Përpunuesit bëjnë gati rritjen e çmimeve të bulmetrave me 12% në ditët...

Përpunuesit bëjnë gati rritjen e çmimeve të bulmetrave me 12% në ditët në vijim

75
SHPËRNDAJE

Industria ushqimore po përshkallëzon rritjen e çmimeve për produktet finale në tregtinë me pakicë për të reflektuar pak e nga pak kostot e larta të prodhimit që po vijnë nga të gjitha drejtimet. Kompanitë e përpunimit të qumështit në vend kanë lajmëruar tregtarët e pakicës se në mes të prillit çmimet do të rriten pothuajse të gjitha nënproduktet e qumështit, si djathi, gjiza, gjalpi, salca etj, me 10-15%, ( sipas listës bashkëngjitur).

Burimet nga tregu pohuan se, muajt e fundit shpenzimet e aktivitetit për njësitë e përpunimit të qumështit janë rritur me 20 për qind, ndërkohë rritja në treg është reflektuar vetëm me 12%.

Për të mos transmetuar të gjithë rritjen e kostos në çmime fabrikat po punojnë vetëm 4 -5 ditë në javë.

Një nga përpunuesit e mëdhenj të qumështit pohoi se çmimi i qumështit nga fermerët gjatë marsit u rrit me 15%, çmimi i energjisë ketë vit është rritur me 300%, gazi është shtrenjtuar me 200%, çmimi i plastikës është rritur gjithashtu.

“Ka një valë kostosh që na ka ardhur si ortek këtë vit dhe jemi munduar ta transferojmë në çmime në mënyrë të përshkallëzuar” tha një nga operatorët.

Rritja më e fundit e çmimeve të qumështit dhe nënprodukteve të tij me rreth 10% ishte me 1 mars të këtij viti.

Prodhuesit thanë se shtrenjtimi i marsit reflektoi kostot e çmimeve më të larta të naftës, energjisë dhe heqjes të skemës të TVSH-së të kreditueshme 6% që nisi zbatimin nga 1 janari 2022.

Aktualisht përpunuesit po përballen me mungesë në gjetjen e qumështit të prodhuar nga fermerët e vegjël. Oferta në treg për qumësht është më e ulët sesa kërkesa për produkte bulmeti, çka po sjell që përpunuesit të përballen çdo ditë me presionin e fermerëve për rritje të çmimit.

Shumë fermerë të vegjël që rrisin 1 apo 2 lopë po largohen në emigracion. Fermat e mëdha janë rritur, por numri i tyre është shumë më i vogël krahasuar me fermerët e vegjël, çka nuk arrin të ekuilibrojë sasinë e qumështit të prodhuar në treg. Mungesa e prodhimit në tregun e brendshëm me rënien e krerëve po sjell edhe rritjen e çmimeve të bulmetit.

Përpunuesit e qumështit janë në mes dilemave për faliment pasi edhe rritja e mëtejshme çmimeve i bën ato të konkurueshme nga produktet e importit. Psh fabrikat në Itali e blejnë një litër qumësht të fermerët 20-30 cent me lirë se në Shqipëri./minotor/

Prsh

S'KA KOMENTE