Shkarkimi i Çuçit dhe emërimi i Ballës, Rama pritet të shkojë sot...

Shkarkimi i Çuçit dhe emërimi i Ballës, Rama pritet të shkojë sot në Presidencë

13
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama pritet të shkojë mëngjesin e kësaj të hëne në Presidencë ku do t’i dorëzojë personalisht kreut të shtetit Bajram Begaj propozimet për ndryshimin më të fundit në qeveri.

Dy ditë më parë, ishte vetë kryeministri Rama ai që njoftoi përmes rrjeteve sociale shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi dhe zëvendësimin e tij me Taulant Ballën.

Shkarkimi i ministrit Çuçi erdhi disa ditë pas ngjarjes së rëndë në Krujë, ku persona të afërt me deputetin Rrahman Rrahja dhunuan mizorisht dy kushërinjtë Maja në lidhje me një denoncim që ata kishin bërë për dëmet që iu ishin shkaktuar në shtëpi nga një gurore.

Për këtë ngjarje, dorëzoi mandatin dhe vetë deputeti Rrahja, i cili pritet të zëvendësohet në Kuvend nga Arkend Balla.

Sipas Kushtetutës, përgjigjja nga presidenca kthehet brenda 7 ditësh, ndërsa më pas i mbetet parlamentit të shqyrtoj dekretin brenda 10 ditësh.

Ky emërim i Taulant Ballës, shkakton një sërë ndryshimesh të tjera në pozicionet si kryetar i grupit të PS në Kuvend, kryetar i delegacionit të parlamentit të Shqipërisë në PE, si dhe zëvendës Kryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit.

Vetë Balla ka zgjedhur që të mos bëjë asnjë reagim në lidhje me emërimin e tij, duke pritur me shumë gjasë zyrtarizimin, ndërkohë që opozita e ka kundërshtuar këtë lëvizje, me pretendimin se deputeti socialist nuk i përshtatet roli të Ministrit të Brendshëm, duke qenë se është akuzuar në disa raste prej tyre për lidhje me bandat në qytetin e Elbasanit.

Megjithatë duket se Balla, pas afro 18 vitesh në karrigen e deputetit, tashmë do të drejtojë një prej ministrive më të rëndësishme në vend, atë të brendshme, me fokus kryesor padyshim punën e policisë së shtetit, dhe çështjet e rendit.

S'KA KOMENTE