Dilema: A kemi të bëjmë me Justinianin në Mesaplik?!

Dilema: A kemi të bëjmë me Justinianin në Mesaplik?!

98
SHPËRNDAJE

I konsideruar si një nga perlat e artit paleokristian në Shqipëri, Mozaiku i Mesaplikut doli përsëri në “dritë”. Aludimi se “Koka e Aparkeas” i përket perandorit bizantin, Justinianit, i ka vënë studiuesit e fushës në një dilemë të re. Teza e parë është ajo e arkeologut Damian Komata, zbuluesit të monumentit, që e formuloi atë pas gërmimeve në rrënojën e bazilikës

Nga Ilirjan Gjika

I konsideruar si një nga perlat e artit paleokristian në Shqipëri, Mozaiku i Mesaplikut doli përsëri në “dritë”. Do të ishte studiuesi dhe publicisti Etnor Canaj, i cili si gjithmonë me stilin e tij hetues, dyshues dhe polemizues, do të provokonte përsëri debatin e vjetër dhe të lënë tashmë mënjanë se, kujt i përket “Koka e Aparkeas”. Në shkrimin e tij të botuar në Gazetën Mapo, në dt. 26 shkurt 2016, Canaj hedh hipotezën e katërt dhe të fundit. Midis të tjerave, ai aludon se “Koka e Aparkeas” i përket perandorit bizantin, Justinianit, duke i vënë studiuesit e fushës në një dilemë të re. Kështu emrave të autorëve të mëparshëm në debatin shkencor për identifikimin e figurës në Mozaikun e Mesaplikut, i shtohet tashmë edhe një emër i ri.

***

Mozaiku i Mesaplikut, i cili sot gjendet në Muzeun Historik Kombëtar u zbulua rastësisht në vitin 1978 dhe u gërmua një vit më vonë nga arkeologu Damian Komata. Së bashku me disa mozaikë të tjerë, ai gjendej brenda rrënojave të një kishe paleokristiane, të ndërtuar në shekullin VI, e cila përbëhej nga tre aniata (Damian Komata, Bazilika paleokristiane e Mesaplikut, Iliria, I, Tiranë 1984, f. 183-196). E ndodhur në vendin e quajtur “Bregu i Kishës”, në Mesaplik të Vlorës, faltorja kishte një gjatësi prej 13.8 m, si dhe një gjerësi prej 11 m. Kisha, e cila ishte e tipit bazilikal përbëhej nga naosi (salla), kthina e altarit, absida trefaqëshe, ikonostasi, bazamenti i të cilit ishte prej guri. Ajo mbulohej me çati druri dhe tjegulla, ndërsa e gjithë dyshemeja e saj ishte e zbukuruar dikur me mozaikë. Bazilika e Mesaplikut duhet të jetë ndërtuar në shekullin VI dhe duhet të ketë funksionuar si e tillë deri në shekujt VIII-IX, kur mund të jetë shkatërruar nga “Lufta e Ikonave”, e cila e ndërmarrë nga dinastia perandorake e Isaurëve, shkatërroi imazhet e veprat më të mira të artit figurativ kishtar. Këtë gjë na e provojnë gjurmët e djegieve, të cilat u gjetën gjatë gërmimeve në rrënojat e saj (po aty, f. 195). Mozaiku i bazilikës së Mesaplikut i përket traditës greko-romake, me elemente të artit kishtar, i cili sapo kishte nisur të kristalizohej për kohën që u krijua. Figura kryesore e tij është ajo e një burri, i cili ndodhet në nefin verior të bazilikës. Ai është paraqitur në profil me një qëndrim impozant dhe në kokë mban një kësulë me antenë, në të cilën është lidhur një kordele dyshe. Përpara fytyrës së personit është shkruar fraza në formë kolone, AΠAPKEAC, nga interpretimi i së cilës deri më sot, studiues të ndryshëm kanë formuluar disa hipoteza.

