Lumi Vjosa në Shqipëri:Perla e egër e Evropës !

Lumi Vjosa në Shqipëri:Perla e egër e Evropës !

73
SHPËRNDAJE

Lumi Vjosa tek ne është një nga lumenjtë e fundit,“të  egër” të Evropës. Në rrugën e saj mbi 270 km, Vjosarrjedh e pandikuar në mënyrë të natyrshme, e karakterizuar nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme.

Në disa zona shtrati i lumit arrin një gjerësi më shumë se 2 km. Së bashku me degët e saj,Vjosa ofron një ekosistem dinamik, pothuajse natyror. Ky ekosistem unikal në kontinent, edhe pse i panjohur, përfaqëson një trashëgimi të vërtetë natyrore Evropiane. Në 80 km e para të rrjedhës së tij, përmes Greqisë lumi quhet Aoόs, ndërsa me hyrjen në territorit shqiptar ai ndryshon emër dhe quhet Vjosë.

Gjarpërimet e rrjedhës së poshtëme krijojnë një luginë të gjerë me habitate ligatinore, që bëhen strehë për peshqit, shpendët migratorë dhe shumë specie të tjera. Rrugëtimi i saj natyror përfundon në detin Adriatik, në veri të lagunës së Nartës – një nga lagunat më të mëdha dhe ekologjikisht më të pasura në bregdetin shqiptar, e përcaktuar si

Rezervat Natyror i Menaxhuar. Vjosa zë një sipërfaqe totale prej 6,700 km2 në Shqipëri dhe Greqi së bashku dhe

shkarkon në detin Adriatik një mesatare uji prej 204 m3/s.

BIODIVERSITETI

Njohuritë shkencore për Vjosën dhe biodiversitetin e saj janë shumë të kufizuara. Ndoshta është një nga lumenjtë më pak të studiuar në Evropë: Aq e vërtetë është kjo saqë mund të thuhet se janë më të plota njohuritë për biodiversitetin e sistemeve lumore në Amerikën e Jugut apo Azi se sa për Vjosën. Shumë pak studime janë kryer deri tani. E megjithëkëtë edhe këto pak studime janë shtrirë më së shumti në pjesën e luginës se sa në studimin e habitateve dhe specieve ujore si peshqit apo shpendët, për të cilat Vjosa kosiderohet si zonë kyçe për këto vlera të biodiversitetit shqiptar.

Vjosa bart një popullsi të qëndrueshme të lundërzës (Lutra lutra), lloj pothuajse i kërcënuar si dhe llojeve të ndryshme të peshqve migratorë, midis tyre ngjala e Evropës e rrezikuar në mënyrë kritike (Anguilla anguilla), dhe të tjerë lloje peshqish sub-endemike si gurnecka e Ohrit (Cobitis ohridana) dhe ajo e Pindit (Oxynoemacheilus pindus). Flora e ekosistemit të Vjosës është gjithashtu mbresëlënëse. Në rrjedhën e sipërme janë të pranishme disa të lloje të rrezikuara të bimëve endemike, të tilla si Solenanthus albanicus. Rrjedha e mesme dhe e poshtëme karakterizohet nga dushkaja të përziera (Qurecus sp.) Lloji i veçantë dhe i rrallë është Arbutus andrachne, pasi për të lugina e sipërme e Vjosës përfaqëson habitatin e vetëm në vend.

Vlerat Socio-Ekonomike

Lumi Vjosa ka një vend të veçantë dhe të rëndësishëm në jetën e përditshme të banorëve që jetojnë përgjatë brigjeve të tij. Tarracat e saj u sigurojnë fshatrave tokën pjellore për aktivitete bujqësore të tilla, si prodhimet agrokulturore dhe blegtorale. Sasia dhe shumëllojshmëria e peshkut janë jetike për ekonominë dhe mirëqenien e peshkatarëve vendas. Turizmi rekreativ në Vjosë dhe degët e tij janë gjithnjë në rritje, veçanërisht në vitet e fundit në të cilën entuziastët kanë filluar të organizojnë veprimtari të tilla si rafting, kanotazh, not, etj.
Rafting përgjatë Vjosës. Burimi: Federata Shqiptare e Rafting-ut.

Shumë biznese të vegjël dhe të rinj si kompanitë e eko-turizmit në zhvillim, kanë bazuar ekzistencën e tyre në rrjedhat natyrore të Vjosës. Për më tepër, Vjosa dhe uji i saj i kristaltë kanë pasur një ndikim në zemrat e shqiptarëve dhe në vlerat e tyre kulturore. Mjafton të përmendim faktin se “Vjosa” është një emër vajze mjaft i përhapur në arenën mbarëshqiptare dhe sigurisht që zanafilla e kësaj përhapjeje kaq të gjerë qëndron tek bukuritë e lumit dhe natyra e tij e paprekur.

Kercenimet

Kërcënimi aktual më i madh për lumenjtë është ndërtimi i HEC -eve. Më shumë se 100 diga të reja hidrocentralesh janë planifikuar të ndërtohen në të gjithë Shqipërinë. Përgjatë pjesës shqiptare të lumit të Vjosës, Ministria e Energjisë synon të ndërtojë 8 diga. Ndërkohë që në pjesën e sipërme, Qeveria Greke po planifikon aplikimin e një Plani Menaxhimi që ka për qëllim devijimin e rreth 70 milionë m3/vit drejt lumit Kalamas për qëllime ujitjeje.

