Kuvendi në seancë plenare, protestë në shesh

Kuvendi në seancë plenare, protestë në shesh

67
SHPËRNDAJE

Kuvendi i Kosovës po zhvillon sot një seancë plenare me 17 pika në axhendë, por jo për Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të miratuar sot herët në mëngjes dhe të proceduar nga qeveria e Kosovës.

Ndërsa, në shesh po zhvillohet protestë pasi subjekti më i madh opozitar kosovar, Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar qytetarët e aktivistët që sot në orën 10:00, kur ishte paraparë të nisë seanca plenare, të mblidhen para Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se “është momenti vendimtar që ta mbrojmë Republikën tone” dhe se, “demarkacioni nuk do të kalojë”.

Në këtë seancën plenare të Kuvendit, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare do të votohet Raportit vjetor i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2015,

Në vijim të axhendës është shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG për financimin e Projektit të modernizimit të shërbimeve të Kardiologjisë Invazive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës; shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Përkitazi me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor; shqyrtimin i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10, e cila është 148 kilometërshe nga Hani i Elezit, kufiri jugor me Maqedoninë, deri në Leshak, kufiri verior me Serbinë, duke kaluar nëpër Fushë Kosovë e Mitrovicë, ndërsa është e rëndësishme edhe për rajonin.

Në vijim bëhet shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Garancisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Trafikut Urban; shqyrtimi i parë i Projektligjit për performancën energjetike në ndërtesa; shqyrtimi i parë i Projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijës; shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Kundërvajtje; shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Kinematografinë; shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

Kuvendi në seancën e sotme shqyrton edhe tre raporte të vitit 2015: Raportin vjetor të qeverisë së Republikës së Kosovës për funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në Sektorin Publik të Kosovës; Raportin e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës; Raportin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje.

Pika e 17-të, e fundit, në axhendën e seancës së sotme plenare të Kuvendit të Kosovës është propozimi i Grupit Parlamantar të PDK-së për zëvendësimin e anëtareve në komisionet parlamentare.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.