Reforma ne Drejtesi /Drafti që synon rritjen e tarifave gjyqësore në 2022

Reforma ne Drejtesi /Drafti që synon rritjen e tarifave gjyqësore në 2022

35
SHPËRNDAJE

Implementimi i Reformës në Drejtësi, ka sjellë jo vetëm reduktimin e numrit të gjyqtarëve, ku tashmë po diskutohet edhe për shkrirjen e disa gjykatave të Apeli, por gjatë kësaj kohe sistemi gjyqësor shqiptar, po rishikon dhe buxhetin financiar, pasi në vitin 2022 ka shumë gjasa, që të ndryshohen tarifat gjyqësore.

“Ora News”, ka siguruar një Projekt-Draft të hartuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili ka dalë në përfundimin se tarifat financiare që bëjnë fjalë për shërbimet në Gjykata, duhet të rriten.

Ky projekt-draft që ende nuk është miratuar zyrtarisht nga KLGJ, ka dalë si rezultat i një studimi financiar të kryer nga ekspertët Klement Greca, Donika Muneka, Drejtore e Buxhetit, Financës dhe Investimeve, Çiljeta Prifti, Shefe Sektori e buxhetit dhe Financës dhe Rozeta Ivanova (Ndoja), Juriste.

Studimi, është mbështetur dhe nga ekspertët e huaj, Rene vanVeen, Tedi Dobi, Blerta Ngucaj që i përkasin misionit EURALIUS dhe Erion Fejzulla i misionin USAID. Ndryshime të vlerës së tarifave do marrin të gjitha shërbimet gjyqësore që ofrohen në Gjykatën e Shkallës së Parë, atë të Apelit dhe në Gjykatën e Lartë.

Sipas projekt-draftit të gjitha shërbimet që sot ofrohen falas në gjykatat e vendit, pritet të tarifohen nga 50 lekë të reja deri në 2 500 lekë të reja. Drafti tarifon me 1 500 lekë të reja, çdo kërkesë të bërë nga palët për përjashtimin e gjyqtarit të çështjes.

Ndërsa kërkesa për shtyrjen e seancës gjyqësore nga palët e përfshira në proces në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Lartë, ka një vlerë financiare prej 25 mijë lekë të vjetra.

Nëse ky draft hyn në fuqi, e njëjta shumë financiare, do të paguhet nga qytetarët për një kërkesë të depozituar në sekretarinë e gjykatës, për transkiptimin e seancës gjyqësore.

Tarifat gjyqesore shtesë

Në një pikë të projekt-draftit flitet për tarifat gjyqësore shtesë. Kjo tarifë, caktohet në rastet kur pala ndërgjyqëse ose përfaqësuesi i saj ligjor ka shkaktuar pa shkaqe të arsyeshme vonesa në gjykim e çështjes.

“…tarifa gjyqësore shtesë vendosen sipas diskrecionit të gjykatës, e cila përcakton mbi shkallën e neglizhencës së palës…”-thuhet në projekt-draft. Vonesa në gjykimin e çështjes, shkaktuar pa shkaqe të arsyeshme në gjykatat e shkallëve të parë të gjykimit, tarifohet me një shumë që varion nga 100 deri në 200 mijë lekë.

Vonesa në gjykimin e çështjes, shkaktuar pa shkaqe të arsyeshme në Gjykatat e Apelit, tarifohet nga 200 mijë lek deri në 300 mijë lekë të vjetra dhe sjellja e vonesës në Gjykatën e Lartë, tarfifohet nga 300 deri në 500 mijë lekë të vjetra.

Sipas projekt-draftit rritja tarifave gjyqësore për kërkesat e zakonshme dhe atyre të veçanta, do mund të sillte një ulje të lumit të kërkesave të bëra pa shkak, të cilat ngarkojnë gjykatat me gjykime të padobishme dhe nga ana tjetër sjellin një kosto të konsiderueshme financiare.

Për të shmangur një situatë e tillë, është menduar që çdo kërkesë të bëhet me tarifë financiare. Madje dhe një rekurs në Gjykatën e Lartë, që deri më sot ofrohet si shërbim pa pagesë, ka shumë gjasa që në të ardhmen sipas këtij studimi, të ketë vlerën prej 30 mijë lekë të vjetra, por pa përfshirë këtu paditë civile që kanë vlerë të përcaktuar të cilat do llogariten me për qindje.

Ndërsa çdo qytetar që kërkon të realizojë një njohje vendimin të gjykatave të huaja dhe deklarimin e ekzekutueshmërisë së një vendimi gjyqësor të huaj, duhet të paguajë 50 mijë lekë të vjetra.

Tarife zero

Të vetmit që përjashtohen nga tarifat financiare dhe për çdo kërkesë në gjykatë e kanë tarifën zero, janë personat që ngrenë padi me objekt që kanë si karakter pensionet, urdhërat e mbrojtjes, caktim kujdestarie, kërkesë për birësim, deklarim braktisje dhe caktim kujdestari, etj.

S'KA KOMENTE