popull nomad, pa rrënjë, pa ndonjë lidhje të veçantë me tokën e vet, pa ndjesi kombëtare, të cilët lëvizin vazhdimisht e janë ikës të përjetshëm. Të gjithë kategoritë e njerëzve që mbrojnë këtë tezë, disa nga paga e përmuajshme që marrin, të tjerë nga mllefi, shumë nga sëmundja për të qenë “më shumë evropian se shqiptar”, disa nga injoranca që kanë në fushën e historisë dhe shkencave të tjera i bashkon dëshira e madhe për të artikuluar pa fund fakte nga historia, statistika e interpretuar sipas tyre, fenomene të shpikura aty për aty etj.

Në një vështrim të parë të duket sikur ky soj njerëzish (që për fat të keq sa vjen e shtohet) se më shumë se çdo arsye tjetër, i shtyn dëshira për të qenë mediatik.

Nëse do të ishte kështu, do të ishte gjysma e së keqes. Sikundër e përmenda më lart, grupimi i atyre, që vetë ofrohen si pedagog, pjesëtarë të botës akademike, analistë të pavarur, përfaqësues të shoqërisë civile, studiues autodidakt,  po t’i gërvishtësh pak e kupton fare kollaj me kë ke të bësh. Ata janë këshilltarë ministrash, pedagog të universiteteve që i bëjnë fresk shefit/shefes së tyre dhe doemos qeverisë, pjesëtar të OJF-ve të tipit “Mjaft” e të gjithë lloj kallëpesh që një etniteti të vetëm që quhen opinion bërës në favor të qeverisë së radhës. Nuk ka asnjë dyshim se në kohët moderne, në botën globale, lëvizin njerëz, vlera, mallra, teknologji. Gjithçka është në lëvizje, kushdo kërkon më shumë mundësi për vete, të gjithë jemi të interesuar për një jetë më të mirë. Por të justifikosh ikjen masive të shqiptarëve me “dëshirën shekullore të këtyre të fundit për të qenë nomad”, është pak ta quash lapsus, keqinterpretim, ishte në kontekstin e asaj e të kësaj. Mundet për një moment që duke mos e njohur sa duhet Shqipërinë të thuash një fjalë, një opinion, të bësh një analizë e madje edhe një libër, të bazuar në fakte të gabuara. Por në fund të fundit e kupton shpejt a vonë atë që ke bërë dhe kërkon falje. Por të jesh i vetëdijshëm për atë që thua dhe më pas ta mohosh atë që ke thënë me fjalë të njohura studiosh si “keqinterpretim”, “doja të thosha një gjë tjetër”, “nuk e thashë në këtë kontekst”, etj. është vetëm largimi prej së vërtetës. Unë do të isha dakord, nëse ai/ajo që thotë një gjë që nuk është e bazuar në fakte, në historinë e këtij vendi, nuk mbështetet as nga të dhënat statistikore të ikjeve të shqiptarëve në ditët më të këqija të mbijetesës si komb e popull, të vazhdonte ta mbronte atë që mendon. Por kur kërkon ta servirësh , faktin se shqiptarë janë “ikës të mëdhenj”, si një “përfundim të kohërave moderne, për ata që dinë ta kuptojnë zhvillimet e mëdha globale”, “për mundësinë që nuk duhet t’ia heqim të rinjve për të studiuar jashtë vendit”, kjo është një taktikë më shuam se tinëzare. Ta zëmë se të gjitha këto janë të vërteta, por a mund të ketë mes “ikësve të mëdhenj të kohërave”, shqiptarë që shtyhen të emigrojnë  nga varfëria, maskarallëku i instaluar në majat më të larta të shtetit, krimi, droga, papunësia, mungesa e perspektivës? Kjo pyetja nuk merr përgjigje.

Dhe e dini pse o miq. Se këta “ikës të mëdhenj” kanë edhe një “mëkat” shumë të madh: Po ikin prej parajsës së ofruar nga Rilindja drejt ferrit perëndimor të ofruar nga ShBA, Gjermani etj.

