Rama mesazhe bashkimi demokratëve: Jemi shumë të vegjël për të qenë të...

Rama mesazhe bashkimi demokratëve: Jemi shumë të vegjël për të qenë të ndarë. PS e ka braktisur llogoren e ideologjisë

151
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama ka folur për bashkim mes shqiptarëve njësoj siç ka sulmuar Sali Berishën dhe Lulzim Bashën nga ‘bashkëbisedimi i tij me demokratët’. Rama deklaroi se nuk është argëtim për të të shikojë si i ndukin puplat njeri-tjetrit dhe se sot i intereson vetëm sa fiton vendi.

“Duke qenë se ky është një bashkëbisedim, do doja që të vazhdoja t’i trajtoja këto aspekte të kësaj teme duke iu referuar dhe atyre që ju shkruani. Ju falënderoj që jeni angazhuar masivisht.

Një gjë dua ta theksoj. Për mua ky është mandati i tretë i qeverisjes. Për arsye që besoj mund t’i kuptojë gjithkush nuk më intereson fitorja në vetvete në aspektin e mundësisë për të drejtuar një qeveri të shumicës sepse këtë e kam përjetuar. E nëse qysh në krye të herës e kam menduar fitoren si një mundësi për vendin, për kombin, për shoqërinë, për njerëzit, sot realisht mendoj plotësisht si të tillë. E nëse deri dje brenda kësaj mundësie kam ndjerë dhe atë aspektin personal të kënaqësisë që të jep fitorja në aspektin individual, kënaqësisë që të jep duke qenë në majë, në momenti ne parë pa e kuptuar se çfarë mundi dhe sakrifice kërkon maja, sot është ndryshe. Sot më intereson vetëm sa fiton vendi, sa fiton kombi, sa fiton njerëzit, shoqëria në të përditshmen e punës sime dhe të qeverisjes sonë, e cila nuk diskutohet që është larg më të mirës së mundshme, por patjetër që është më e mira që kemi pasur dhe që mund të kemi në këtë fazë. Shiko se çfarë bëhet me ofertat e tjera”, deklaroi Rama.

Ai tha se shqiptarët janë të vegjël për të qenë të ndarë dhe se gjithë shqiptarët, gjithë njerëzit e zakonshëm duhet ta shohin që nuk munden të jenë kontributorë në ushqimin e këtij gjaku të prishur të politikës, të ndarjes mes komunistëve, antikomunistëve, partizanëve, ballistëve, atyre dhe nesh. Rama deklaroi PS e ka braktisur llogoren e ideologjisë, atë të trashëgimisë ideologjike.

“Nuk argëtohem duke shikuar se si i ndukin puplat njeri-tjetrit. Është e domosdoshme që të gjithë të bëjnë gjithçka për paqe dhe urtësi, për normalitet. Kjo ndarje e thellë, kjo përçarje që i pari plaku e ka mishëruar qysh ditën e parë si një mjet për t’i përçarë e sunduar shqiptarët, dhe që i dyti, pasardhësi i marrë me dorë dhe i vendosur aty, si hija e plakut, e ka vazhduar përsëri si një instrument thjesht politik përça e sundo, fatmirësisht pa arritur kurrë më të sundojë siç i pari arriti në dy momente duhet parë me sy të hapur nga të gjithë shqiptarët. Gjithë shqiptarët, gjithë njerëzit e zakonshëm duhet ta shohin që nuk munden të jenë kontributorë në ushqimin e këtij gjaku të prishur të politikës, të ndarjes mes komunistëve, antikomunistëve, partizanëve, ballistëve, atyre dhe nesh sepse jemi shumë të vegjël për të qenë të ndarë dhe në fund të fundit, këtu nuk bëhet fjalë për një luftë ideologjike sepse për sa më takon dhe sa na takon PS e ka braktisur llogoren e ideologjisë, atë të trashëgimisë ideologjike, por edhe të të menduarit si një kafshë politike ideologjike dhe ka zgjedhur frontin e betejës për ideale dhe ide që i përkasin një spektri të qendrës së majtë, por që e bëjnë këtë qendër të majtë një hapësirë e cila është e gatshme të koagulojë rreth vetes forca që shohin tek qendra, tek vija e drejta pa kthesa majtas e djathtas mundësinë për të gjetur zgjidhjet efikase.

Këtu nuk është çështje argëtimi. Nuk ka argëtim në skenat e djeshme, skenat e djeshme janë trishtim, sëkëlldi, janë ulërimë e brendshme e një mungese të madhe përgjegjshmërie, qytetarie dhe e një kafshërie që është një fazë e avancuar e degradimit e një qenieje politike, siç është një parti politike apo një person politik. Dje pamë një përpjekje për kafshim, në kuptimin e drejtpërdrejt të fjalës mes palëve dhe fatmirësisht u shmang kafshimi i përgjakshëm. Pavarësisht se u shmang kafshimi i përgjakshëm, kafshuesit, nxitësit e kafshimit janë aty”, deklaroi Rama.

S'KA KOMENTE