***

Teza e parë është ajo e arkeologut Damian Komata, zbuluesit të monumentit, që e formuloi atë pas gërmimeve në rrënojën e bazilikës. Në shkrimin “Bazilika paleokristiane e Mesaplikut”, të botuar në numrin një të revistës “Iliria”, në vitin 1984, midis të tjerave ai shkruan se: “Ne jemi të mendimit se paraqitja e kësaj figure në aniatën veriore dhe mbishkrimi duhen lidhur me një figurë të veçantë, që personifikon erën e veriut” (f. 189). Duhet theksuar se për të dalë në këtë përfundim ky autor niset nga fjala άπαρκτίας që do të thotë “era e veriut”. Ndërsa studiuesja, Dhorka Dhamo, e lë pak më të hapur diskutimin rreth këtij problemi, kur thekson se: “Aparkeas mbetet për t’u deshifruar. Ka mundësi që nga greqishtja të afrohet me “Aparktias”, era e veriut, por nuk përjashtohet të jetë edhe Parket, perëndeshat antike të fatit’’ (Dhorka Dhamo, Konsiderata mbi zhvillimin e mozaikut paleokristian në Shqipëri, Iliria, I, Tiranë 1986, f. 133). Po kështu, kjo autore në një shkrim tjetër thekson se: “Portreti i burrit në mozaikun e Mesaplikut i përket antikitetit të vonë dhe se kordelja e kuqe të sjell ndër mend hyjnitë pagane, perandorët në monedhat romake dhe engjëjt e pikturave kishtare” (Dhorka Dhamo, Vepra dhe tipare të pikturës në Shqipëri në shek. V-XV, Studime Historike, I, Tiranë 1984, f. 146).

Ndërsa teza e dytë mbi figurën e burrit në mozaik është ajo e ktitorit (ndërtuesit apo financuesit) të ndërtimit të bazilikës. Kjo tezë, së bashku me atë të atë që përmendëm më sipër, gjendet te libri “Ilirët”, i autorit Neritan Ceka. Aty, në faqen 284, midis të tjerave thuhet se: “Mbishkrimi i Aparkeas, i vendosur përpara fytyrës duket se shpjegon emrin e këtij personazhi, që do të ishte kështu ktitori i kishës” (Neritan Ceka, Ilirët, SH. B. Migjeni, Tiranë 2005, f. 284)

Kurse studiuesi Moikom Zeqo ngre një tjetër hipotezë duke theksuar se: “APARKEAS është emri i hyjnisë Abraxas, perëndisë kryesore të sektit të Bazilitëve, që u krijua dikur në Aleksandri të Egjiptit, i cili ka konkuruar dikur krishterimin në fazat e para të zhvillimit të tij” (Moikom Zeqo, Arkeologjia, Gramatikë e fakteve, Albanopol, Tiranë 2009, f. 27).

Ndërkohë që një tjetër autor, Niko Stillo, na jep një tjetër hipotezë. Në librin e tij: “Historia e shenjtë e Arvanitëve”, botuar në Prishtinë në vitin 2004, ai thekson se: APARKEAS është mbishkrim në gjuhën Ilire i bërë me shkronja greke, i cili përmban një sentencë të jetës së murgjve, e cila shprehet në formën e koduar, që do të thotë: “Ha pak, ke të hash”, dhe ka të bëjë me filozofinë modeste të jetës monastike. Pra, burri me kësule i mozaikut sipas Stillos, nuk është gjë tjetër veçse figura e një murgu, ku edhe kësula që ai mban në kokë i përshtatet veshjes së këtyre njerëzve që jetonin në kuvende dhe manastire.

Po kështu, dy hipoteza të tjera që kanë “qarkulluar”, janë edhe ato se APARKEAS-i mund të jetë kleriku i varrosur në altar, apo ndoshta edhe ndonjë shenjt ose martir lokal i persekutuar nga autoritetet romake përpara vitit 313. Kjo tezë bazohet te fakti se gjatë gërmimeve në këtë monument, në altarin e tij u gjet një varr, i vendosur në drejtimin lindje-perëndim, me një skelet të ruajtur mirë (Damian Komata, Bazilika paleokristiane e Mesaplikut, Iliria, I, Tiranë 1984, f. 187).

Dhe vijmë kështu te teza e fundit, e cila për mendimin tonë është edhe më intriguesja. E prezantuar nga studiuesi Etnor Canaj, pak kohë më parë, ajo aludon se në mozaikun e Mesaplikut paraqitet portreti i perandorit Justinian.