Kush e thotë këtë të “vërtetë të madhe”? Njerëz të iluminuar në “universitetet” më të mira të botës, akademikë, analistë, opinionistë, bota akademike virtuale e krijuar prej forumeve të lira në studio televizive e deri në fshatrat piktoreskë të Shqipërisë e jo vetëm. Janë njerëz “të frymës së re”, të rritur në vendet e BE-së, të shkolluar në BE e Amerikë, që janë kthyer me vrap e padurim në Shqipëri për një arsye të thjeshtë: Të ikin nga katrahurë e madhe ku ishin dhe të vijnë e të qetësohen në parajsën e vetme mbi tokë që quhet Shqipëri. Një vend që ofron gjithçka: punë, karrierë të sigurt tek privati, duke ja kthyer nderin e punësimit,  me shumë përulësi e servilizëm, ushqim të mirë, diell, “pastërti” shembullore etj. Po pse ikin vallë shqiptarët? Se “janë ikës të përhershëm e të përjetshëm”, “se ky  është trend mbarëbotëror”, “Amerikën e duan të gjithë”, “të rinjtë duan të shkollohen jashtë se janë mjaft inteligjent”, se kjo e ajo. Po ndonjë gjë që nuk shkon në këtë vend ka? A kemi shkolla më të mira? A dimë të vlerësojmë punën e njerëzve, kontributin e tyre, shkollimin e tyre? Jemi një vend i sigurt, apo një vend me probleme në fushën e rendit publik? Ofrojmë shërim mjekësor, arsimor etj., në përputhje me atë që meriton një qytetar? Nëse të gjitha këtyre i kthejmë përgjigje pozitive, nëse kjo që jetojmë sot është vërtetë parajsa, atëherë edhe unë bashkohem me ata që thonë se “shqiptarë janë ikës të mëdhenj”. Por nëse një fëmijë vdes duke seleksionuar plehrat dhe askush nuk mban përgjegjësi, nëse një nënë vdes aty ku duhet të merrte, gëzimin më të madh të saj, lindjen e një fëmije dhe përsëri askush nuk mban përgjegjësi, nëse droga shëtit nga një shkollë në një tjetër, pa asnjë lloj problemi dhe përsëri nuk ka asnjë reagim, atëherë “ikësit e mëdhenj”, nuk janë më të tillë. Janë një grup hallexhinjsh, prej më të shkolluarve  e deri tek punëtorët e krahut, që  nuk shohin dritë ne fund të tunelit. Nuk janë shqiptarët “ikës të mëdhenj”, është halli që i çon në derë të huaj të trokasin, për më shumë mundësi jetese, dinjitet njerëzor dhe mirëqenie të garantuar në përputhje me kontributin që jep. Por duket se jemi kthyer në mesin e vitit 1990, kur ata që ikën u etiketuan si tradhtarë të këtij kombi. Edhe tani pas 26 vitesh “modernistët”, duan të na mbushin mendjen se kërkesa e shqiptarëve për largim nga vendi, nuk lidhet me kushtet e Shqipërisë, por me faktin se banorët e këtij vendi dhe në tërësi “shqiptarët janë ikës të mëdhenj”.

Përcaktime të tilla meritojnë një analizë shuam më të gjerë. Meritojnë kundërpërgjigje të ashpër, meritojnë gjithçka që është me vend të thuhet në këto raste. Por duket se jemi në një vend që nuk bën përshtypje më asgjë. Nuk vlen një grosh jeta e njeriut , pale më dinjiteti. Në një vend ku moralin e bën krimineli/ja, historinë e bën ai/ajo që ka mbaruar tre universitete, por asnjë për histori, e bën ai/ajo që kërkon të bëjë karrierë, duke sulmuar vendin e vet. Dhe kjo bëhet me bekimin e editorëve të gazetave, moderatorëve në TV, të cilët në fund të fundit, u intereson pak audiencë se hallet e këtij vendi. Uroj të vazhdoni të shani e mallkoni deri në fund të jetës tuaj këtë vend. Në fund të fundit përveç interesit monetar mbase nuk ju lidh asgjë me atë që quhet atdhe.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.