Prokuroria Fier:Te pushohet ceshtja per tubim te paligjshem te 5 protestuesve te...

Prokuroria Fier:Te pushohet ceshtja per tubim te paligjshem te 5 protestuesve te inceneratorit te Verrise

151
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier ka dërguar për gjykim çështjen penale në ngarkim të pesë, protestuesve kundër ndërtimit të inceneratorit në Vërri të Fierit, duke kërkuar pushimin e çështjes për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” në ngarkim të katër prej tyre dhe gjykimin e vetëm një prej të procedurarve, Vladimir Bita, që sipas organit të akuzës, në filmimet e kryera nga policia rezulton se në përpjekje për tu larguar nga punonjësit e policisë, ka goditur me shkelm një efektiv.

Prokurorja e çështjes, Suela Beluli ka kërkuar pushimin e çështjes për këtë vepër penale për Zylyftar Delibashin, Eridjon Janjin, Bledjon Bitën dhe Aleksandër Bitën, pasi policia nnga provat e depozituara nga policia nuk është vërtetuar se këta persona kanë kundërshtuar punonjësit e policisë së rendit publik gjatë kryerjes së tubimit më datë 22 janar 2018.

Ndërkohë, për të pesë protestuesit prokuroria ka pushuar çështjen për veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme ”, pasi banorët e fshatit Vërri nuk rezulton të kenë organizuar ndonbjë grumbullim apo manifestim në sheshe dhe vende të kalimit publik, por kanë qenë pjesë e një tubimi të zhvilluar në vende të hapura për publikun.

Gjatë seancës paraprake të zhvilluar sot në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier , avokatja mbrojtëse e pesë protestuesve, Flutura Kona ka kërkuar kohë që të njihet me aktet e dosjes në ngarkim të tyre si edhe pamjet flimike të depozituara nga policia, nëpërmjet të cilave pretendohet se Vladimir Bita teksa ka qenë duke rendur për të shëptuar nga punonjësit e policisë, ka goditur me këmbë një efektiv.

Gjyqtari Piro Sota, pasi është njohur me kërkesën e avokates ka vendosur që të vihen në dispozicion të saj aktet dhe pamjet filmike dhe të shtyjë seancën për në datën 26 Shtator.
Prej një viti e gjysmë banorët e fshatit Vërri vazhdojnë të protestojnë kundër ndërtimit të impiantit të përpunimit me dijegie të mbetjeve urbane pranë tokave të tyre bujqësore.

Por, pavarësisht se ndërtimi i këtij impjanti nisi disa muaj para se të miratohej leja e ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit, deri tani janë proceduar nga policia vetëm protestuesit, ndërsa nuk ka pasur asnjë masë ndaj kompanisë që për disa muaj po vepronte pa lejen përkatëse.

Rezulton se ky projekt ka nisur të zbatohet pa u marr mendimi i banorëve të zonës, ndërkohë që pati premtime si nga drejtuesit e pushtetit qendror dhe atij vendor, se inceneratori nuk do të ndërtohej pa miratimin e qytetarëve.

Pritet që në ditët në vazhdim, banorët e Vërrisë ta ndjekin edhe në rrugë ligjore, duke kërkuar paligjshmërinë e ndërtimit të këtij inceneratori, mes tokave të tyre bujqësore, rreth 400 metra nga banesa më e afërt dhe rreth 900 metra nga qendra e fshatit.

S'KA KOMENTE