Gjirokastra

Gjirokastra

126
SHPËRNDAJE

Gjirokastra që i vjen rrotull kështjellës së vet siç i sillet dhe historisë së tij shumëshekullore, të magjeps me mprehtësinë e ngrohtë dhe me mpleksjen monumentale të kulturave, zakoneve dhe vlerave natyrore, ku ata që e kanë lënë një herë, siç thotë Ismail Kadare, “rikthehen për të njohur më mirë vetveten”.

Gjirokastra është qyteti i rrugëve vertikale me njerëz që pajtohen   të ecin në një kënd të caktuar me to, të panjohur për vizitorët që magjepsen   nga harmonia   e gurit me frymorët; qyteti i pleqve që ruajnë mrekullisht ekuilibrin jetësor deri te vajzat e reja majë takave të mësuara tashmë me kalldrëmet; i kopshteve të fshehura pas mureve e që nxjerrin krye mbi çatitë të cilat duken sikur fshehin rrënjët e bahçes më sipër.

Unë e dua atë qytet ku gjej rrënjët e bahçes time, por kaq nuk mjafton për ta thënë sa duhet dashurinë për qytetin. Pas librit tëIsmail Kadaresë që përkthen Gjirokastrën në nivelin më të lartë të fjalës, më mbetet vetëm ta citoj dhe t’ju ftoj në Festivalin Folklorik Kombëtar 2015.

…Ky ishte një qytet i pjerrët, ndoshta më i pjerrëti në botë, që i kishte thyer të   gjitha   ligjet e arkitekturës dhe të urbanistikës.

Nga shkaku i pjerrësisë   së madhe ndodhte që në nivelin e çatisë së njërës shtëpi gjendeshin themelet e tjetrës, dhe me siguri ky ishte i vetmi vend në botë ku njeriu, po të rrëzohej në anë të rrugës, në vend që të binte në hendek, mund të binte mbi çatinë e ndonjë shtëpie të lartë. Këtë gjë më mirë se kushdo e dinin pijanecët.

Ishte me të vërtetë një qytet shumë i çuditshëm. Ti mund të ecje rrugës dhe po të doje, mund të zgjatje pak krahun dhe ta vije kapelen tënde mbi majën e një minareje. Shumë gjëra këtu ishin të pabesueshme dhe shumë gjëra ishin si në ëndrra.

Nga pikëpamja kulturore dhe turistike, Gjirokastra është një nga qytetet më të rëndësishme në Shqipërinë e Jugut.

Ajo shtrihet në këmbët e Malit të Gjerë, në luginën e lumit Drino, në një pozicion sundues e pamje magjepsëse. Gjirokastra është personifikimi i një qyteti të hershëm unike arkitekturore, me të cilën është ndërtuar qendra historike e qytetit, me banesa me mure e çati të gurta, me kalldrëme të rralla e porta mahnitëse, me një kështjellë madhështore, më e madhja në vend dhe nga më të rëndësishmet në rajon.

Për herë të parë, emri i Gjirokastrës përmendet   në shekullin XIII. Fillimet e qytetit mendohet të jenë pikërisht në këtë shekull, pas rënies së Hadrianopolit.

Historia e qytetit është e lidhur ngushtë me kështjellën që dominon qytetin.

Kështjella e Gjirokastrës përmendet   për herë të parë si “qytet dhe kështjellë” në vitin 1336. Në ato vite, ajo ishte qendra e feudalëve shqiptarë të Zenevisë.

Më   tej,   gjatë   sundimit   të   Gjin   Bue Shpatës,   ajo u përfshi në Despotatin e Epirit. Megjithatë, historianë të ndryshëm mendojnë se ekzistenca e saj është më e hershme. Sipas tyre, kështjella ka pasur dy faza ndërtimi, të cilat lidhen me periudhën para dhe pas Pashallëkut të Janinës dhe fortesave të Ali Pashë Tepelenës. Nga kështjella     mesjetare,     para     pushtimit të Ali Pashës,   ruhen pak gjurmë. Pjesa e dukshme e mureve dominohet nga ndërtimet e reja. Për sa u përket kullave, në pjesën më të madhe janë rrënuar .

