Pas akuzave të dhënë nga kryeministri Edi Rama se shefa komsariatesh në Tiranë kanë favorizuar ndërtimet pa leje, Agjensia e Mbikqyrjes Policore ka nisur verifikimet.
Burime zyrtare konfirmojnë për ABC se kjo agjenci ka nisur verifikimet për të 6 komisariatet në kryeqytet, duke kërkuar informacione për ndërtimet e bëra në Unazën e Vogël dhe të Madhe. AMP ka indicië se punonjës policie nuk kanë bërë detyrën për kontrollin e territorit që mbulojnë.
Gjithçka ka nisur një muaj më parë kur Agjensia e Mbikqyrjes Policore referoi në prokurorinë e Tiranë materialet dhe fotografimet e kryera gjatë dy viteve të fundit, ku u konstatuan shtesa të kateve në tre objekte dhe ndërtime pa leje në zonat që mbulohet nga komisariati numër 1. Por prokurori Bajram Breçani vendosi mosfillim të hetimeve me argumentin se nuk u konstatuan shkelje.
Por, AMP i kërkoi që vendimi i plotë i prokurorit Breçani t’i vihej në dispozicion dhe do ta apelojë atë. Ky prokuror para pak ditësh u shkarkua nga Vetingu për mosjustifikim të pasurisë. Agjencia në referim, kërkoi hetim të thelluar për shefin dhe ish shefat e komisariatit numër 1 gjatë dy viteve të fundit, specialistët e zonave ku u konstatuan tre objektet pa leje, si dhe për Zyrtarë të IMT-së së Bashkisë së Tiranës.