Kroacia shpreson të shesë bazat e vjetra ushtarake

Kroacia shpreson të shesë bazat e vjetra ushtarake

33
SHPËRNDAJE

Kështjella, kazerma dhe objekte të tjera ushtarake të trashëguara nga koha e Jugosllavisë apo më herët, kanë vlerë potenciale prej miliarda eurosh – por disa ekspertë e aktivistë janë të shqetësuar për faktin që po shiten me nxitim.

Potenciali i madh i ish pronave ushtarake për të fuqizuar rritje të mëtejshëm në turizëm dhe biznese të tjera në Kroaci është sërish në vëmendjen e publikut pasi dy kompani ndërkombëtare të shit-blerjes së pronave tëpatundëshme hodhën në shitje gadishullin Muzil, pranë qytezës bregdetare të Pulës.

Ushtria më e vogël dhe profesionale e Kroacisë, e cila tashmë është pjesë e NATO-s, i braktisi këto baza, të cilat dikur i shërbenin Ushtrisë Kombëtare të Jugosllavisë.

Pronësia dhe menaxhimi i tyre iu transferua pas kësaj Zyrës së Kroacisë për Menaxhimin e Pronave Publike, DUUDI.

Sipas disa vlerësimeve, vlera totale e këtyre objekteve të trashëguara nga Ushtria Jugosllave është rreth 10 miliardë euro.

Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë shiti disa prej tyre në vitet 1990 ndërsa 399 objekte të tjera i janë dhënë komunave dhe bashkive të ndryshme.

Në vitin 2014, Ministria e Mbrojtjes pati 618 prona të tilla ende në pronësi, 226 prej të cilave qenë kategorizuar si baza që mund të përdoren ndërsa 392 të tjera u cilësuan si “pa perspektivë” ushtarake dhe rrjedhimisht, të përshtatshme për t’iu transferuar DUUDI-t ose pushtetit vendor.

Në total 102 prona i janë dorëzuar sakaq DUUDI ndërsa të tjera janë në proces.

Shumica e bazave ushtarake mbetën të papërdorura dhe janë amortizuar ndërkohë.

Qeveria e re e qendrës së djathtë, e cila u krijua muajin e kaluar, ka shprehur gjithashtu dëshirën që të shesë apo të japë me koncesion ish-bazat ushtarake që mund të përdoren për zhvillim të mëtejshëm të turizmit.

Për shkak të situatës së vështirë fiskale të Kroacisë, ku ekonomia nuk është rimëkëmbur ende që kur ajo u bashkua me BE-në në vitin 2013, qeveria pritet të ofrojë më shumë prona të vjetra ushtarake për kompanitë vendëse apo të huaja.

Gjithsesi, ekspertët paralajmërojnë se mundësitë nuk duhet të çohen dëm në interes të arritjes së një vendimi të shpejtë.

“Jam kundër masave të tilla si shitja e pronave thjeshtë sa për të ‘shuar zjarrin’, për shkak se në fund, rezultatet ekonomike do të jenë negative,” komentoi eksperti i ekonomisë Guste Santini për BIRN.

Santini dhe ekspertë të tjerë dëshirojnë që Kroacia të zhvillojë strategjinë e duhur mbi atë se çfarë duhet të bëjë me fortifikatat, bazat, kazermat, portet, vilat apo ndërtesat e tjera që gjenden në të gjithë bregdetin dhe që dikur i përkisnin ushtrisë së Jugosllavisë.

Santini mendon se interesi është i lartë mes investitorëve për prona të tyre për shkak se shumica e tyre gjenden në vende shumë të mira.

Gjithsesi, ai paralajmëroi se prona të tilla nuk duhet të shiten thjeshtë si “copa toke”, për shkak se një gjë e tillë mund të shërbejë vetëm tani për tani për të mbushur “vrimat” nëpër buxhet pa menduar në terma afatgjatë.

“A duam një zhvillim afatgjatë apo një stabilizim të përkohshëm?” pyeti ai.

“Duhet të gjendet një rrugë e mesme,” shtoi ai, duke vërejtur se dhënia me emfiteozë e objekteve të tilla përmes koncesioneve është “e pranueshme vetëm në rast se ato përfshihen në një strategji kombëtare për zhvillim ekonomik”.

“Nëse prona gjendet në një zonë turistike dhe ne dëshirojmë që të rrisim nivelin e turizmit nga i ulët në nivel të lartë dhe të standartizuar, atëherë koncesionet duhet t’i ofrohen vetëm kompanive prestigjoze ndërkombëtare, në mënyrë që në këmbim të një monopoli për përdorimin e një prone të mirë, shteti të marrë ca nga ‘imazhi’ i kompanive,” përfundoi ai.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.