Qytetet dhe banoret më të pasur ne Shqiperi/Ja ku renditet Fieri..!

Qytetet dhe banoret më të pasur ne Shqiperi/Ja ku renditet Fieri..!

5566
SHPËRNDAJE

Shqiptarët mund të jenë të varfër, por janë dhe kursimtarë të mëdhenj, ndërsa nuk u ka munguar as ndihma e të afërmëve emigrantë apo sigurimi i parave nga burime jo të ligjshme.

Deri në fund të tremujorit të tretë 2018, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, individët kishin të depozituara në banka rreth 926 miliardë lekë (rreth 7.4 miliardë euro), shumë kjo që është e barabartë me rreth 60% të prodhimit të brendshëm bruto, ndër më të lartat në rajon dhe në nivele të krahasueshme me vendet e zhvilluara perëndimore. Individët zotërojnë 81% të totalit të depozitave në vend, pjesa tjetër i përket qeverisë, bizneseve e institucioneve.

Por, a e dini se cilat janë qytetet ky individët kanë më shumë kursime, në raport me popullsinë?

Sipas të dhënave të detajuara nga Banka e Shqipërisë për depozitat në vlerë absolute të individëve sipas qarqeve dhe popullsisë nga INSTAT, qarku me nivelin më të lartë të depozitave për banor është Tirana, me rreth 2970 euro depozita për banor. Tirana është dhe qyteti që ka të ardhurat më të larta për frymë, me rreth 5 mijë euro (të dhënat e fundit të disponueshme nga INSTAT janë për vitin 2016) dhe që ka dhe shpenzimet më të larta mujore për konsum familjar në rang kombëtar.

Në vlerë absolute, banorët e Tiranës kanë në banka rreth 329 miliardë lekë kursime, ose 67% të depozitave në kryeqytet. Pjesa tjetër u përket kryesisht bizneseve, ku në kryeqytet janë të përqendruara gjysma e tyre.

Në vend të dytë, për treguesin e depozitave për frymë është Vlora, me 2,837 euro, në një nivel të ngjashëm me Tiranën. Vlonjatët kanë arritur të kursejnë kaq shumë, ndonëse të ardhurat e tyre për frymë janë nën mesataren e vendit (Sipas INSTAT, të ardhurat për frymë në Vlorë janë 3,362 euro dhe mesatarja e vendit është 3,734). Edhe shpenzimet mujore për frymë të familjeve janë sa 66% e atyre të kryeqytetit. Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se Vlora është qarku me papunësinë më të lartë në vend, që në 6 mujorin e parë luhatej midis 24-25%, pothuajse dyfishi i mesatares së vendit. Ky kontrast i kursimeve të larta në raport me të ardhurat dhe papunësinë mund të shpjegohet me faktin që historikisht Vlora, për vetë pozicionin gjeografik, ka qenë një destinacion për trafiqet e paligjshme, që gjenerojnë të ardhura informale.

Në total, individët vlonjatë kanë në banka 67 miliardë lekë, duke u renditur të tretët në vlerë absolute pas Tiranës e Durrësit. Vetëm në tremujorin e tretë 2018, kursimet e vlonjatëve u shtuan me rreth 2 miliardë lekë (16 milionë euro), rritja e dytë më e lartë pas  Tiranës.

Në vend të tretë për nivelin e lartë të kursimeve në raport me popullsinë janë durrsakët, me rreth 2 mijë euro depozita për banor. Durrësi renditet i katërti në të ardhurat për frymë në vend, pas Tiranës, Fierit dhe Gjirokastrës, por është i dyti për shpenzimet mujore të familjeve.

Në vend të katërt janë korçarët, që ndonëse shquhet si ekonomiqarë kanë arritur të kenë 1,876 euro depozitë për banor. Korçarët janë kursimtarë dhe në shpenzimet mujore të familjeve, duke u renditur në tre qarqet që shpenzojnë më pak, së bashku me Elbasanin dhe Vlorën.

Shkodranët kanë nivel kursimi të ngjashëm me Korçën. Elbasani e ka këtë tregues në rreth 1,500 euro. Fierakët, ndonëse renditen të dytët për të ardhurat për frymë nuk janë kursimtarë aq të mirë, me rreth 1, 400 euro depozita për banor. Të fundit, nga rrethet që raporton Banka e Shqipërisë renditen lezhjanët, me rreth 1,160 euro depozita.

S'KA KOMENTE