Nënçmimi i euros “gërryen” buxhetin e shtetit – Gjatë 9 muajve u...

Nënçmimi i euros “gërryen” buxhetin e shtetit – Gjatë 9 muajve u arkëtuan rreth 15 miliardë lekë më pak nga TVSH në import

84
SHPËRNDAJE

Nënçmimi i theksuar i euros kundrejt lekut ka shtrirë efektet negative, jo vetëm tek eksportuesit shqiptarë, por edhe në buxhetin e shtetit. Sipas të dhënave zyrtare, vlerësohet se arkës së shtetit I mungojnë të paktën 15 miliardë lekë. Një analizë e përfshirë në aktin normative për ndryshimin e buxhetit 2023, që është depozituar në Kuvend, nënvizon faktin se programimi i të ardhurave tatimore për këtë vit, i cili filloi të hartohet në shtator 2022, u ndërtua mbi bazën e supozimeve të kursit të këmbimit euro/lek për rreth 120 lekë dhe USD/lek, rreth 110 lekë. Mbi këtë bazë u programuan edhe të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar në importimin e mallrave.

Por, gjatë vitit 2023, ka pasur një deviacion të theksuar në ulje nga ky kurs këmbimi i projektuar, çka ka ndikuar ndjeshëm te të ardhurat nga TVSH-ja në import. Pra, baza mbi të cilën llogaritet tatimi mbi vlerën e shtuar në import ka pasur ndikim jo vetëm nga tendenca në rënie e çmimeve të mallrave të importuara në 2023 krahasuar me rritjen e tyre në vitin 2022, por më së shumti nga ulja e vlerës mbi të cilën llogaritet TVSH-ja në import për shkak të kursit të këmbimit.

Kështu, për periudhën janar-shtator, efekti negativ në të ardhurat nga TVSH-ja në import ka qenë -11.5 miliardë lekë vetëm nga faktorët e kursit të këmbimit. Nëse ky trend i kursit të këmbimit do të vijojë në nivelin e tanishëm, efekti negativ në të ardhurat nga TVSH-ja në import do të vazhdojë të rritet edhe në muajt tetor-dhjetor, ndërkohë që pjesërisht mund të kompensohet nga rritja e volumeve të mallrave të importuara. Për këtë arsye, në këtë akt normativ është parashikuar reduktimi i të ardhurave vjetore nga TVSH-ja me 10.9 miliardë lekë krahasuar me planin fillestar të vitit.

Edhe në importin e karburanteve ka pasur më pak të ardhura në vitin 2023 krahasuar me 2022, për të njëjtin shkak të uljes së bazës së llogaritjes së TVSH-së në import, pavarësisht se sasia e importuar është rritur. Nga ulja e çmimit janë arkëtuar rreth 3.5 miliardë lekë më pak se vitin e kaluar.

Importi i energjisë elektrike në 8-mujorin e vitit 2023 ka gjeneruar 3 herë më pak të ardhura nga TVSH-ja e energjisë në buxhet krahasuar me 8-mujorin e vitit 2022. TVSH-ja e arkëtuar gjatë 8-mujorit 2022 në importimin e energjisë elektrike nuk mund të kompensohej në vitin 2023 nga prodhimi i brendshëm, pasi TVSH-ja në import llogaritej mbi çmimet tejet të larta të importit të asaj periudhe (200-500 EUR për MWh). Ndërkohë, TVSH-ja e energjisë që prodhohet në vend dhe u shitet konsumatorëve familjarë gjeneron TVSH-në mbi një çmim shumë herë më të ulët (9.5 lekë/KWh).

SCAN

S'KA KOMENTE