Rihapen procedurat e regjistrimit të tapive për 7501

Rihapen procedurat e regjistrimit të tapive për 7501

360
SHPËRNDAJE

Shkrirja e ish-komunave nga procesi i riorganizimit i 61 bashkive nga zbatimi i reformës administrativo-territoriale ka rihapur sërish procesin e dhënies së certifikatave të pronësisë për tokat bujqësore, ose siç njihen ndryshe tapitë e ndara me ligjin 7051.
Artan Shkëmbi, drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Reformës Administrativo-Territoriale, në një intervistë për “Panorama” ka sqaruar problematikat që ka hasur procesi i dhënies së tapive me ligjin 7051, si dhe procedurat e reja që duhet të ndjekin banorët e fshatit për t’u pajisur me certifikatat e pronësisë.
artan_shkembi

Shkëmbi ka theksuar se procedurat e dhënies së certifikatave të pronësisë për tokat bujqësore tashmë do të kryhen vetëm nga bashkitë dhe banorët e fshatit nuk do të duhet të paguajnë për dokumente në noteri apo topograf. Ai ka thënë se një tapi mund të jepet brenda 60 ditësh, por kjo në varësi të ngarkesave që kanë bashkitë. “Tashmë, një banor i fshatit mjafton të aplikojë pranë njësisë së vet administrative, duke dorëzuar bashkë me kërkesës vetëm AMTP dhe certifikatën familjare (ndërkohë që për ata që nuk disponojnë AMTP kërkohen edhe disa dokumente që vërtetojnë pronësinë e tokës). Pas këtij momenti, ai s’ka për të kryer asnjë veprim tjetër, pra ai nuk humbet as kohë e s’ka as kosto financiare”, ka theksuar Artan Shkëmbi.
Po ashtu, ai ka sqaruar edhe avantazhet që do të kenë banorët e fshatrave, duke marrë me certifikatë pronat e tyre, duke filluar nga kreditë në ndihmë të bujqë- sisë e deri te grantet e Bashkimit Europian.
Me reformën e re territoriale ka ndryshuar edhe procedura për marrjen e certifikatës së pronësisë për tokat bujqësore të ndara me ligjin 7501. Konkretisht, mund të na tregoni në mënyrë të përmbledhur cila është procedura që duhet ndjekur për të aplikuar për titullin e pronësisë? 
Së pari, do të doja të theksoja faktin që reforma territoriale nuk është thjesht një ndarje e re fizike e hartave të njësive të qeverisjes vendore, por ajo riorganizon këto njësi edhe në aspektin funksional, duke u dhënë atyre funksione të reja, por edhe mundësi të reja të ushtrimit të këtyre funksioneve. Konkretisht, bashkitë nuk kanë pasur objekt të punës së tyre zbatimin e ligjit 7501 dhe ndarjen apo regjistrimin e tokës bujqësore, ndërkohë që komunat e kanë pasur këtë funksion, por pa pasur realisht mundësi ligjore dhe praktike për zgjidhjen e këtij problemi. Sot, reforma territoriale ka krijuar mundësi të reja, institucione të reja, me më shumë mundësi për ta çuar këtë proces përpara. Mundësitë e kufizuara të ish-komunave dhe mungesa e angazhimit serioz të ishkryetarëve të komunave, nuk ka qenë i vetmi shkak se pse ky proces ka ngecur në vend prej gati 25 vitesh. Një arsye e rëndësishme ka qenë fakti që një banor i fshatit, që në dorën e vet kishte vetëm një Akt të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) do të duhej të përgatiste gjithç- ka vetë për të regjistruar tokën e vet. Ai do të duhej të shkonte shumë herë në qytet për një certifikatë të trungut familjar të periudhës së përfitimit të tokës, për një planvendosje të tokave të veta, për të gjetur një topograf të licencuar që duhej të kryente matjet në terren, për të marrë një vërtetim nga kadastra, një tjetër nga Këshilli i Qarkut, një vërtetim nga ALUIZNI, për të aplikuar te ZVRPP për të kryer korrigjimet e kërkuara nga kjo zyrë etj., etj., procedura që lodhnin dhe mërzisin edhe fermerin më të duruar në Shqipëri. Lodhje, stres dhe kosto të larta që kanë sjellë në situatën e sotme kur fermerët punojnë prej çerekshekulli tokën, por ata as nuk mund ta shesin atë, as nuk mund t’ua lënë trashëgim pasardhësve të tyre e as nuk mund ta përdorin si kolateral për kreditim, apo për financim të aktivitetit të tyre bujqësor e blegtoral.
