Rama inspekton punimet në “Lungomare 3”: Projekt madhor për transformimin rrënjësor urban,...

Rama inspekton punimet në “Lungomare 3”: Projekt madhor për transformimin rrënjësor urban, ekonomik e social për Vlorën e më gjerë

81
SHPËRNDAJE

Në bregdetin e jugut, vijon puna për zbatimin e projekteve transformuese infrastrukturore me prioritet në zonat me potencial të lartë turistik.

Në kantierin e ri të “Lungomare 3”, i cili shtrihet përgjatë vijës bregdetare nga tuneli i Ujit të Ftohtë në Vlorë deri në Radhimë dhe Orikum, po merr jetë nga dita në ditë projekti madhor i një tjetër transformimi rrënjësor urban, ekonomik e social për Vlorën dhe më gjerë.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në terren për të inspektuar nga afër ecurinë e projektit në lote të ndryshme

Ky është fillimi i kantierit të lotit 1 të shëtitores Lungomare 3. Është e ndarë në dy Lote. Kjo është lidhja me pjesën e shëtitores së fazës së dytë. Nëse shpjegojmë të gjithë projektin, e gjithë kjo vijë bregdetare prej 4,5 kilometra është një vijë që vazhdimisht ka goditje erozioni, gërryerje e tokës dhe në vende të caktuara, kjo problematikë ndodh dhe në pjesën e rrugëve.” – shpjegoi inxhinieri i punimeve, ndërsa theksoi se gjithçka është mirëprojektuar në detaje dhe çdo problematikë do të zgjidhet me zbatimin e projektit.

Gjatë punimeve do të realizohen ndërhyrje për transformimin cilësor të plazheve, hapësirave publike, njësive të shërbimit, si edhe do të mbillen pemë e krijohen zona të mëdha këmbësore mbi gjurmën e rrugës ekzistuese, ku do të ketë edhe një rrugë biçikletash, ndërkohë që trafiku i automjeteve do të spostohet në një aks të ri, duke mundësuar një frymëmarrje krejt të re Vlorën turistike.

“ Midis rehabilitimit të plazheve dhe shëtitores, projektuesi ka bërë një super projekt në lidhje me gjelbërimin. Projektuesi ka bërë një rikonfigurim të gjithë vijës bregdetare dhe nëse e shikojmë gjithë projektin, elementët kryesorë që rehabiliton fillon me vijën bregdetare të plazheve. Elementi i dytë i rëndësishëm i kësaj shëtitoreje është që në këtë fazë që jemi, që nga përroi i Radhimës krijohet një pedonale me gjerësi 5metra e ndarë me korsi biçikletat dhe kjo, duke qarkulluar sipas terrenit ekzistues, e bën të shkelshme të gjithë këtë vijë bregdetare që ne sot e shohim të cunguar. – detajoi më tej drejtuesi i punimeve.

Kryeministri Rama tha se zhvillimi i mëtejshëm i  zonave me potencial të lartë turistik do të jetë një nga përparësitë e punës për sezonet e ardhshëm turistikë. “Kthimi i saj në pedonale do të jetë një spektakël i paparë, do ta bëjë këtë zonë si ato zonat më të populluara gjatë plazhit në Spanjë e në Greqi. Orikumi, Borshi dhe Ksamili janë tre zona me një potencial të madh. Ndërhyrja këtu, siç bëmë në Vlorë, do të ndryshojë tërësisht pamjen.” – u shpreh kryeministri Rama.

S'KA KOMENTE