Zëdhënësi i kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta, Tedi Blushi, ka reaguar pas njoftimit të Autoritetit të Dosjeve, se një politikan i lartë me incialet I.M, rezulton me dokumente se ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit.
Blushi pretendon se tentativa për të njollosur Metën është një histori e sajuar, ndërkohë që i bën thirrje autoritetit të dosjes, që të nxjerrë çdo dokument dhe provë në rast se ato ekzistojnë.
Zëdhënësi i Metës shprehet se Kuvendi ka punë më të rëndësishme për tu marrë, siç është edhe leximi i letrës që presidenti i dërgoi një ditë përpara se të largohej nga detyra për marrëveshjen e detit me Greqinë.
Postimi i Blushit:
Ha Ha Ha… Autoriteti i Dosjeve u kujtua t’i kërkojë Kuvendit të ndryshojë ligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit”, një ditë pas themelimit të Partisë së Lirisë, se gjoja një politikan i nivelit të lartë I.M, figuron bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe qenka përpjekur për t’u fshehur nga verifikimet dhe për këtë u dashka bërë një ligj i veçantë.
Mos e lodhni kot Kuvendin me këtë punë, se ka çështje të tjera më të rëndësishme për t’u marrë si aferën skandaloze të inceneratorëve apo Marrëveshjen e Detit me Greqinë (kujtoni letrën e fundit të Presidentit të Republikës për të gjithë deputetët).
LATË NAM ME PATRONAZHISTËT E SOTËM JU QË PASKENI MERAKUN E “PATRONAZHISTËVE” TË KOMUNIZMIT.
I BËJMË THIRRJE AUTORITETIT TË DOSJEVE TË HAPË QË SOT DHE TË BËJË PUBLIKE ÇDO DOSJE DHE INFORMACION TË SIGURIMIT TË SHTETIT DHE GJITHÇKA TJETËR, PËRFSHIRË EDHE PROCESVERBALET E ORGANIZATËS SË RINISË TË ASAJ KOHE!
Jetojmë në kohën e “pavarësisë” së institucioneve, por edhe të TRANSPARENCËS, që nuk do të ndalet.
Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, i ka kërkuar Kuvendit edhe përmes një qendrimi publik, që të ndryshojë ligjin mbi dosjet në vend, pasi pretendon se favorizon politikanët e lartë dhe deputetët, të cilët nuk ndëshkohen nga të qenit bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.
Bordi Autoritetit të Dosjeve i referohet një rasti konkret, kur një politikan i lartë shqiptar me inicialet I.M., rezulton se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, ndërkohë që verifikimet për këtë rast thuhet se i janë përcjellë edhe Kuvendit.
Përveç këtij rasti sipas autoritetit të dosjeve, janë edhe 4 deputetë të tjerë të zgjedhur në 2017 dhe 2021, që kanë rezultuar sipas dokumenteve që të jenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetikt.
”Në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, nga 18 parti politike të regjistruara, vetëm dy të tilla, (përkatësisht PDIU, 144 emra dhe Aleanca Popullore për Drejtësi, 141 emra) paraqitën kërkesë për verifikim të kandidatëve për deputetë.
Për zgjedhjet parlamentare të prillit 2021, vetëm katër subjekte politike (Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare, Partia Bindja Demokratike, Partia Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Evropiane, (ABDE), Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë), gjithsej 61 kandidatë, morën në konsideratë këtë proces të rëndësishëm për integritetin e zgjedhjeve.
Autoriteti i është drejtuar me shkresë të gjitha partive politike të regjistruara në zgjedhje (31
gjithsej) që, në zbatim të nenit 30 të ligjit 45/2015, i ndryshuar, të bashkëpunojnë me institucionin për përmbushjen e detyrave për verifikim të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetarë bashkish dhe kryetarë këshilli qarku.
Për zgjedhjet parlamentare 2017 dhe 2021, nga Autoriteti u verifikuan 446 kandidatë për
deputetë, ku 441 rezultuan pa dokumente dhe 5 kandidatë për deputetë figuruan bashkëpunëtorë në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit”, thuhet mes të tjerave në njoftimin e Autoritetit të Dosjeve.