Parku Apollonisë,gati projekti miliona euro për turizmin kulturor

Parku Apollonisë,gati projekti miliona euro për turizmin kulturor

215
SHPËRNDAJE

Turizmi po merr gjithmonë e më shumë vëmendjen në projektet që institucionet financiare ndërkombëtare angazhojnë për Shqipërinë.

Viteve të fundit është bërë e zakonshme që disa nga destinacionet kyçe apo edhe ato “të harruara” por që shfaqin potencial të mbështeten me miliona euro në funksion të rritjes së përfitimit që ekonomia merr nga ky sektor.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim njoftoi së fundmi dy procedura të dedikuara për dy rajone mjaft të njohur turistikë dhe me një rritje të shpejtë të interesit. Projekti i parë për të cilin është kërkuar shprehja e interesit është ai nën emërtimin “Përmirësimi i potencialit të turizmit kulturor nëpërmjet ndërhyrjeve në Parkun Arkeologjik të Apolonisë në Fier”.

I dyti është ai nën emërtimin “Rritja e ofertës turistike të zonave natyrore në qarkun e Beratit, duke përmirësuar aksesin në zonat e luginës së lumit Osum: Ndërtimi i urës së re mbi lumin Osum në Berat”

Të dy këto procedura mbështeten nga projekti i madh i Infrastrukturës dhe Mundësimit të Turizmit në Shqipëri.

“Projekti i Infrastrukturës dhe Mundësimit të Turizmit në Shqipëri financohet nga Bashkimi Europian nëpërmjet asistencës teknike dhe granteve investuese për një shumë totale prej 40 milionë euro, si dhe nga kredia sovrane plotësuese e dhënë nga BERZH për Qeverinë e Shqipërisë.

Projekti zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit si agjenci zbatuese (“Klienti”) dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (“Banka”). Grantet e BE-së janë identifikuar nga BE-ja në bashkëpunim të ngushtë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Kontrata do t’i nënshtrohet Politikave dhe Rregullave të Prokurimit të Bankës dhe është e hapur për pjesëmarrje për firma nga çdo vend, përveç rasteve kur specifikohet ndryshe në dokumentet e prokurimit. Donatorët mund të kërkojnë kushte të caktuara në lidhje me kontratat e financuara me fonde granti, të cilat kushte do të specifikohen në dokumentet e prokurimit” thuhet në detajimin që i bëhet procedurave në faqen e BERZH.

Turizmi ka njohur një rikthim të fortë pas pandemisë në vend ku në vitin 2022 që aktualisht është më i miri historik numri i vizitorëve regjistroi shifrën 7.5 milionë vizitorë. Ndërhyrjet në zona të caktuara të vendit për të përmirësuar ofertën turistike shihen si një mundësi për të plotësuar paketën turistike të vendit. 

S'KA KOMENTE