Nafta, në nivelet më të larta në 2 muaj

Nafta, në nivelet më të larta në 2 muaj

214
SHPËRNDAJE

Çmimet e naftës u rritën të hënën, duke arritur në nivelet më të larta në më shumë se dy muaj, ndërsa tregtarët presin të shohin nëse Bashkimi Europian do të arrijë një marrëveshje për ndalimin e importeve të naftës ruse.

Kontrata e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent për korrikun, që skadon të martën, u rrit me 47 cent, në 119.90 dollarë për fuçi. Kontrata e gushtit Brent, e cila është më aktive, u rrit me 61 cent, në 116.17 dollarë për fuçi. Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar të Teksasit Perëndimor u rritën me 72 cent, në 115.79 dollarë për fuçi, duke zgjeruar fitimet e arritura javën e kaluar.

BE-ja do të takohet të hënën dhe të martën për të diskutuar një paketë të gjashtë sanksionesh kundër Rusisë. Sipas analistëve të tregut, nga lëvizjet e fundit të çmimeve, duket se tregu ka faktorizuar që Bashkimi Europian mund të arrijë një marrëveshje për një formë kufizimesh për naftën bruto ruse. Por, çdo marrëveshje e zbutur ose ajo që përfshin përjashtime mund të mos ketë ndikim shumë pozitiv.

Qeveritë e vendeve të BE nuk arritën të bien dakord për një embargo ndaj naftës ruse të dielën, por do të vazhdojnë bisedimet për një marrëveshje për të ndaluar dërgesat e naftës ruse në det duke lejuar dërgesat përmes tubacioneve.

Analistët shprehen se është ende mjaft e vështirë për Europën të zvogëlojë varësinë e tij energjetike nga Rusia në një afat të shkurtër. Nisur nga kjo, një ndalim i menjëhershëm i importit është më pak i mundshëm dhe kërkesat mund të mbajnë të larta çmimet e naftës në një periudhë afatshkurtër.

Çdo ndalim i mëtejshëm për naftën ruse do të shtrëngonte një treg të tensionuar për furnizim mes kërkesës në rritje për benzinë, naftë dhe karburant avioni përpara sezonit të pikut të kërkesës verore në Shtetet e Bashkuara dhe Europë. Sipas tregtarëve, marzhet e larta të rafinimit për naftën dhe benzinën në Europë dhe Shtetet e Bashkuara kanë çuar çmimet për disa lloje të naftës së papërpunuar fizike në nivele rekord.

Duke nënvizuar tkurrjen e tregut, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët përfshirë Rusinë, së bashku të quajtur OPEC +, janë vendosur të kundërshtojnë thirrjet perëndimore për të përshpejtuar rritjen e prodhimit të naftës kur të takohen të enjten. Ata do t’i përmbahen planeve ekzistuese për të shtuar 432,000 fuçi në ditë në korrik./Scan/

S'KA KOMENTE