POPULLSIA E SHQIPËRISË, FIERI NE 3 QYTETET ME TE POPULLUARA

POPULLSIA E SHQIPËRISË, FIERI NE 3 QYTETET ME TE POPULLUARA

1186
SHPËRNDAJE

Popullsia në Shqipëri ka ndryshuar gjatë 30 viteve të fundit. Kjo vjen, veçanërisht për shkak të ndryshimeve në sistemin ekonomik, duke kaluar nga ekonomia e centralizuar në një sistem të tregut të hapur, i cili ka dhënë efektet e tij në lindje, vdekje, migracion, dhe sigurisht ka një ndikim në të ardhmen e popullsisë shqiptare.

Është me rëndësi të dimë se sa banorë jetojnë aktualisht në vend dhe sa do të ketë në të ardhmen, në mënyrë që të mund të merren vendime më të mira në lidhje me ndërtimin e shkollave, spitaleve dhe rrugëve. Është gjithashtu e rëndësishme të dihet sa e moshuar është dhe do të jetë popullsia në vitet në vazhdim, në mënyrë që të planifikohen, për shembull pensionet apo kujdesi shëndetësor.

Fig. 1 Lindjet, Vdekjet dhe Migracioni neto

Rënia e popullsisë

Më 1 janar 2022 popullsia e Shqipërisë rezulton 2.79 milionë banorë dhe krahasuar me vitin 2011 është ulur me 3,9 %. Prirja në rënie vazhdon të jetë e pranishme nga vitet e mëparshme.

Rënia e lindjeve

Gjatë periudhës 2011-2021 numri i lindjeve është ulur ndjeshëm: nga rreth 34 mijë në 2011, në rreth 27 mijë në 2021, ndërsa numri i vdekjeve në vit ka mbetur midis 20 mijë dhe 22 mijë për periudhën 2011-2019, por ka shënuar rritje në rreth 30 mijë vdekje në 2021, i ndikuar nga efektet e pandemisë Covid-19.

Zakonisht lindin më shumë meshkuj sesa femra, por meqenëse burrat kanë një vdekshmëri më të lartë, ka më shumë gra të moshuara sesa burra.

Gratë lindin më pak

Indeksi sintetik i fekonditetit (ISF) është numri mesatar i fëmijëve të lindur të gjallë nga një grua, duke marrë parasysh normat aktuale të fekonditetit. Kjo tregon se sa fëmijë pritet të lindë një femër gjatë jetës së saj. Pranohet gjerësisht që 2,1 fëmijë për grua është niveli i zëvendësimit të nevojshëm për popullsinë e një vendi të caktuar.

Indeksi sintetik i fekonditetit ka rënë: nga viti 2011 kur ishte 1,65 fëmijë për grua, në 1,32 në vitin 2021. Në figurën 2 vërehet evolucioni i këtij treguesi të rëndësishëm dhe prirja e tij.

ISF mund të reflektohet në numrin e popullsisë në dekadat e ardhshme dhe të ketë ndikim jo vetëm në uljen e saj, por sidomos në faktorë socialë-ekonomikë, me impakte që mund të shfaqen në uljen e fuqisë blerëse, rritjen e normës së varësisë moshore, duke vënë në rrezik skemën e pensioneve, etj.

Fig. 2 Indeksi Sintetik i Fekonditetit

Disa nga faktorët socialë që mund të ndikojnë në normat e fekonditetit janë: normat kulturore, niveli i arsimimit, feja, përdorimi i metodave kontraceptive, aborti, ndikimi i migracionit, fëmijët si burim i punës (në fermat familjare), fëmijët si mbështetje për çifte në moshat më të mëdha, kostot e rritjes së fëmijëve, etj.

Fëmijët që priten të jetojnë më gjatë

Vdekshmëria foshnjore është vdekja e fëmijëve të moshës më pak se një vjeç. Ajo përcaktohet si numri i vdekjeve të fëmijëve nën një vjeç gjatë një viti, pjesëtuar me numrin e lindjeve të gjalla në atë vit; vlera shprehet për 1.000 lindje të gjalla.

