Rinisin lëvizjen trenat grekë pas pezullimit prej 22 ditesh

Rinisin lëvizjen trenat grekë pas pezullimit prej 22 ditesh

103
SHPËRNDAJE

Pas një pezullimi të transportit hekurudhor prej 22 ditësh, për shkak të aksidentit më të madh të përplasjes së dy trenave me pasojë vdekjen e 57 pasagjerëve, Greqia ka filluar përsëri pjesërisht shërbimin e hekurudhave dhe trenat grekë rifilluan gradualisht funksionimin në disa prej linjave me masa të përforcuara sigurie.

Plani qeveritar parashikon rifillimin gradual të rrjetit hekurudhor, brenda 25 ditëve të ardhshme dhe  linjat do të shtohen çdo pesë ditë, në mënyrë që të ketë një zhvillim të plotë të itinerareve, para Pashkëve ortodokse në 16 prill.

 “Nga sot, turnet do të jenë të ndryshme. Do të ketë dy drejtues stacionesh në turn si dhe dy makinistë në çdo tren”, është shprehur përgjegjësi i stacionit Ioannis Kokkinakis.

Midis linjave që kanë filluar punë,  kryesisht janë disa itinerare në Athinë deri në Patra dhe disa në Peloponez. Gjithashtu 3 trena mallrash kanë lëvizur në aksin kryesor nga Selaniku në Idomeni, ndërsa janë anuluar për arsye sigurie disa linja të tjera.

Përveç turneve të përforcuara trenat do të lëvizin tani e tutje me shpejtësi më të ulët, 80 km/h për trenat periferikë dhe të mallrave dhe 100 km/h për trenat e pasagjerëve në seksionet hekurudhore  që nuk mbulohen nga sinjalizimi.

“Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur nga ana njerëzore për të rifituar besimin e pasagjerëve tanë. Duke pasur parasysh se hekurudha është mjeti i transportit më miqësor ndaj mjedisit , rifillimi i shpejtë dhe më i sigurt i saj meriton të gjithë mbështetjen tonë”, ka thënë CEO i operatorit hekurudhor Panagiotis Terezakis.

Pasagjerët e parë që kanë hipur në vagone kanë deklaruar se shpresojnë që pas ngjarjes tragjike në luginën e Tempit udhëtimi të jetë më i sigurt.

Aksidenti  ka shkaktuar zemërim publik dhe protesta masive për kushtet e këqija të sigurisë në operatorin hekurudhor , një kompani thuajse e rrënuar nga kriza financiare dhjetëvjeçare, neglizhenca, investimet e pamjaftueshme dhe mungesa e personelit dhe infrastrukturës së sinjalizimit.

Ndërkohë që hetimi për ngjarjen tragjike vazhdon dhe katër punonjës të hekurudhave, midis tyre edhe shefi i stacionit të Larisës , janë në paraburgim, janë përshkallëzuar edhe debatet politike midis partive opozitare dhe qeverisë, për shkaqet dhe përgjegjësinë politike të kësaj tragjedie.

S'KA KOMENTE