Mitropoliti i kishës ortodokse të Malit të Zi,Radoviç provokon rëndë shqiptarët në...

Mitropoliti i kishës ortodokse të Malit të Zi,Radoviç provokon rëndë shqiptarët në shtëpinë e tyre

32
SHPËRNDAJE

Mitropoliti i kishës ortodokse të Malit të Zi, Amfilohije Radoviç provokon rëndë shqiptarët në shtëpinë e tyre. Mbrëmjen e së dielës, në një koncert të shoqatës “Rozafa- Moraça” në teatrin “Migjeni”, mitropoliti mori fjalën dhe pa iu dridhur qerpiku fare deklaroi se heroi kombëtar i Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka luftuar së bashku me stërgjyshin e tij dhe se është një i krishterë ortodoks. Sipas Radoviç, djali i Skënderbeut është i varrosur në manastirin ortodoks të Hilandarit.
“Dëgjoj se ka shumë njerëz e në veçanti gazetarë, të cilët thonë se pse ai Mitropoliti i Cetinës sillet këndej nëpër Shkodër. Pse vjen ai aq shpesh? Ju them ju vëllezër të mi se stërgjyshi im, Vojvoda Bogiq ka qenë mik i Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe ka luftuar së bashku me të kundër pushtuesve. Skënderbeu ka qenë ortodoks i krishter së bashku me stërgjyshin tim, Vojvoda Bogiq dhe për këtë e tregon qartë fakti se djali i tij është varrosur në Manastirin e Hilandarit, për djalin e Skënderbeut e kam fjalën. Ja pse Amfilohije është këtu. Pse sjell fillimisht frymën e shenjtë të krishterë këtu të serbëve dhe malazezve dhe të tjerëve, të cilët me sakrificën e tyre e shënuan historinë e Shqipërisë”.
Radoviç nuk nguroi të thotë se ndodhet në Shkodër për të ngritur moralin e serbëve që jetojnë në këtë qytet, edhe pse numri i tyre është shumë i vogël sa nuk mund të cilësohen as si pakicë në Shkodër.
“Kjo është arsyeja se pse këto 25 vite unë vij këtu. Dashuria e madhe ndaj martirëve të vjetër të krishterë Atolit, Elefteriut e deri tek Shën Kozmai, të cilët këtu me gjakun e martirizimit vulosën dashurinë për drejtësinë e Zotit dhe duke ndihmuar për ngritjen shpirtërore dhe morale të serbëve tanë, të cilët jetojnë këtu. Dhe kjo në një kohë kur rrezikohej të humbnin fenë dhe besimin në Zot gjatë regjimit të Enver Hoxhës. Të ndihmojmë vëllezërit shqiptarë, por edhe të tjerët që jetojnë këtu se vetëm së bashku duke u bazuar në vlerat fetare dhe morale ne mund të ndërtojmë të ardhmen e sigurt. Ja pse vij dhe pse jam sot këtu dhe do vij deri sa të kem frymë”, tha Amfilohije Radoviç.
DEKLARATAT E RADOVIÇIT 

Para se të fliste për miqësinë e stërgjyshit të tij me heroin tonë kombëtar, Mitropoliti i kishës ortodokse të Malit të Zi, Amfilohije Radoviç ka dhënë edhe deklarata të tjera antishqiptare. Rrethimin e Shkodrës dhe pushtimin e saj nga malazezët në vitet 1912-1913, kur Shqipëria shpalli pavarësinë, ai e ka quajtur si një mbrojtje të Malit të Zi ndaj Shkodrës dhe jo pushtim të saj. Kërcënimi i Amfilohije Radoviç, që provokon për të disatën herë brenda kufijve shqiptarë shkon edhe më tutje, duke thënë se 8 mijë ushtarët malazezë të vrarë në luftë u flijuan për shqiptarët.
Mitropoliti malazez nuk nguroi teksa shkoi edhe më tej, duke thënë se shkodranët janë të afërmit e malazezëve, ndërsa përmendi edhe Krajl Nikollën. Sipas Radoviç, vetëm otomanët dhe austro-hungarezët ishin okupatorë,ndërsa Mali Zi desh të mbronte shkodranët, duke tentuar kështu t’i bëjë manipulim të pastër historisë, sepse malazezët nuk bënë gjë tjetër veçse edhe ata pushtuan Shqipërinë duke tentuar të marrin Shkodrën brenda kufijve të tyre.

