Publikohet pasuria e kryeministrit Edi Rama: Është 16-fishuar

Publikohet pasuria e kryeministrit Edi Rama: Është 16-fishuar

341
SHPËRNDAJE

Edi Rama është prej tetë vitesh kryeministër i Shqipërisë dhe kërkon një mandat të tretë qeverisës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Rama hyri në politikë si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në qeverinë e kryeministrit Fatos Nano në vitin 1998.

Ai u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitin 2000 dhe e drejtoi kryeqytetin për 11 vite radhazi. Ai u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste në vitin 2005 dhe e drejton atë prej 16 vitesh.

Ky raport u prodhua nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së kryeministrit Edi Rama nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e anëtarëve të Këshillit të Ministrave gjatë viteve 2013-2020.

Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryeministri Edi Rama nga viti 2003 deri në fund të vitit 2018.

Skeda-2-Edi-Rama-.jpg

Në deklaratën e parë të dorëzuar në ILDKPKI në vitin 2003, Rama deklaron pasuri me vlerë 6 milionë lekë dhe deri në fund të vitit 2018, pasuria familjare ka shënuar rritje me 16 herë, duke kapur vlerën e 100 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2018, pasuria familjare e Z. Rama përbëhet nga 73 milionë lekë pasuri të patundshme, 17.2 milionë lekë likujditete bankare, huadhënie prej 9.7 milionë lekësh, automjet me vlerë 400 mijë lekë si gjendje cash prej 182 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 94.3 milionë lekë, nga të cilat paga e Z.Rama është në masën 27% dhe të ardhurat nga puna e bashkëshortes 38%. Rreth 16% e të ardhurave kanë si burim qiratë, 9.5% punën artistike të Z.Rama dhe shitjen e librit “Kurban” si dhe 8% kanë si burim të ardhurat e krijuara nga i biri nga shitja e veprave të artit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, njëra prej deklaratave rezultoi me probleme.

Në periudhën 2003-2018, Edi Rama ka shkëputje nga funksioni publik dhe detyrimi ligjor për të deklaruar pasurinë nga  korriku 2011 deri në shtator 2013. Pas zgjedhjes si kryeministër, Rama dhe bashkëshortja e tij rideklarojnë pasurinë e plotë në tetor 2013, e cila është shtuar me 44,736,099 lekë krahasuar me vitin 2011. Ndërkohë, burimet e deklaruara në rubrikat përkatëse janë të pamjaftueshme për të mbuluar shtesën e aseteve në shumën 29,641,593 lekë.

Shtëpia e banimit në komunën Dajt në bashkëpronësi me bashkëshorten është deklaruar për herë të parë në vitin 2013 me vlerë 39,607,741 lekë dhe përbën zërin kryesor në shtesën e aseteve. Rama deklaron se ka dorëzuar në ILDKPKI  dokumente shtesë si leje ndërtimi dhe dokumente mbështetëse për burimin e krijimit, të cilat BIRN nuk i disponon, por në rubrikat përkatëse të formularit nuk rezulton burimi i krijimit të kësaj pasurie.

Në tetor 2013, subjekti deklaron se ka një detyrim të pashlyer për shtëpinë ndaj shoqërisë së ndërtimit në shumën 12,056,241 lekë “në pritje të miratimit të një kredie bankare”. Kredia bankare me vlerë 80,000 euro është lëvruar më 22 tetor 2013, me afat shlyerje 10 vjet.

Në analizën statistikore të pasurisë janë përfshirë edhe dy huadhënie të deklaruara nga Linda Rama në vitin 2010, në vlerat 30 mijë euro dhe 40 mijë euro. Këto hua nuk deklarohet të jenë kthyer deri në fund të vitit 2018.

Në vitin 2012, Z.Rama ka bërë rivlerësimin e një apartamenti banimi ‘parafabrikat 1 + 1, me sip 59 m2’, i përfituar nga privatizimi, sipas çmimit fiskal në vlerën 5,422,000 lekë. Apartamenti është shitur në vitin 2017 në shumën 5,000,000 lekë.

BIRN

S'KA KOMENTE