UNDP në bashkëpunim me Qeverinë kanë përgatitur një dokument të ri për vlerësimin e rreziqeve nga fatkeqësitë madhore në Shqipëri, i cili ngjit në vend të parë të listës rrezikun teknologjik.
Rreziqet teknologjike përfshijnë sistemet e transportit (tokë, det, ajër), një gamë të gjerë materialesh të rrezikshme (kimike, radiologjike, bërthamore, biologjike etj.) që mund të shkaktojnë aksidente në objektet industriale, rreziqet që lidhen me TIK-un duke pasur parasysh varësinë tonë të madhe nga teknologjitë e informacionit dhe komunikimit në sektorë jetikë për ekzistencën tonë (banka, energji, shëndetësi, transport etj.) duke e bërë sigurinë kibernetike prioritet në rritje.
Ndryshe nga rreziqet e tjera të prioritizuara me Strategjinë, rreziqet tekniko-teknologjike nuk kanë origjinë natyrore. Një aspekt tjetër i rreziqeve tekniko-teknologjike është lidhja e tyre me strukturat sociale dhe ndikimi i tyre në mjedis. Thënë kjo, pajisjet dhe sistemet tekniko-teknologjike mund të rrisin ose zvogëlojnë cenueshmëritë tona si shoqëri dhe u hapin derën efekteve kaskadë të fatkeqësive.
Risku më i lartë nga fatkeqësitë teknologjike është regjistruar në qarqet me potencial të lartë ekonomik, duke përfshirë në Durrës, Fier, Tiranë dhe Vlorë. Pjesa tjetër e vendit mund të konsiderohet me nivel mesatar të riskut teknologjik.
Sa për ekspozimin ndaj fatkeqësive të shumëfishta, qarqet më të ekspozuara ndaj fatkeqësive në vend përfshijnë Tiranën dhe Vlorën (risk i lartë), pasuar nga Durrësi, Elbasani, Fieri dhe Shkodra (risk mesatar në të lartë). Berati, Dibra, Korça dhe Kukësi (risk mesatar), si dhe Gjirokastra dhe Lezha (risk i ulët në mesatar) janë më pak të rrezikuara për sa i përket tetë rreziqeve kryesore.