Rritja e çmimeve do të thellojë varfërinë

Rritja e çmimeve do të thellojë varfërinë

36
SHPËRNDAJE
Young man sitting looking upset

Mungesa e dhënies së subvencioneve nga qeveria për të mbrojtur konsumatorin nga rritja e çmimeve, por edhe mbështetja e ulët që u dha në pandemi, sipas ekspertit të ekonomisë, Sherefedin Shehu, do të thellojë varfërinë dhe pabarazinë.

“Pabarazia është e dukshme që tani, sepse të varfrit me të ardhurat e tyre mund të blejnë më pak produkte ushqimore. Mbrojtja e qeverisë për shtresat në nevojë nga rritja e çmimeve është simbolike. Subvencionet e dhëna nuk arrijnë të mbulojnë as rritjen e çmimit të bukës.

Ndërkohë sipas raportit të Bankës Botërore, 40% e popullsisë jetojnë me të ardhura 5 dollarë për frymë. Në raportin e FMN-së të publikuar në dhjetor 2021 niveli i varfërisë 31% ishte më i larti në rajon. Në vendet si Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi, të varfrit përbënin 16 deri në 21%. Efekti i rritjes së çmimeve do të krijojë varfëri ekstreme”.

Sherefedin Shehu thekson se varfëria nga rritja e çmimeve do të jetë vazhdë e varfërisë që krijoi pandemia, për shkak të mbështetjes së ulët që u dha nga qeveria. “Në raportin e FMN-së theksohet se mbështetja e qeverisë me subvencione në periudhën e pandemisë 2020-2021 ishte më e ulëta në rajon, duke zënë 1,2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë për shtete si Mali i Zi, mbështetja e qeverisë zinte 8,3% të PBB-së.

Prandaj theksoj se thellimi i varfërisë në efektin e rritjes së çmimeve është në vazhdën e varfërisë që krijoi pandemia. Edhe për atë mbështetje që u dha rriti borxhin deri 10%. Borxhi publik për vitin 2021 arriti në nivelin e 83% referuar raportit të FMN-së.

Në 2020, sipas FMN-së, niveli i borxhit publik ishte 77% të PBB-së. Më tej shënoi rritje në nivelet 78 dhe 79% për të arritur në 83%. Në këtë nivel nuk përfshihet borxhi i fshehur, që nga detyrimet e qeverisjes vendore, borxhi i bizneseve ndaj tatimeve edhe borxhi galopant i OSHEE dhe ujësjellësve një flluskë e madhe që pritet të pëlcasë.

Me taksat e tyre qytetarët po paguajnë rritjen e borxhit dhe nuk ka asnjë hapësirë për rishikime fiskale ndaj tyre”, thekson Shehu.

Sipas tij, i vetmi instrument që qeveria ka në dorë për të ndaluar rritjen e çmimeve janë programet buxhetore. “Kërkesat për uljen e taksave janë politike dhe nuk garantojnë uljen e çmimeve për produktet. Edhe kontrolli i çmimeve nëpërmjet bordit tregoi që nuk funksionon, madje nuk po ul çmimet, por po i rrit ato.

Qeveria për rritjen e çmimeve duhet të ndërhyjë vetëm me programet buxhetore ku investimet të shkurtohen apo shtyhen në kohë. Ndërsa të ardhurat e shtuara nga rritja e çmimeve të përdoren për dhënia subvencionimesh për konsumatorin. Vetëm këto janë mekanizmat që nuk do të lejonin thellimin e varfërisë”.

S'KA KOMENTE