PD publikon videot e droges, policia deklaron se jane ne hetim

PD publikon videot e droges, policia deklaron se jane ne hetim

167
SHPËRNDAJE

 Partia Demokratike ka publikuar sot disa pamje për të treguar kultivimin e kanabisit në të gjithë luginën e Lumit të Vlorës. Sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji ka nxjerrë para gazetarëve pamjet, sipas tij, dëshmi e mbulimit të vendit me drogë. Salianji tha se ky biznes kriminal drejtohet nga Saimir Tahiri.
“Shihni këto pamje të siguruara nga Partia Demokratike dje. Shihni se si lugina e Lumit të Vlorës, është shndërruar në Luginën e Kanabisit. Kjo është dëshmia e mbulimit të vendit me drogë, e rritjes së përditshme të këtij biznesi kriminal, që drejtohet nga Saimir Tahiri. 30 përqind e fitimit të çdo bime të mbjellë, ndahet mes shefave të policisë dhe Tahirit. Ky është pazari që garanton mbjelljen, rritjen, korrjen dhe transportin e drogës.
Pamjet janë filmuar pikërisht në zonën e Lumit të Vlorës, aty ku Habilajt e Tahirit kanë kontroll absolut mbi territorin”, tha Salianji.
Ai shtoi se ‘Parcela pa fund që lulëzojnë, që sjellin qindra milionë euro për bandat e trafikantët, për njerëzit e afërt të Tahirit, i cili, përveç shumë garancive të tjera, u dha Habilajve edhe makinën e tij private, taksinë e drogës AA003GB, për t’u siguruar paprekshmëri e semafor jeshil për lëvizjet e tyre’.
“Kjo pra është dëshmia e gjallë e krimit të veshur me pushtet e pushtetit të veshur me krim. Partia Demokratike do të vendosë rendin e sigurinë në vend, do të shtypë trafikun e trafikantët e drogës, do të çrrënjosë lidhjet e politikës me krimin”, theksoi Salianji.
Pas publikimit të videos nga PD-ja, ka reaguar policia e Shtetit e cila deklaron se pamjet janë filmuar nga vetë ajo dhe se është një çështje nën hetim, ndërkohë që ka pasur edhe një aksion për asgjësimin e kanabisit.

“Policia e Shtetit falënderon subjektin politik që me deklaratat dhe pamjet e shfaqura sot u bën jehonë aksioneve të Policisë së Shtetit dhe luftës së pandërprerë kundër kultivimit të narkotikëve. Pamjet që u transmetuan sot nga PD janë filmuar nga vetë Policia e Shtetit si pjesë e punës intensive për dosjen hetimore përkatëse. Bazuar mbi këto hetime (përfshirë edhe pamjet) u zhvillua aksioni për asgjësimin e këtyre bimëve narkotike dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të shkeljes së ligjit.

Ndërkohë, Policia e Shtetit bën me dije se kanë nisur verifikimet dhe do të vihen përpara përgjegjësisë ligjore e penale të gjithë punonjësit e policisë, të cilët kanë nxjerrë sekretin hetimor, duke ekspozuar detaje të një dosje në hetim”, deklaron policia.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.