“Figura e burrit do na çonte në përfundimin që aty kemi të bëjmë me atë të një udhëheqësi. Por cili do ishte udhëheqësi i këtij territori përveçse Perandori? Në fakt, Kisha e krishtere e Lindjes pati te Justiniani jo vetëm mbrojtësin, por edhe udhëheqësin, pasi ai konsideronte papët dhe patriarkët si shërbëtorët e tij dhe drejtonte jetën e Shtetit në të njëjtën mënyrë si atë të Kishës…”, thekson Etnor Canaj në shkrimin e tij: Enigma e Mozaikut: “Burri” i Mesaplikut një perandor?!

***

Pra, cili është burri në mozaikun e Mesaplikut? Për t’i dhënë një përgjigje kësaj pyetjeje, do të thoshim se, më e arsyeshme do të ishte ideja që lidh së bashku dy nga tezat e mësipërme. Atë që thekson se burri i Mesaplikut është ktitori i bazilikës dhe tezën tjetër, se në këtë mozaik paraqitet figura e Justinianit. Më pas, po të rendisnim edhe disa mendime të shprehura më parë nga autorët e tjerë të këtij debatit shkencor, do të shihnim se argumenti, që burri i Mesaplikut është portreti i Justinianit është vërtet bindës. Le ta argumentojmë atëherë një gjë të tillë.

Së pari, do të theksonim se burri i Mesaplikut nuk paraqit “erën e veriut” sepse në të mungojnë elementet që e ilustrojnë një dukuri të tillë. Së dyti, termi “APARKEAS” mund të jetë një mbishkrim në ilirishte, bërë me shkronja greke, që atëherë ishte edhe gjuha e kishës, por ai nuk përmban në këtë rast një sentencë nga jeta e murgjve. Për këtë përmendim faktin se bazilika e Mesaplikut nuk përbënte kishën e një manastiri. Gjithashtu nuk është vërtetuar akoma nëse monarkizmi kishte nisur të aplikohej gjerësisht edhe në territorin e provincës së Epirit të Vjetër, ku u ngrit edhe kjo bazilikë. Dihet që në Lindje ai u përhap vetëm në Egjipt, Siri dhe Anatoli. Ndërsa në këtë periudhë, që nga vitit 515, kishat provincave ilire ishin rikthyer në gjirin e kishës së Romës, ku pëlqimi ndaj monarkizmit u rrit vetëm gjatë sundimit të Justinianit (527-565) (Pierre Milza, Historia e Italisë, SH. B. Dituria, Tiranë 2012, f. 158).

Së treti, edhe pohimi se kësula me majuc, që burri i Mesaplikut mban në kokë, është kësulë e murgjve nuk qëndron. Komunitetet e tyre nuk kanë mbajtur asnjëherë kësula të tilla. Përkundrazi, ato i ndeshim shpesh në portretet e perandorëve të stampuar në monedhat romake e periudhës perandorake.

Së katërti, nuk ekziston asnjë arsye, që në një bazilikë kristiane të vendosej figura e Abraxas, perëndisë së sektit fetar të bazilitëve, aq më tepër e “importuar” në këtë territor nga Egjipti i largët.

Që burri i Mesaplikut duhet të jetë një perandor bizantin, një gjë e tillë përforcohet nga disa elemente. I tillë është qëndrimi i tij impozant. “Portreti i dhënë në profil djathtas, paraqet tiparet burrërore të një personi, ndoshta të njohur për atë kohë. Ai paraqitet i pushtetshëm, me një shikim të thellë e të përqendruar, me flokë të gjatë e të dredhur që derdhen prapa si gërshet dhe mban në kokë një kësulë gjysmësferike, në qendër të së cilës del një majuc”, shkruan rreth portretit arkeologu Damian Komata (D. Komata, Bazilika Paleokristiane e Mesaplikut, Iliria, I, Tiranë 1986, f. 188).

