Të shtëna me armë zjarri janë raportuar këtë të mërkurë në Gjorm të Kurbinit.
Mësohet se për pasojë një person ka mbetur i plagosur. Gjithashtu bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit midis dy bashkëfshatarëve, ndërsa autori bëhet me dije se është vënë në pranga.
Sakaq i plagosuri ndodhet në spital ku edhe po merr trajtim mjekësor.
Njoftimi i policisë:
Në fshatin Gjormë, Kurbin, rreth orës 20:15, shtetasi M. L., 41 vjeç, banues po në këtë fshat, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, me bashkëfshatarin e tij, shtetasin R. T. 53 vjeç, e ka plagosur me armë zjarri 53-vjeçarin, i cili është dërguar në spital, për ndihmë mjekësore.
Falë reagimit në kohë, veprimeve të shpejta dhe profesionale policore, është kapur dhe shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Kurbin, për veprime të mëtejshme procedurale, autori i dyshuar i plagosjes, shtetasi M. L.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, ndodhet në vendin e ngjarjes dhe vijon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentinin ligjor të saj.