Pensionet private, hyn në fuqi ligji i ri 

Pensionet private, hyn në fuqi ligji i ri 

167
SHPËRNDAJE

Ligji i ri për “Për fondet e pensionit privat”, që synon mbrojtjen e interesave të anëtarëve të fondit, si edhe nxitjen e pjesëmarrjes në këtë skemë ka hyrë në fuqi, duke i hapur rrugë zbatimit të tij. Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare ka shpjeguar disa nga risitë, ku një prej tyre është krijimi i formave të reja të fondeve të pensionit me qëllim nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në këto fonde. Kështu, për herë të parë njihet forma e fondit të pensionit me pjesëmarrje të mbyllur.

Fondi me pjesëmarrje të mbyllur mund të krijohet nga një punëdhënës, disa punëdhënës, ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë, bashkime sindikatash apo shoqatë, në cilësinë e sponsorit të cilët krijojnë një fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur. Krahas saj është edhe fondi me pjesëmarrje të hapur, i cili ka qenë edhe në ligjin e mëparshëm, që krijohet nga shoqëria administruese dhe nuk parashikon kufizime në anëtarësim.

Sipas AMF-së, ndër risitë e tjera që sjell ligji është edhe vendosja e kërkesave më të larta për transparencë ndaj anëtarëve të fondeve të pensionit privat, përcaktimi i kërkesave shtesë për qeverisjen e shoqërisë administruese, parashikimi i lehtësive fiskale për anëtarët e fondeve të pensionit privat, si edhe ulja e komisionit vjetor të administrimit të aktiveve të fondit.

Sipas ligjit të ri, ky komision nuk duhet të kalojë në asnjë rast 2.5% në vit, të vlerës neto të aktiveve të fondit të pensionit privat. Nga ana tjetër, ofrohen alternativa për krijimin e një portofoli investimi më të diversifikuar për anëtarin, duke bërë të mundur rritjen e kthimit nga investimi, si edhe lejon që për herë të parë, në politikat e investimit për fondet e pensionit privat të merren në konsideratë faktorët mjedisorë, shoqërorë dhe qeverisës të shoqërisë.

Gjatë periudhës janar-qershor 2023, në tregun e pensioneve private vullnetare ushtruan aktivitetin e tyre pesë fonde pensioni. Totali neto i aseteve rezulton rreth 6,1 miliardë lekë, ndërsa numri i anëtarëve në fondet e pensioneve për këtë periudhë ishte 37,594 duke shënuar një rritje prej 2.95% krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

/ SCAN

S'KA KOMENTE