Naftëtarët e Ballshit përplasen me policinë: Çmontimi është i paligjshëm

Naftëtarët e Ballshit përplasen me policinë: Çmontimi është i paligjshëm

813
SHPËRNDAJE

Naftëtaret e uzinës së Ballshit kanë paralajmëruar një tjetër grevë urie, teksa vijon shitja e materialeve nga uzina për skrap. Këtë të premte ata i janë afruar sërish hyrjes së godinës së Uzinës, dhe kanë kërkuar që të hyjnë brenda saj, por janë përballur me një numër shumë të madh punonjësish të policisë, të cilët i kanë ndaluar.

Disa prej fëmijëve janë me fëmijë në krah, dhe kërkojnë që të hyjnë në uzinën, ku kanë punuar për shumë vite me radhë, dhe ku kanë miliona lekë paga të prapambetura.

Kryetari i Sindikatës, Sokol Dautaj lexoi shkresën e përmbarimit që ndalon çdolloj veprimi brenda në Uzinë, sa kohë që ish-shoqëria ARMO nuk iu ka kthyer naftëtarëve detyrimet e prapambetura.

“Ja letra, ja fakti, ja prova, policia të mos provojojë situata të papëlqyeshme, ka ku është prova.  Iu bëj thirrje të gjithë personave që janë në gjyq, të vijnë këtu, kjo është djersa jonë, të përballemi me policët, nuk ka kthim, të na vrasin. Në datën 1 ka dalë kjo shkresë ligjore, ky që e ka nënshkruar të arrestohet. Ky person të mbajë përgjegjësi”, tha një prej naftëtarëve.

Ndërkohë që një tjetër me fëmijën në krahët e tij u shpreh: Ja me fëmijë po vijmë ne, na prekni me dorë po deshët! Kush është shefi këtu, është vjedhje moj, po denoncoj vjedhjen.

Naftëtarët u treguan të prerë kur thanë se do të hyjnë në grevë urie, ndërsa i kujtuan ministrit të brendshëm Bledi Çuçi që të mos i çojë drejt një përplasje me punonjësit e policisë.

“Sot do të marrim aktin final për të hyrë në grevë urie, sepse vetëm përmes grevës së urisë mund të dëgjohet zëri ynë. Vendimi është i prerë, që duhet të ndalojë çdo veprim, këta djemtë janë shqiptarë, ne konfliktin nuk e kemi me policinë, ne jemi me duar në xhepa. Ne kërkojmë që të hyjmë atje ku kemi derdhur djersën dhe gjakun. ARMO është debitore ndaj nesh.

Do ti bëja një pyetje komisariatit të Ballshit, pse nuk na lini që të shkojmë atje dhe të përballemi. E kam marrë fëmijën që ta dinë se këtë e bëjnë për bukën e fëmijëve, ky fëmijë duhet të rritet me djersën tonë. Çfarë kërkojnë më këta hajdutë? Është rrethuar uzinë sikur të ishte Mitrovica, se kemi parë ndonjëherë këtë”, u shpreh një tjetër naftëtar.

Kreu i sindikatës Sokol Dautaj tha se çdo çmontim i uzinës është në shkelje të ligjit, dhe ata që e bëjnë këtë do të duhet që të përgjigjen penalisht.

“Meqënëse na është kërkuar që të ndjekim rrugën ligjore, kemi kërkuar që shkresa të dalë përmes organeve ligjore. Shkresa e para dy ditëve kërkon që të sekuestrohet ARMO, në emër të 550 punonjësve të rafinerisë.

Të ndalohet çmontimi i rafinerisë thotë shkresa, ndalohet largimi i çdolloj pasurie nga uzina. Personat që bëhen pengesë do të përgjigjen në bazë të neneve të kodit penal. Nëse doni letra ligjore janë këto”, përfundoi Dautaj.

S'KA KOMENTE