Qumështi vendas në markete po shitet 27% më shtrenjtë se importi

Qumështi vendas në markete po shitet 27% më shtrenjtë se importi

77
SHPËRNDAJE

Ndonëse Shqipëria ka peshën më të madhe të bujqësisë në Europë, me rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, produktet e përpunuara nga industria nuk po rezultojnë konkurruese, përkundrazi po konkurrohen ndjeshëm nga importi.

Sipas një vëzhgimi qumështi vendas në disa rrjete supermarketesh po shitet 27% më shtrenjtë se qumështi i importit. Konkretisht 1 litër qumësht i sterilizuar i markës “Gjirofarm” kushton 249 lekë në supermarkete. Ndërkohë qumështi i markës italiane “Sterilgarda” kushton 195 lekë, gjithashtu edhe çmimi i “Adoro” është 195 lekë. Më lirë është dhe qumështi nga rajoni, nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Prej muajsh, Blegtorët dhe fermat janë goditur nga mospërballimi i kostos të mbajtjes të bagëtive. Çmimi i qumështit si lëndë e parë po blihet më shtrenjtë se asnjëherë nga fabrikat e përpunimit, sepse kostot e fermerëve dhe blegtorëve janë rritur pa fund. Shtimin e kostove përpunuesit po e amortizojnë në rritjen e çmimeve të produkteve të bulmetit. Në periudhën 2022-2023, çdo operator në treg ka rritur disa herë çmimet në treg.

Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit tha më herët tha se çmimi i qumështit që pas pandemisë nga blegtorët është rritur deri 50%. Rritja e çmimit të qumështit ka ardhur nga kostot më të larta të mbajtjes së bagëtive. Në anën tjetër, përpunuesit përveçse po e blejnë qumështin më shtrenjtë, po vuajnë edhe rritjen e kostove nga çmimi i energjisë, gazit, plastikës dhe naftës.

Të gjithë këta faktorë kanë sjellë shtrenjtimin deri në 50% të çmimeve të produkteve shqiptare, duke humbur konkurrueshmërinë me mallrat e importit.

Sasia e qumështit të prodhuar në vend nuk po e plotëson kërkesën e fabrikave përpunuese për prodhim të produkteve të bulmetit.

Kërkesa e lartë për shkak të mungesës së stokut të operatorëve dhe ofertës së ulët ka shtuar presionin për rritje të çmimit të qumështit të freskët të prodhuar nga fermerët.

Operatorët pohojnë se me nisjen e sezonit të pranverës qumështi i deles po shitet nga blegtorët me çmim mbi 160 lekë për litër, duke arritur deri në nivelin e 190 lekë për litër. Shqetësuese për sektorin është edhe marrja e lartë e sasive të qumështit nga baxhot informale.

Mosplotësimi i kërkesës nga prodhimi vendas ka detyruar kompanitë të importojnë qumështin. Për muajt janar shkurt 2023 importet u rritën 9% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar sipas të dhënave të Doganave. Tendenca rritëse e importeve nisi që në vitin 2022. Totali i importeve të 2022 u rrit rreth 2% më shumë se 2021.

Kompanitë përpunuese ngrenë shqetësimin e shtrenjtimit të qumështit të deles, por edhe të lopës në nivele shumë herë më të larta se shtetet e tjera. Aktualisht sipas të dhënave të kompanive çmimi i qumështit të lopës për shtet si Itali, Francë dhe Gjermani është ulur nga 68 cent për litër në 58 cent për litër (58,6 lekë për litër), ndërsa çmimi mesatar i shitjes së qumështit të lopës nga fermeri vendas është 75 lekë për litër.

MONITOR

S'KA KOMENTE