Duke marrë në konsideratë situatën e krijuar, pas miratimit të ndarjes së re territoriale u miratuan aktet si vijon: VKM nr. 337, dt.22.4.2015 “Për përcaktimin e procedurave të kryerjes së procesit të kalimit të tokës bujqë- sore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, VKM nr.994, dt.9.12.2015 “Për procedurën e regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi”, si dhe në zbatim të tyre është hartuar edhe “Manuale Udhëzuese” për bashkitë, për ZVRPP dhe për fermerët nga ana e ZQRPP dhe AZRT në muajin mars 2016 “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës ndërmjet njësive të qeverisjes vendore dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive së Paluajtshme, dhe të procedurave që zbatohen për efekt të regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi”. Bazuar në këto akte nënligjore, procedurat lehtësohen maksimalisht për fermerët, ndërkohë që bashkitë ngarkohen me më shumë detyra konkrete, duke mbajtur barrën e kryerjes së këtij shërbimi ndaj banorëve të vet që banojnë në fshat.
Tashmë, një banor i fshatit mjafton të aplikojë pranë njësisë së vet administrative, duke dorëzuar bashkë me kërkesës vetëm AMTP dhe certifikatën familjare (ndërkohë që për ata që nuk disponojnë AMTP kërkohen edhe disa dokumente që vërtetojnë pronësinë e tokës).
Pas këtij momenti, ai s’ka për të kryer asnjë veprim tjetër, pra ai nuk humbet as kohë e s’ka as kosto financiare. Bashkia ka për detyrë të përgatisë dosjen përkatëse me dokumentacionin që kërkon ligji, duke komunikuar dhe bashkërenduar punën me institucionet e tjera shtetërore, deri në finalizimin e regjistrimit të tokës. Kur ky proces ka përfunduar, bashkia njofton pronarin e tokës bujqësore të paraqitet pranë ZVRPP për tërheqjen e Certifikatës së Pronësisë.
Sa lekë duhet të paguajë një banor i fshatit, dhe për sa kohë del kjo certifikatë?
Bazuar në atë çka shpreha edhe më lart, ndryshimet e akteve nënligjore kanë lehtësuar jo vetëm procedurat për regjistrimin e tokës bujqësore, por edhe kanë hequr çdo detyrim financiar për përdoruesit e tokës bujqësore. Një banor i fshatit, pas aplikimit te njësia e vet administrative, nuk ka asnjë kosto sepse nuk përgatit asnjë dokument. Ai thjesht mbetet në pritje të përfundimit të procesit që ndodh ndërmjet bashkisë dhe ZVRPP. Kur procesi i plotësimit dhe saktësimit të dokumentacionit përfundon, ZVRPP plotëson certifikatën e pronësisë, njofton bashkinë për mbylljen e këtij procesi dhe i kërkon asaj të njoftojë fermerin, ose njofton direkt fermerin për t’u paraqitur për tërheqjen e dokumentit. E vetmja pagesë në këtë rast është ajo që kryen çdo person që regjistron një pronë, pra pagesa e tarifës përkatëse që aplikon ZVRPP-ja. Të gjitha kostot e tjera që paguheshin për topografin e licencuar, për noterin, për aplikimin, për të shkuar disa herë në qytet etj., nuk do të paguhen më nga ana e fermerëve. Afati kohor varet nga angazhimi i bashkisë dhe problematika e pronës, por duke pasur në konsideratë faktin që aktet nënligjore përcaktojnë afate për publikimin dhe për përgjigjet e institucioneve, nëse ato respektohen, një fermer në kushte normale brenda 60 ditëve duhet të pajiset me dokumentin e pronësisë së tokës.
