Doreza e Ramës për Greqinë, po bie në fytyrën e shqiptarëve

Doreza e Ramës për Greqinë, po bie në fytyrën e shqiptarëve

131
SHPËRNDAJE

Ndoshta Rama po përjeton kthim në rininë e hershme, kur ka qenë në Greqi dhe mbase ka menduar si shumëkush nga ne: Po këta ç’kanë që janë më të pasur? Nuk janë as më të zotë, as më të mençur. Ndoshta Rama ndihet më i sigurt dhe i plotësuar matematikisht, pas aleancës me Idrizin. Por, nëse është kështu, asgjë nga këto nuk është e mjaftueshme për t’u hedhur dorezën grekëve. Me Idrizin mund t’i bëjë karshillëk Metës, por jo Ciprasit.
Nga Rudina Xhunga
Njoh një grua që ka qenë mësuese në Tiranë. Prej vitesh jeton në Greqi dhe pastron shtëpi. Tani që është moshuar, pastron shkallët e pallateve.
Herë herës, merr në telefon djalin dhe i thotë që komshia po i vjedh shtëpinë. Hyn fshehurazi dhe i merr vajin e djathin që ajo ka ruajtur për t’ua sjellë mbesave. Djali niset nga Tirana, shkon ta takojë dhe e siguron që komshia nuk ka nga hyn.
Gruaja ka shenjat e para të demencës, por ajo nuk do t’ia dijë të vizitohet. I vetmi shqetësim i saj, veç komshijes greke, është pensioni.
Megjithë lutjet e djalit, do të rrijë edhe tre muaj, pasi vetëm atëherë, plotëson kohën për pension dhe kur ta marrë, mund të vijë në Tiranë të kurohet, blejë ilaçet dhe mbyllë vitet e pleqërisë, me pensionin e një copë jete si pastruese në Greqi, që nuk ka të krahasuar me vitet e saj si mësuese në Shqipëri.
Tani ajo është trembur dhe pyet djalin, nëse do të ketë sherr mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe ajo do të mbetet pa pension.
Njoh edhe një vajzë që u martua 18 vjeç në Greqi. Lindi një djalë dhe pasi u nda nga i shoqi, iku nga Athina dhe e la djalin të jetonte atje, me të atin.
Në Tiranë punon si manikyriste. Mendjen e ka te i biri, por nuk do ta heqë nga shkolla, as nga mundësitë që i jep Athina dhe jo dot Tirana. Çdo ditë, kur është ora që djalit i mbaron mësimi, ajo e telefonon, të dijë a ka shkuar në shtëpi, apo është rrugëve. Dhe kështu pasdite, kështu në darkë, kështu në mëngjes, sepse nëna e djalit adoleshent punon në Tiranë, por jeton me orën e Greqisë. Dhe këto ditë ka frikë. Frikë mos nis sherri me Greqinë dhe i kthejnë djalin. Ku ta çoj, thotë. Ku?
Njoh shumë njerëz që kanë ikur nga Greqia, pasi humbën punën dhe presin me sytë andej, mos rregullohet gjendja, e kthehen sërish të punojnë.
Njoh të tjerë që shkojnë çdo verë dhe pushojnë në shtëpitë e grekëve. Njoh të tjerë që janë martuar me grekë. Të tjerë që kanë fëmijët e burrat në burgjet greke. Nuk njoh askënd që ndan jetën me Greqinë, të jetë ndjerë më krenar për kombësinë, pas deklaratave të Ramës dhe shpërthimit të sherreve patriotike shqiptaro-greke.
Shqiptarët duan të jetojnë, jo të gjithë duan të shesin mend në Facebook.
Ndaj duket komplet pa lidhje kjo zhurmnajë: Himara është jona, Greqinë e kemi bërë ne.
E vetmja mënyrë të bashkëjetosh me një fqinj, është të mos ndezësh sherre, por të pranosh kompleksitetin e një lidhjeje. E një lidhjeje të nevojshme, jetike dhe të mundshme.
Ndoshta Rama po përjeton kthim në rininë e hershme, kur ka qenë në Greqi dhe mbase ka menduar si shumëkush nga ne: Po këta ç’kanë që janë më të pasur? Nuk janë as më të zotë, as më të mençur.
Ndoshta Rama ndihet më i sigurt dhe i plotësuar matematikisht, pas aleancës me Idrizin.
Por, nëse është kështu, asgjë nga këto nuk është e mjaftueshme për t’u hedhur dorezën grekëve.
Me Idrizin mund t’i bëjë karshillëk Metës, por jo Ciprasit.
Dhe kujtimet e rinisë, nuk të ndihmojnë të zgjidhësh hallet e qeverisjes.
Shqiptarët kanë nevojë për grekët dhe grekët për shqiptarët, si dy fqinj. Të barabartë , apo jo, këtë e përcakton mënyra si komunikon.
Sepse një i barabartë, nuk ka nevojë të të tregojë sa i barabartë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.