Ajo kishte dy porta hekuri me nga tri palë dyer dhe një hendek 100 hapa të gjatë dhe 200 hapa të gjerë midis namasgjasë

Rindërtimi i sarajeve dhe disa anekseve u kryen me ngut dhe u përfunduan brenda një viti e gjysmë. Përveç barakave për vendosjen e një garnizoni prej 5 mijë ushtarësh, kështjella kishte magazina të shumta nëntokësore, që ishin llogaritur për sigurimin e municioneve dhe ushqimeve .

Gjirokastra shquhet për vlerat arkitekturale të ndërtimit të shtëpive me gur, çative me dërrasë dhe kalldrëmeve.

Në Gjirokastër mund të vizitoni qendrën historike, pazarin unikal me objektet dhe kalldrëmet e tij karakteristike, kështjellën hijerëndë dhe madhështore, ku veç Muzeut të Armëve, mund të kundroni atë vetë dhe pamjet e mrekullueshme të qytetit të gurtë të ofruara nga lart.

Më tej mund të eksploroni luginën e Drinos me sitet arkeologjike të rëndësishme, si Antigonea, rreth 14 km nga Gjirokastra, siti romak i Hadrianopolit në afërsi të fshatit Sofratike, kishat paleokristiane të Labovës dhe   Peshkëpisë,   kalanë   e   Libohovës e shumë e shumë objekte të rralla, si manastire, kisha e teqe bektashiane, me sfond natyrën e mrekullueshme dhe unikale që ofron Çajupi, Lunxhëria, Bureto, Mali i Gjerë e që të lënë mbresa të pashlyeshme.

Antigonenë e ëndrrës së Pirros së Epirit, drejt Libohovës plot ujë, pemë dhe histori; më tej në Melanin e “paqes me perënditë”, për të vazhduar mes dhjetëra mundësive dhe atraksioneve   që ofron kjo pjesë e vendit.

Gjirokastra e festivaleve.

Gjirokastra   është   gjithashtu   qyteti   i Festivaleve Folklorike Kombëtare prej vitit 1968.

Në kështjellë   mblidhen   çdo   katër   vjet grupe shqiptare popullore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, arbëreshët e   Italisë   dhe   diaspora,   duke zgjeruar

Qyteti i gurtë, Gjirokastra, do të mirëpresë në fillim të prillit artistë   popullorë nga të gjitha qarqet e vendit në festën më të madhe të folkut shqiptar, një festival që do të përcjellë vlerat më të bukura e të larmishme të trashëgimisë shpirtërore, etno-muzikore, etnografike, veshur me kostumet e mrekullueshme popullore shqiptare   nga të gjitha zonat e trevat, këtej e andej kufiri, shoqëruar   nga ritet e veçanta që artisti populli ka krijuar e ruajtur   në kohë.

Në këtë festë të shpirtit shqiptar kanë spikatur gjithmonë formacione muzikore popullore, këngëtarë, instrumentistë e valltarë popullorë, të cilët me veprimtarinë e tyre ndër vite janë kthyer në model për shumë breza   të muzikantëve popullorë. Ata kanë lënë gjurmë të thellë dhe nuk e teprojmë të themi se janë tashmë ikona të trashëgimisë tonë shpirtërore.

Veçojmë këtu, në enciklopedinë e festivaleve folklorike kombëtare, grupet polifonike labe të Vlorës, Gjirokastrës, ritualin e ditës së verës në Elbasan, kabatë e famshme të Çobanit, Laverit, Lulushit të Korçës, Dervish Shaqen, grupin kosovar të Rrashbullit, grupin çam të Rrogozhinës, orkestrinën e Zef Grudës – Kukës, orkestrinën simfonike të çiftelive dhe sharkive të Ndue Shytit – Pukë, orkestrinën e Matit dhe shumë e shumë të tjerë, këngëtarë dhe rapsodë, instrumentistë, valltarë, interpretues etj.

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.