Sa është numri i familjeve që pritet të përfitojnë nga ky proces? Sa certifikata janë shpërndarë deri më tani?
Është e vështirë të jepen të dhëna të sakta për këtë çështje, sepse një pjesë e tokave bujqësore janë të hedhura në sistemin e ZRPP (si hap i parë drejt regjistrimit të tokave bujqësore), ndërkohë që një pjesë tjetër as nuk figurojnë të hedhura në sistem. Ndërkaq, gjatë ndarjes së tokës bujqësore, një fermer mund të ketë disa parcela me vendndodhje të ndryshme. Vëmendje gjatë kësaj kohe u është kushtuar tokave të qytetit ose atyre me interes për ndërtime, kategoria e tokave bujqësore është lënë pas dore, duke mos pasur as statistika të sakta se si paraqitet situata. Nga njëra anë pothuajse për çdo parcelë është dhënë një AMTP, por nga ana tjetër, rreth 60 % e tyre janë të paregjistruara.
Cilat janë disa nga bashkitë që kanë avancuar në këtë proces dhe njësitë që kanë mbetur mbrapa?
Ka bashki që kanë krijuar zyra me disa topografë, specialistë bujqësie e juristë, dhe po punojnë me intensitet për pajisjen e banorëve të fshatit me dokumentin e pronësisë së tokës bujqësore. Bashkia e Fierit është tepër aktive në këtë proces, duke përdorur edhe mjete bashkëkohore, si fotografimi me dron i tokave për të ndihmuar topografët që të mos punojnë për një parcelë të vetme, por për grupe të mëdha parcelash në të njëjtën kohë. Bashkia e Elbasanit, e Vlorës, e Korçës, kanë shpërndarë qindra tapi për banorët e fshatrave të tyre, ndërkohë që po punohet me intensitet edhe në bashki më të vogla, si ajo e Tepelenës, e cila nga rreth 400 aplikime, ka gati hipotekimin e rreth 220 pronave. Në çdo bashki ka njësi administrative dhe fshatra me probleme, sikurse ka edhe që e kanë zgjidhur prej kohësh këtë çështje. Kryesisht zona në Veri të vendit, që në shumë raste nuk kanë zbatuar ligjin 7501, por vazhdojnë punojnë tek ish-pronat e familjes, ndërkohë që AMTP i kanë për të tjera parcela, paraqesin një problematikë që është më e vështirë për t’u zgjidhur. Sigurisht që angazhimi i bashkive nuk është akoma i duhuri, për aq kohë sa drejtuesit e tyre akoma nuk kanë kuptuar rëndësinë e këtij procesi për zhvillimin ekonomik të zonës, por edhe për faktin se bashkitë vazhdojnë të jenë të angazhuara më shumë në zgjidhjen e problematikave të qyteteve, sesa të fshatrave në përbërje të tyre.
Si ka qenë interesi i treguar deri më tani nga ana e banorëve të fshatit për t’u pajisur me certifikatë pronësie? A kanë hasur ata në pengesa dhe a kanë informacionin e duhur për të aplikuar…? Me çfarë problematikash apo pengesash jeni përballur…
Për fat të keq, edhe interesi i fermerëve vazhdon të mos jetë në nivelin e duhur. Me sa duket, lodhja prej vitesh pa bërë të mundur zgjidhjen e problemit, ka bërë punën e vet. Ka humbur besimi se ata mund të kenë në dorë hipotekën e pronës së tyre. Ndërkohë që ata që e kanë hipotekuar tokën prej vitesh, po shijojnë efektet pozitive të saj, duke përfituar vit pas viti grante nga AZHBR, por edhe financime nga bankat me të cilat ka arritur marrëveshjen Qeveria Shqiptare për subvencionimin e interesit të kredive bujqësore. Në bashkëpunim me ZRPP-në, ne kemi hartuar udhëzuesin praktik për fermerin, ku edhe kemi nënvizuar përfitimet që ata do të kenë pas hipotekimit të tokës. Këta udhëzues janë shpërndarë derë më derë nga ana e bashkive dhe besoj se ka pasur një nxitje për aplikime gjatë muajve të fundit. Tashmë është detyra e bashkive që të mos zhgënjejnë sërish banorët e tyre, duke nxjerrë pengesa në plotë- simin e dosjeve dhe çuarjen e tyre për regjistrim në ZVRPP.
