Cfarë do të përfitojnë banorët e Zharrëzes. Ja kur do u jepen...

Cfarë do të përfitojnë banorët e Zharrëzes. Ja kur do u jepen paratë

133
SHPËRNDAJE

Është zbardhur vendimi i plotë i qeverisë për të dëmshpërblyer banorët e Zharrëzit, të cilët sot i dhanë fund protestës së tyre para Ministrisë së Energjitikës.
Në vendimin e bërë publik thuhet se banorët që u janë shkatërruar shtëpitë do dëmshpërblehen sipas çmimeve të ndërtimit në Fier, ndërsa të tjerëve do të u kompensohen dëmet.
Këto para mësohet se do të shpërndahen brenda 30 ditësh nga përfundimi i inspektimeve nga grupet punës.
Ja vendimi i plotë:
MARRJEN E MASAVE PËR EVIDENTIMIN DHE VLERËSIMIN E DËMEVE TË SHKAKTUARA NGA LËKUNDJET E TOKËS NË NJËSITË ADMINISTRATIVE ZHARRËZ, PATOS (FSHATI DUKAS), BASHKIA PATOS, DHE KUMAN, BASHKIA ROSKOVEC
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.8756, datë 26.3.2001, “Për emergjencat civile”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, ministrit të Energjisë dhe Industrisë dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave 
VENDOSI:
1. Ngritjen e grupeve ndërinstitucionale të punës, në vijim GNP, brenda 5 ditëve nga miratimi i këtij vendimi, për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara si pasojë e lëkundjeve të tokës në Njësinë Administrative Zharrëz, Bashkia Patos, në fshatin Dukas, Njësia Administrative Patos, Bashkia Patos, dhe në Njësinë Administrative Kuman, Bashkia Roskovec, të përbërë me përfaqësues nga:
a) Enti Kombëtar i Banesave;
b) ALUIZNI;
c) përkatësisht, bashkitë Patos dhe Roskovec.
2. Grupet ndërinstitucionale të punës drejtohen nga përfaqësues të Entit Kombëtar të Banesave, të cilët koordinojnë gjithë procesin e vlerësimit e të përpunimit elektronik të dokumentacionit.
3. Vlerësimi i dëmeve kryhet, si më poshtë vijon:
a) Për banesat e shkatërruara plotësisht, sipas kostos mesatare të ndërtimit të banesave në Qarkun Fier, miratuar me udhëzimin nr.4, datë 30.9.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave, për vitin 2015”.
b) Për kategoritë e tjera të dëmeve në banesa, llogaritja do të bëhet sipas zërave të punimeve të ndërtimit, miratuar për Qarkun Fier, për vitin 2016, të Entit Kombëtar të Banesave.
4. Brenda 30 ditëve, nga ngritja e tyre, GNP-të përgatisin listën përfundimtare emërore të kryefamiljarëve me banesa të shkatërruara plotësisht apo me dëmtime të rënda, shoqëruar me vlerën e dëmit përkatës. Masa e ndihmës financiare do të jetë 100 për qind e vlerës së dëmit të shkaktuar, e cila paguhet menjëherë, bazuar në listat përfundimtare dhe vlerësimin e paraqitur nga GNP-të.
5. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i shtetit, sipas përcaktimeve të vendimit nr.329, datë 16.5.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së ndihmës shtetërore financiare për mbulimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësi natyrore ose fatkeqësi të tjera të shkaktuara nga veprimtaria njerëzore”, dhe i angazhimit të kompanisë Bankers Petroleum Albanian (BPAL), sipas marrëveshjes hidrokarbure me ministrinë e linjës.
6. Për kategoritë e tjera të dëmtimeve në banesa, afati i vlerësimit nga GNP-të është 4 muaj, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
7. Listat emërore përfundimtare të kryefamiljarëve, me vlerat përkatëse të dëmeve, sipas pikave 4 e 6, të këtij vendimi, konfirmohen nga Enti Kombëtar i Banesave dhe dërgohen pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.
8. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Urban, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, institucioni i Prefektit të Qarkut Fier si dhe bashkitë përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.