Para protestës së paralajmëruar, Rama bashkëbisedim me qytetarët

Para protestës së paralajmëruar, Rama bashkëbisedim me qytetarët

36
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një bashkëbisedim me qytetarët për të informuar punonjës në sektorë të ndryshëm për paketën e rezistencës sociale, ndërhyrjet e qeverisë dhe efektet e krizës ndërkombëtare në ekonomi.

Bashkëbisedimi i kryeministrit është paralajmëruar të nisë në orën 10:00, një orë para protestës së qytetarëve kundër rritjes së çmimeve dhe me sa duket vjen me qëllimin për të zbutur revoltën e shqiptarëve të pakënaqur me situatën ekonomike në vend.

Kryeministri Edi Rama prezantoi dje Paketën e Rezistencës Sociale, ndaj pasojave të krizës globale energjetike, si edhe të luftës në Ukrainë, mbi çmimet.

Përmes masave konkrete me veprim të menjëhershëm, paketa kompenson rritjen e çmimeve të shportës për pensionistët sipas kategorive të përcaktuara, familjet në skemën e ndihmës ekonomike, personat me aftësi të kufizuar; ofron mbështetje për fermerët dhe bizneset e vogla, si dhe financon mburojën e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla.

Qeveria do të ndërmarrë këto masa konkrete:

1. Do të derdhë menjëherë 3.6 miliardë lekë ose 36 milionë dollarë për të indeksuar pensionet. Kjo masë do të reflektohet që në pensionin e radhës së 673.542 pensionistëve.

2. Për 434 mijë përfitues, qytetare e qytetarë të këtij vendi, qeveria do të kompensojë me lekë në dorë, rritjen e çmimeve të shportës, e cila bazuar në përllogaritjen e INSTAT është 7% ose e kthyer në rritje mbi konsumin mesatar të përllogaritur përpara goditjes është 25 mijë lekë të vjetra plus.

Qeveria do të japë 30 mijë lekë të vjetra për 3 muaj rresht si kompensim për rritjen çmimeve të shportës, për:

-pensionsitët që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale,

-pensionistët e invaliditetit,

-pensionistët që jetojnë vetëm, (në kuptimin individualisht apo në çift)

-Persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike.

3- Mbështetja për fermerët me naftë pa taksa, do të shkojë në 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë USD, me një shtesë plus prej 5 milionë USD, e cila do të derdhet menjëherë.

4 – Qeveria do mbështesë të gjithë shqiptarët që përdorin linja urbane qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur menjëherë 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit, qoftë kur hipën në autobus brenda qytetit e qoftë kur hipën në një autobus për të shkuar nga një qytet në tjetrin.

5 – Do të sjellë 2 muaj përpara, futjen në fuqi të ligjit për zerimin e taksës për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra dhe përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra, si dhe uljen e taksës mbi pagat nga 1,5 deri në 2 milionë lekë të vjetra, që do të thotë, 56% e atyre që në Shqipëri jetojnë me punë dhe paguhen me pagë, paguajnë 0 taksë mbi pagën.

6- Do tërheqë dy muaj përpara edhe futjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, e cila në prill do bëhet 320 mijë lekë të vjetra.

7- Qeveria vendos menjëherë të shtojë 20 miliardë të tjera, 200 milionë dollarë, në financimin e mburojës së çmimit të energjisë elektrike për familjet dhe bizneset e vogla.

S'KA KOMENTE