Ligji 7501 për ndarjen e tokës bujqësore është miratuar që në vitin 1991. Gjatë kësaj periudhe, kjo tokë e pahipotekuar sa dëme ka shkaktuar për vetë fermerët, apo edhe për investitorë të huaj që mund të jenë interesuar?
Mungesa e pronësisë së tokës bujqësore sigurisht që ka pasur dëme të pallogaritshme, jo vetëm në zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, por edhe në zhvillimin ekonomik të vendit në tërësi. Mungesa e tapisë ka bërë që toka as mos të shitet e as mos të blihet, duke mos u dhënë mundësinë atyre që kanë munden të punojnë të kenë më shumë tokë dhe atyre që nuk kanë mundësi fizike për të punuar, që ta shesin tokën dhe dikush tjetër ta punojë atë. Fermerët nuk kanë mundur të financohen me grante dhe kredi për shkak të mungesës së tapive. Ata nuk kanë mundur të ndërtojnë sera, stalla apo ndërtime me karakter bujqësor e blegtoral, sepse për këtë dokumenti i parë që nevojitet për t’u pajisur me leje ndërtimi, është tapia e tokës. Ata nuk kanë motivin e duhur për ta punuar tokën, për aq kohë sa nuk kanë sigurinë e trashëgimit të saj te pasardhësit. Po t’i shtosh edhe konfliktet për pronësinë e tokës që qëndrojnë pezull edhe pas 25 vitesh, është i qartë dëmi i pallogaritshëm që i është shkaktuar bujqësisë dhe ekonomisë shqiptare nga moszbatimi në kohë i ligjit 7501.
A disponojnë bashkitë eksperiencën dhe resurset e duhura (burime njerëzore) për ta finalizuar këtë proces?
Bashkitë kanë në përbërje të tyre struktura të trashëguara nga ish-komunat, kanë njësitë administrative, kanë kryesitë e fshatrave dhe kryetarët e tyre, që e njohin situatën në terren shumë mirë. Bashkitë kanë në strukturat e tyre topografë dhe juristë, si dhe specialistë të bujqësisë që mund të ushtrojnë shumë më mirë dhe me efektivitet funksionet e tyre në fushën e bujqë- sisë. Ajo që u mungon disa bashkive është të kuptuarit e rëndësisë së problemit dhe angazhimit të tyre për një proces kaq jetik për zhvillimin ekonomik të vendit. Unë kam bindjen që kushtet ekzistojnë, burimet njerëzore dhe mjetet ekzistojnë, ajo që nevojitet është përkushtim dhe angazhim për ta shtyrë procesin para.
AZRT që ju përfaqësoni, çfarë kompetencash dhe detyrimesh ka sa i përket ndarjes së titujve të pronësisë?
AZRT nuk ka asnjë detyrim specifik për çështje specifike që lidhen me regjistrimin e tokës bujqësore. Detyrat konkrete janë të bashkive, ZVRPP, këshillave të qarqeve dhe të gjitha institucioneve që kanë për detyrë ligjore të kryejnë hallka të veçanta të një zinxhiri të gjatë. Roli i AZRT është identifikimi i nevojave dhe problematikave të lindura në çdo fushë të veprimtarive të bashkive dhe më tej, hartimi i bazës ligjore të nevojshme dhe koordinimi i procesit ndërmjet aktorëve të përfshirë me qëllim nxitjen e tyre dhe bashkëpunimin midis tyre për kryerjen me sukses të kësaj detyre.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.