Albpetrol prish kontratën me izraelitët

Albpetrol prish kontratën me izraelitët

83
SHPËRNDAJE

Albpetrol sh.a, ka nisur këto ditë procedurën për prishjen e marrëveshjes hidrokarbure me Emanuelle Adriatic Energy Ltd, një kompani izraelite, e cila ka të drejtën e kërkimit për naftë në tre blloqe në detin Adriatik. Shkaku i prishjes së marrëveshjes me kompaninë e regjistruar në ofshore Qipro është moskryerja e asnjë veprimi apo investimi në tre vitet e fundit, sipas burimeve nga Albpetrol.
Në dy muajt e fundit janë hequr 6 licenca, ndërkohë që ka nisur procedura për verifikimin e situatës në pesë blloqet e gazit natyror: Panaja, Frakull, Povelçë, Divjakë, Ballaj-Kryevidh…
Albpetrol sh.a dhe Ministra e Energjisë dhe Industrisë po shqyrtojnë me themel situatën e zonave naftëmbajtëse shqiptare. Në janar të këtij viti Albpetrol i hoqi shoqërisë TransAtlantic dy blloqet e naftës Gorisht-Kocul dhe Cakran Mollaj; në mars i hoqi kompanisë Phoenix Petroleum bllokun e naftës në Amonicë ndërsa tani po hiqen tre blloqet ofshore të Emanuelle Adriatic duke bërë që në total, në tre muajt e fundit, janë hequr 6 blloqe nafte nga kompanitë koncesionare.
Kompania Emanuelle Adriatic Energy Ltd ka marrë licencën për bllokun e parë kërkimor në 6 qershor të vitit 2012. Vitet në vijim ka zgjeruar aktivitetin edhe me dy blloqe të tjerë, të cilët njihen si Adriatiku 1, 2 dhe 3. Emanuelle është regjistruar në Qipro dhe zyrtarisht është në pronësi të një kompanie izraelite “Israel Land Development Company”. Në total kjo kompani menaxhon një sipërfaqje prej 5.070 milje katror në detin Adriatik. Në momentin e firmosje së kontratës Emanuelle deklaroi se kishte në plan të investonte rreth 730 milionë dollarë për kërkimin e naftës në detin Adriatik. Kjo deklaratë u shoqërua me një rritje të vlerës së aksioneve të kompanisë në bursat botërore. Por në realitet, përveç kësaj deklarate, veprimet konkrete të kompanisë për kërkimin e naftës kanë qenë pothuajse zero.
Të kontaktuar nga Monitor, burimet të Albpetrol dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë thanë se prishja e marrëveshjes do të jetë e shpejtë dhe mund të mbyllet brenda dy javëve. Kjo pasi kompania nuk ka kryer aktivitet në Adriatik. Ndërkohë të njëjtat burime saktësuan se tashmë ka nisur procedura për verifikimin e situatës në pesë blloqet e gazit natyror: Panaja, Frakull, Povelçë, Divjakë, Ballaj-Kryevidh. Nga verifikimet paraprake rezulton se të pestë këto vendburime nuk kanë prodhuar asnjë metër kub gaz dhe për pasojë pritet që marrëveshjet respektive të rishikohen.
Në rast se në këto vendburimet nuk do të fillojnë të kryhen investimet e parashikuara dhe të nisë prodhimi i gazit natyror, edhe këto marrëveshje do të përfundojnë, sqarojnë burimet zyrtare.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.