Ndërsa Dhorka Dhamo shprehet rreth tij se: “Ai ndrydh një forcë të brendshme prej kreshniku dhe të ngjall një ndjenjë madhështie monumentale” (Dhorka Dhamo, Konsiderata mbi zhvillimin e mozaikut paleokristian në Shqipëri, Iliria, I, Tiranë 1986, f. 133). Kështu, këto karakteristika, si dhe “kordelja e kuqe” që ai mban në kokë janë karakteristika të spikatura vetëm të perandorëve romakë apo bizantinë dhe nuk janë elemente ilustruese të “erës së veriut”, murgjve apo peshkopëve.

Ndërkohë, dihet që portreti i Justiniani paraqitet në disa nga kishat që u ndërtuan me porosi të tij. Të tilla janë: Shën Sofia, Shën Vitali dhe Shën Apoloniari i ri në Ravena, ku në të tria janë vendosur imazhet e këtij perandori. Duke u nisur nga krahasimi i imazheve, Etnor Canaj, vëren një ngjashmëri të madhe midis tyre dhe portretit të Mesaplikut. Me të drejtë ai thekson se: “Duke e krahasuar figurën e Perandorit të Mozaikut së Ravenës me atë të ‘burrit’ të Mesaplikut të Vlorës, gjejmë disa elemente të përbashkëta midis tyre, pikërisht sepse që të dy janë pothuajse të së njëjtës moshë, sikurse nuk mungojnë elemente të tjera fizionomike të përbashkëta. Shembuj: Mënyra ekspresive e fytyrës gati e njëjtë, hunda e kthyer, buzët e holla, sytë sikurse mjekra edhe këto gati të njëjta (Etnor Canaj, Enigma e Mozaikut: “Burri” i Mesaplikut një perandor?!, Mapo, 26 shkurt 2016).

Por le të shohim edhe një element të veçantë që shpesh anashkalohet nga studiuesit. I tillë është paraqitja e tipareve antropologjike të imazheve në veprat e artit. I pari që e përdori një teknikë të tillë ishte studiuesi Jakov Milaj. Në librin e tij antropologjik “Raca Shqiptare”, ai shkruan se: “Po t’u hedhim një sy mozaikëve të Justinianit të Madh dhe të shoqes së tij Theodhora, që janë ndërtuar në Ravena në shekullin e gjashtë, i pari në kishën e Shën Apolonarit të Ri dhe i dyti në kishën e Shën Vitalit, do të na bien në sy menjëherë tiparet dinarike të ligjvënësit të madh kosovar, ndërsa perandoresha duket që është e racës dinarike” (Jakov Milaj, Raca Shqiptare, Ismail Mal Osmani, Tiranë 1944, f. 50-51). Ndoshta këtu Dhorka Dhamo ka plotësisht të drejtë kur thotë për burrin e Mesaplikut se: “Pamja e tij burrërore dhe e ngrysur përkon me portretin skulpturor ilir” (Dhorka Dhamo, Konsiderata mbi zhvillimin e mozaikut paleokristian në Shqipëri, Iliria, I, Tiranë 1986, f. 133).

Ndërkohë nga historia dimë se Justiniani rindërtoi përreth Mesaplikut disa qytete, si: Bylisin, Amantian, Kaninën, Himarën, Finiqin dhe Adrianopolin. Gjithashtu, në këto vende ai ndërtoi edhe objekteve të shumta kulti. E tillë është edhe kisha e Shën Marisë në Labovën e Kryqit (Andrea Llukani, Krishtërimi në Shqipëri, Botimet Trifon Xhagjika, Tiranë 2002, f. 19). Edhe ndërtimi i bazilikës së Mesaplikut në gjysmën e parë të shekullit VI (D. Komata, Bazilika e Mesaplikut, Iliria, I, Tiranë 1986, f. 195) përkon me periudhën e sundimit të këtij perandori (527-565).

Ky është edhe një tjetër element që i shtohet argumentit se ndërtuesi i kësaj bazilike mund të ketë qenë Justiniani dhe sipas traditës kristiane që në kisha vendosej portreti i ktitorit, burri i Mesaplikut nuk është veçse ai. Ndërsa nuk përjashtohet mundësia që termi “Aparkeas” të jetë emri i Eparkisë (Metropolisë), që i përkiste në kujdestari kjo kishë. Ndoshta këtu duhet kërkuar edhe deshifrimi përfundimtar i mbishkrimit.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.