Raporti:Bashkia Fier shpenzon 2 here me shume per paga se...

Raporti:Bashkia Fier shpenzon 2 here me shume per paga se per investime

1303
SHPËRNDAJE
Nga i sigurojnë të ardhurat bashkitë kryesore në vend, Tirana, Durrësi, Fieri, Elbasani. Si shpenzohen paratë. Rritja e varësisë nga taksa e infrastrukturës për disa bashki kryesore, sidomos ajo e kryeqytetit, pritet të rëndojë gjeneratat e ardhshme. Disa bashki shpenzojnë më shumë për pagat e punonjësve, sesa për investime kapitale për qytetin e tyre
Në fund të vitit 2019, të gjitha bashkitë në vend mblodhën të ardhura nga burimet e veta vendore (taksa dhe tarifa vendore, veprimtari me asete dhe të tjera) në një vlerë prej rreth 25.6 miliardë lekësh, në rritje me rreth 5.5% në terma vjetorë, ose rreth 1.4 miliardë lekë më të larta nga niveli i regjistruar vitin e mëparshëm, sipas raportit të financave vendore për vitin 2019, publikuar nga projekti financatvendore.al.
25% e të ardhurave të të gjitha bashkive ishin nga të ardhurat e siguruara nga Bashkia s Tiranës nga lejet e ndërtimit.
Ndonëse në terma të përgjithshëm, të ardhurat nga taksat vendore rezultojnë të kenë shënuar zhvillime pozitive, një vështrim i hollësishëm mbi elementet përbërëse nxjerr në pah dobësitë afatgjata apo varësinë ndaj një numri të kufizuar taksash. Në tre vitet e fundit, performanca e të ardhurave nga taksat vendore është përcaktuar nga dy elemente: taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja dhe taksat mbi pasuritë e paluajtshme (ndërtesa, tokë bujqësore, truall).
Ndërkohë që pesha e kësaj të fundit është tkurrur, pesha e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtime të reja është rritur me ritme të përshpejtuara. Në vitin 2019, këto dy lloje taksash përfaqësuan 85.8% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore. Në të kundërt, pesha dhe kontributi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël dhe i taksave të tjera vijuan tkurrjen edhe në vitin 2019. Gjithashtu, seria e të dhënave për taksat vendore, duke përjashtuar Bashkinë e Tiranës, tregon për një prirje rritëse të moderuar të të ardhurave nga taksat vendore për 60 bashkitë në periudhën 2010-2019, theksohet në raport.
Portali i Financave Vendore ngre shqetësimin se taksa e ndikimit në infrastrukturë është shndërruar në një burim të qenësishëm i të ardhurave në buxhetin vendor, veçanërisht në bashkitë e mëdha si Tirana, Durrësi, Lezha etj. Rritja e kontributit të kësaj takse në buxhetin vendor do të kërkonte njëkohësisht parashikime dhe angazhime afatmesme deri/dhe afatgjata në lidhje me ofrimin e shërbimeve publike vendore për zhvillimet e reja. Në total, në nëntë muajt e parë të vitit 2019 janë shtuar rreth 1.6 milionë metër katrorë ndërtime të reja, të cilat do të duhej të shoqëroheshin me infrastruktura publike mbështetëse.
Gjithashtu, duke qenë një burim të ardhurash i fundmë dhe jo i vazhdueshëm, bashkitë duhet të gjejnë zgjidhje dhe të aftësohen për t’u bërë ballë detyrimeve financiare të sotme dhe atyre të ardhshme, përballë një buxheti të kufizuar – kjo do të krijonte kushte të favorshme dhe do të ishte në përputhje me konceptin e barazisë ndër-gjeneracionale. Praktikisht, të ardhurat e realizuara sot nga kjo taksë do të duhej të investoheshin për të siguruar infrastrukturat e nevojshme publike si dhe operimin e tyre në të ardhmen, pa rënduar në buxhetet e gjeneratave të ardhshme, thuhet në raport.
Rritet varësia nga lejet e ndërtimit/ Pesha e të ardhurave nga taksa e infrastrukturës/totalit të burimeve të veta
Pas taksës së infrastrukturës, zëri i dytë që i siguron më shumë të ardhura bashkisë është taksa mbi pasuritë e paluajtshme, 1.85 miliardë lekë, ose 13% të totalit të burimeve të veta.
Për pastrim dhe gjelbërim, bizneset dhe individët paguan 1.8 miliardë lekë, ose 12.5% të totalit. Kjo taksë është rritur këtë vit me 15-65% për subjektet e vogla e të mëdha, e argumentuar ndër të tjera me shpenzimet që duhen për të paguar inceneratorin e Tiranës. Tarifat administrative i sigurojnë buxhetit të bashkisë 1.5 miliardë lekë, ose 10.3% të burimeve të veta. Taksat e tjera sjellin në buxhet më pak sesa 1 miliard lekë (shih grafikun).
Në kahun e shpenzimeve, 37% shkojnë për investime kapitale, dhe 22% për personelin.
BASHKIA E FIERIT SHPENZON DY HERË MË SHUMË PËR PAGA SE PËR INVESTIME KAPITALE
Bashkia e Fierit kishte në dispozicion 2.5 miliardë lekë në vitin 2019, me një rënie prej 12% me bazë vjetore. Tkurrja ka ardhur nga rënia e transfertave qeveritare, ndërsa burimet e veta vijuan tendencën zgjeruese.
Nga taksat dhe tarifat, Bashkia arrin të sigurojë vetëm 30% të fondeve të saj totale.
Bashkia e Fierit është e varur nga taksa për pasuritë e paluajtshme, që sjell gati 31% të fondeve të veta. Nga tarifa e pastrimit dhe e gjelbërimit, sigurohen gati 16% e totalit.
 
Bashkia ka realizuar pak investime në qytet. Të dhënat tregojnë se pesha e shpenzimeve kapitale është minimale, në vetëm 18% të totalit. Në të kundërt, nuk është kursyer për personelin, fondi për të cilin është sa dyfishi i investimeve kapitale, duke zënë 32% të fondeve që Bashkia e Fierit ka në dispozicion gjatë një viti.
Nga Taksa mbi pasurinë e paluajtshme sigurohet 21.3% e fondeve të veta dhe nga Taksa e ndikimit në infrastrukturë, rreth 16%. Ashtu si Fieri, edhe Elbasani shpenzon më shumë për pagat e punonjësve, sesa për investime kapitale. Pagat e personelit përbënin rreth 26% të totalit, përkundrejt 17% të atyre kapitale.Burimi Portali i Financave Vendore , MONITOR

S'KA KOMENTE