Gjatë këtij 10-vjeçari, vdekshmëria foshnjore ka mbetur midis 8 deri 10 vdekje të moshës nën 1 vjeç për 1.000 lindje të gjalla, por është ulur ndjeshëm nga 17,4 në 2001 në 8,4 në 2021.

Shqiptarët jetojnë më gjatë se më parë

Sa kohë pritet të jetojë një person? Kjo matet përmes treguesit të jetëgjatësisë.

Kjo mund të shprehet si jetëgjatësia në lindje, duke treguar numrin e viteve që një fëmijë i sapolindur pritet të jetojë. Në vitin 2021 jetëgjatësia e pritur u vlerësua 74,4 vjeç për meshkujt dhe 78,7 vjeç për femrat.

Fig. 3 Jetëgjatësia e pritur në lindje

Jetëgjatësia në lindje ka ardhur përgjithësisht duke u rritur nga viti 2011 deri në vitin 2019, me gra që kanë prirje për të jetuar më gjatë, ku trendi i burrave po rritet më shpejt se ai i grave, por jetëgjatësia në lindje ka shënuar ulje në vitet 2020-2021, e ndikuar nga rritja e numrit të vdekjeve prej efekteve të pandemisë Covid-19.

Femrat shqiptare të lindura në vitin 2021 pritet të jetojnë 4,3 vite më shumë sesa meshkujt shqiptarë të lindur në të njëjtin vit.

Popullsia në plakje

Mosha mediane e popullsisë shqiptare është rritur nga afërsisht 33 vjeç më 1 janar 2011 në afërsisht 38 vjeç më 1 janar 2022. Mosha medianë e popullsisë është rritur gjithashtu gjatë të njëjtës periudhë, sipas gjinisë nga 31,3 në 37,3 vjeç për meshkujt dhe nga 33,9 në 39,1 vjeç për femrat.

Migrimi ka ndikim të madh në popullsi

Popullsia e Shqipërisë filloi të ulet që nga viti 1990, si pasojë e një emigracioni masiv.

Gjatë viteve 2011-2021 vlerësohet se mesatarisht 42 mijë persona emigruan çdo vit dhe 23 mijë njerëz imigruan mesatarisht çdo vit. (Piramidat e popullsisë). Arsyet kryesore për emigracionin kanë të bëjnë me mundësi më të mira për punë, arsim dhe kujdes shëndetësor.

Struktura e popullsisë

Në figurën 4 shikojmë se popullsia e Shqipërisë po plaket. Kjo tregohet nga përqindja që zënë njerëzit mbi 65 vjeç, krahasuar me të rinjtë (nën 15 vjeç) nga viti 2011 deri në 2022 (popullsia më 1 janar).

Grup-mosha e popullsisë 0-14 vjeç ka rënë nga 21,6 % në vitin 2011 në 16,3 % në 2022.

Grup-mosha e popullsisë 15-64 vjeç ka qëndruar thuajse e njëjtë, duke pësuar një rritje të lehtë, nga 67,4 % në vitin 2011, në 68,0 % në vitin 2022.

Grup-mosha e popullsisë 65+ vjeç është rritur nga 11,0 % në vitin 2011 në 15,7 % në vitin 2022.

Fig. 4 Struktura e popullsisë

Shpërndarja e popullsisë sipas qarqeve

Më 1 janar 2022 rezulton që rreth një e treta e popullsisë jeton në qarkun e Tiranës – qarku më i populluar në vend, ndjekur nga qarqet e Durrësit dhe Fierit, me rreth 10 përqind të popullsisë secili.

Qarku i Gjirokastrës ka përqindjen më të ulët të popullsisë, me rreth 2,0 % të popullsisë së përgjithshme, ndjekur nga qarku i Kukësit, i cili ka 2,6 % të popullsisë së përgjithshme.

Vetëm qarku i Tiranës ka shënuan rritje të popullsisë për periudhën 2021-2022.

S'KA KOMENTE