Rrjedha e sipërme, Diga e parë në kaskadën e Vjosës. Diga do të përmbytë pjesë të fshatit të vjetër Kaludh (Romy Durst) Ndërtimi i këtyre digave, ose i vetëm njërës prej tyre, do të shkatërronte vlerat e jashtëzakonshme ekologjike të lumit Vjosa. Këto ndërhyrje do të ndryshonin tërësisht regjimin e saj hidrologjik dhe do të pengonin transportin natyror të sedimenteve, forcës fillestare që u jep formë shumë proceseve dinamike dhe morfologjike. Vjosa është një thesar evropian. Vlera e saj më e madhe është gjendja e saj natyore si një ekosistem në tërësi. Ndërtimi i digave do të shkatërronte këtë ekosistem unik dhe potencialin e tij të lartë për shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore në të ardhmen.

Projekti i parë i hidrocantralit që ka hyrë në procesin e zbatimit është ai i Kalivaçit afër qytetit të Tepelenës. Ndërtimi i digës në Kalivaç ka filluar që në vitin 2007, por është ndërprerë disa herë. Fillimisht, burimi kryesor i financimit ishte investitori italian Becchetti Grup që ka fituar edhe lejen koncesionare nga qeveria shqiptare që në vitin e largët 1997 dhe në një kohë të dytë arriti një marrëveshje bashkëfinancimi me Deutsche Bank.

(http://www.begspa.com/eng/idroelettrico.htm).

Aktualisht, punimet në kantierin e digës në Kalivaç janë pezulluar (një status-quo evidente për dy vitet e fundit), dhe punimet janë ende në nivelin 30%. Rrjedha e Vjosës është ende e lirë – por edhe për sa kohë? Diga e Kalivaçit do të ndalojë “rrahjet e zemrës” së gjithë sistemit natyror të lumit duke bllokuar transportin e sedimenteve nga malet, deri në Detin Adriatik.

Erozioni i shtratit të lumit poshtë digës do të ndikojë në tërë gjatësinë e mbetur të lumit, duke ndikuar madje edhe në deltën e tij në Detin Adriatik. Ekosistemi aluvional do të degradohet në pothuajse 100 km gjatësi të rrjedhës lumore. Të gjitha habitatet ujore dhe breg-lumore do të preken nga kjo.

Perfundimet

Vjosa dhe degët e saj janë veçanërisht të rëndësishme për migrimin e llojeve të peshqve të cilët varen nga pastërtia, temperatura, dhe nga përrenjtë malorë me parametra optimalë, karakteristika që ofron lumi Drinos si kontribuesi kryesor i Vjosës, në rrjedhën e tij prej rreth 85 km gjatësi. Drinosi, si edhe Vjosa e sipërme do të ndërpresin komunikimin nga rrjedha e poshtëme e luginës së Vjosës, si dhe nga deti Adriatik, duke ndërprerë kështu rrugët e migrimit drejt njërit prej habitateve më të mëdha të mbetur për ngjalën e Evropës dhe llojeve të tjera të shumta migratore të peshqve në Shqipëri.

Ne Kërkojmë

– NGA QEVERIA SHQIPTARE DHE PRESIDENTI I REPUBLIKËS, QË TË HEQIN DORË NGA PLANET E ZHVILLIMEVE HIDROENERGJITIKE PËRGJATË LUMIT TË VJOSËS.

– NGA MINISTRIA E MJEDISIT, MBROJTJEN DHE RUAJTJEN E LUGINES SË LUMIT TË VJOSËS

– SHPALLJEN E NJË PJESE TË LUGINËS SË VJOSËS SI “ZONË E MBROJTUR LUMORE” PËR TË RUAJTUR INTEGRITETIN E SAJ.

FUSHATA: TË SHPËTOJMË ZEMRËN BLU TË EVROPËS

Lumenjtë në Gadishullin Ballkanik janë ndër lumenjtë e ruajtur më mirë në tërë Evropën. Më shumë se 60% e të gjithë lumenjve në rajon janë në gjendje të mirë ose shumë të mirë hidromorfologjike. Përveç kësaj, këta lumenj janë “pikat e nxehta” më të të mëdha të biodiversitetit. Rreth 69 lloje peshqish janë endemike dhe më shumë se 50% e të gjitha llojeve të molusqeve të ujërave të ëmbla në Evropë, janë të përhapura në lumenjtë e Ballkanit.

Megjithatë, kjo “Zemër Blu e Evropës” kërcënohet nga ndërtimi i më shumë se 570 digave për qëllime hidroenergjetike (> 1 MW), që janë projektuar që nga Sllovenia deri në Shqipëri.

Për këtë arsye, OJQ-të ndërkombëtare Riverwatch dhe Euronatur në bashkëpunim me disa organizata lokale partnere si PPNEA në Shqipëri, kanë nisur fushatën “Të Shpëtojmë Zemrën Blu Të Evropës” me qëllim mbrojen e lumenjve me potenciale të mëdha natyrore që shtrihen në Evropën Juglindore, nga shkatërrimi përmes zhvillimit të pakontrolluar të projekteve të hidroenergjisë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.