Ekspertet: Jo ekonomisë së hashashit, të ndalet sa më parë

Ekspertet: Jo ekonomisë së hashashit, të ndalet sa më parë

85
SHPËRNDAJE

Ekspertët më të njohur të ekonomisë bien dakord njëzëri se masivizimi i kultivimit të hashashit do të ketë pasoja tepër negative për vendin, duke filluar nga largimi i vëmendjes nga bujqësia, efekteve sociale, shtrembërimin që po i bën tregut të punës e deri në fuqizimin e ekonomisë kriminale.

Ata nuk ngurrojnë të heqin një paralele mes asaj që ndodhi me Shqipërinë me piramidat në vitin 1997, ndërsa shtojnë se shembuj nga bota, ku më tipikja është Kolumbia, kanë dështuar të tregojnë se orientimi i ekonomisë nga kultivimi i produkteve nartotike ka sjellë rritje të mirëqenies së vendit.

Ekspertët bëjnë thirrje që kjo dukuri të marrë fund sa më shpejt, përndryshe pasojat do të jenë të mëdha.
“Në këndvështrimin afatgjatë, problemet bëhen më të rënda” thotë prof. Arben Malaj, rektor i Universitetit Luarasi, ish ministër i financave dhe një njohës mjaft i mirë i ekonomisë. “Është hera e dytë pas 1997-s që shqiptarët investojnë masivisht në biznese kriminale, të cilat prodhojnë të ardhura të përkohshme, por me kosto të rënda sociale afatmesme dhe afatgjata. Pas pak viteve, kur të kthejmë kokën pas, investimi i parave dhe fuqisë punëtore në këtë aktivitet do të rezultojë një investim varfërues dhe me shumë viktima”, thotë Malaj.
Prof. Dr Ardian Civici thotë se nuk mund të mendohet se e ardhmja e hapësirave rurale shqiptare do të jetë hashashi, sado “eficient” të jetë ai në këto momente. “Përvoja të ngjashme në vende të tjera të botës, sidomos në Azi dhe Amerikën Latine, dëshmojnë më së miri rreziqet dhe problemet e rënda ekonomike e sociale që prodhon një zgjedhje e tillë, një tendencë mjaft e vështirë të eliminohet apo të zhduket pa përpjekje e ndërhyrje drastike”, pohon Civici.
Për prof.Selami Xhepën, Zv/Rektor për Shkencën dhe Metodologjinë në Universitetin Europian të Tiranës, kjo që po ndodh nuk duhet parë ngushtësisht në planin ekonomik, pasi implikimet e këtij fenomeni janë të njëjta me pasojat e ekonomisë kriminale; ato rrezikojnë të sotmen dhe të ardhmen e vendit. “Nuk ka ndonjë rast në histori që grupe sociale, siç janë fermerët, të jenë pasuruar duke kultivuar lëndë të tilla; janë pasuruar individë, grupe dhe organizata kriminale të cilat kanë kërcënuar demokracinë, shtetin ligjor dhe kanë mbajtur kombet në varfëri”, thotë Xhepa.
Në të njëjtën linjë është dhe Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike. “Për shkak të mënyrës se si funksionon tregu kriminal i kultivimit të kanabis sativa, një numër i kufizuar individësh me pushtet ose anash tij (pushtetit) grumbullojnë në duart e tyre të ardhura kriminale të konsiderueshme e për rrjedhojë injektimi në ekonomi i një pjese të këtyre parave deformon me shpejtësi edhe tregjet e tjera”, thotë Preçi.
Ekspertët e bujqësisë parashikojnë ndikim tepër negativ në këtë sektor. “Askush, asnjë komb nuk ka përparuar nëse nuk ka zhvilluar bujqësinë”, thotë PhD Rexhep Uka, njëkohësisht sipërmarrës në sektorin e agro-turizmit. “Ata që përmendët si mbështetës të hyrjes së valutës në Shqipëri nga droga, pavarësisht se u intereson ideja ose jo, e dinë fare mirë, po aq sa edhe ne, se ajo është e përkohshme dhe se shpërndarja e tyre bëhet nëpër kanale të zeza dhe nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm. Ata që merren me këtë biznes nuk kanë asnjë lidhje me bujqësinë, madje kjo quhet “industri”, që merr këtë trajtë në kushtet kur është e paligjshme”, thotë Uka.
Për Ismail Bekën, ekspert i njohur në bujqësi, një element i rëndësishëm që ka ndikuar në këtë dukuri është është mungesa e vëmendjes për zonat malore, varfëria e zgjatur e popullsisë vendase dhe mungesa e mbështetjes për aktivitetet ekonomike. “Deri tani mbështetja e politikave bujqesore është përqendruar në bujqësinë e orientuar për treg në zonat e ulëta dhe nuk ka akoma masa mbështetëse në zërin e zhvillimit rural për zonat malore”, thotë Beka. /Monitor/

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.