Rikonstruktohet Shkolla e Mesme Bujqësore në Fier, Balla: Do të jetë qendra...

Rikonstruktohet Shkolla e Mesme Bujqësore në Fier, Balla: Do të jetë qendra më e madhe e arsimit profesional të mesëm bujqësor në Shqipëri

508
SHPËRNDAJE

Rikonstruktohet Shkolla e Mesme Bujqësore në Fier, Balla: Do të jetë qendra më e madhe e arsimit profesional të mesëm bujqësor në Shqipëri

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit, Taulant Balla i shoqëruar nga Kryebashkiaku Armando Subashi dhe deputetët Antoneta Dhima e Baftjar Zeqo inspektoi punimet që po kryhen për rikonstruksionin e Shkolles së Mesme Bujqësore, konviktit, bazës arsimore dhe mjediseve sportive në Fier.

“Fillojmë vitin 2022 me një mesazh tepër konkret te kjo shkollë bujqësore, që nuk është një shkollë vetëm e bashkisë Fier. Kjo do të jetë qendra më e madhe e arsimit profesional të mesëm bujqësor në Shqipëri dhe investimi është një investim shumë i madh. Investimi synon që në një kohë të shkurtër të kryhet rikonstruksioni i plotë i konvikteve të shkollës”, tha Balla.

Sipas Ballës do të krijohet gjithë baza dhe ndërtimi i një ferme të plotë me të gjithë atë që përmban një fermë.

“Në pjesën e blegtorisë shkolla do të ketë stallë lopësh, një pulari dhe një njësi të përpunimit. Shkolla do të prodhojë prodhime bio që do të shiten dhe unë kam propozuar që çerdhet dhe kopshtet e Fierit të furnizohen nga prodhimet bio të kësaj shkolle”, shtoi Balla.

Ai gjithashtu shprehu bindjen se “kjo do të jetë një qendër multifunksionale”. “Shkolla do të ketë një konvikt me standardet më të mira. Qëllimi pas përfundimit të kësaj faze është të rikonstruktojmë edhe konviktin tjetër që të kemi kapacitete të plota për ta kthyer Fierin në kryeqytetin e arsimit profesional të mesëm me fokus bujqësinë”, theksoi Balla.

Ai shtoi gjithashtu gjatë fjalës së tij se do të forcohet partneriteti me dy shkolla bujqësore në Itali. “Shumë shpejt stafi i kësaj shkolle do të shkojë atje për të marrë eksperiencën më të mirë italiane për ta shndërruar shkollën e mesme bujqësore në qendër të madhe kombëtare. Po ashtu do të forcojmë bashkëpunimin me Institutin Bujqësor në Lushnjë dhe me Universitetin Bujqësor të Kamzës që profesorët e tij të vijnë të japin mësim dhe në shkollën e mesme bujqësore të Fierit. Myzeqeja është hambari bujqësor i Shqipërisë dhe objektivi i qeverisë Rama për ta përfunduar mandatin e tretë dhe për të nisur mandatin e katërt me 1 miliard dollarë eksporte e ka bazën këtu në Fier. Qarku i Fierit është prodhuesi më i madh i bujqësisë, ndaj çdo lloj investimi që ne bëjmë lidhet me atë që sot bujqësia vuan më shumë, mungojnë ekspertët. Ne do të ecim para edhe me përmirësimin e cilësisë së inputeve bujqësore”, tha Balla

S'KA KOMENTE