MITROPOLITI MALAZEZ1
“Njerëz të vërtetë janë ata që e bëjnë veten fli për të afërmit e tyre, edhe Krishti ka bërë fli veten për të gjithë njerëzimin. Këtu kanë qenë edhe varrezat e 8 mijë ushtarëve malazezë, që kanë lënë jetën këtu në fillimin e shekullit XX. Kanë dhënë jetën e tyre për çlirimin e Shkodrës nga pushtimi otoman dhe kanë dhënë jetën për lidhjet e popullit shqiptar me atë malazez. Ata janë flijuar për të afërmit e tyre dhe në atë kohë kur dhanë jetën e tyre është formuar Shqipëria, në vitin 1912.
Jemi lutur dhe do lutemi edhe për ata 400 martirë që kanë ardhur shekullin e kaluar nga Amerika për të liruar këtë vend dhe kanë ardhur me thirrjen e Krajl Nikollës jo vetëm për të çliruar Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë, por edhe të gjitha vendet e tjera nga okupatori austro-hungarez. T’i kujtojmë edhe ata sepse është një fjalë e urtë popullore që thotë se, populli që harron martirët e vet, harron edhe të ardhmen e vet. Mes tyre ka pasur edhe amerikanë që kanë dhënë jetën për lirinë e Ballkanit dhe popujve të pushtuar. Të përmendim fjalët e Krishtit se nuk ka njeri më të madh se atë që bëjnë fli veten për të afërmit e vet”, deklaroi Amfilohije Radoviç. Sipas metropolitit Amfilohije, Shkodra është e lidhur me Kishën Ortodokse.
“Ne tani gjendemi në një qytet të vjetër që është Shkodra. Është një qytet që ka dëgjuar Ungjillin që në shekullin e katërt, ndoshta edhe më përpara. Këtu ka qenë një peshkop, i cili ka dhënë njerëz që kanë rënë fli për këtë popull. Janë martirët Asti dhe Lefteri. Ky vend është i larë me gjakun e martirëve edhe më përpara edhe sot. Të përmendim një martir të madh të shekullit 17-18-të, që është Shën Kozmai, të cilin e ka varur Pashai i Janinës sepse ka qenë i krishterë dhe ka folur për Ungjillin. Kisha këtu në Shqipëri ka dhënë shumë martirë që kanë rënë fli. Kjo kishë ku jemi ka vuajtur edhe më përpara në shekujt e hershëm, por edhe në kohët e sotshme. Është i vetmi vend që në komunizëm është ndaluar komplet feja, kështu që edhe kisha ortodokse në Shqipëri ka qenë e ndaluar dhe e kryqëzuar.
Priftërinjtë ortodoksë kanë qenë të dënuar, ndërsa edhe këtu në Shkodër kisha ka vuajtur shumë. Një prift ortodoks është hedhur në gropë të gëlqeres. Shkodra është e lidhur edhe me historinë e kishës sonë, ndërsa kishat ortodokse janë shkatërruar thuajse të gjitha në Shqipëri”, tha Radovviç. Mitropoliti i Malit të Zi kremtoi një meshë në përkujtim të meshës së parë para 25 vitesh në kishën e Shën Trinisë në Vrakë të Malësisë së Madhe, ndërsa të gjitha deklaratat i bëri përpara besimtarëve shqiptarë, duke mos pasur asnjë lloj reagimi, edhe pse një pjesë ishin fyese dhe kërcënuese për shqiptarët.
KUSH ËSHTË AMFILOHIJE RADOVIÇ

Mitropoliti i Malit të Zi njihet për veprimtarinë e tij antishqiptare teksa më përpara, në vitin 2006, në kishën e Rumijes në Krajë (fshat shqiptar në Malin e Zi) ka bekuar ushtarët dhe kriminelët serbë, të cilët kanë vrarë dhe kanë dhunuar viktimat e pafajshme në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.