Nafta është sektori që xhiron më shumë para në vend, dy kompanite...

Nafta është sektori që xhiron më shumë para në vend, dy kompanite me te medha ne vend

325
SHPËRNDAJE

NORMAT E FITIMIT PËR TREGTUESIT E NAFTËS

Nafta është sektori që xhiron më shumë para në vend. 18 operatorë të tregtimit të karburanteve, që përfshihen në renditjen e 200 më të mëdhenjve sipas të ardhurave, qarkulluan 187 miliardë lekë, rreth 1.5 miliardë euro, me rritje 17%. Teksa nafta për vetë modelin e saj të biznesit tregtohet me dy nivele (me shumicë e me pakicë), xhiro e këtij segmenti rritet fiktivisht.

Historikisht, tregtuesit e naftës janë sipërmarrësit që “lodhen” më shumë, por që fitojnë më pak. Në renditjen sipas fitimeve, sipërmarrjet e tregtimit të naftës janë me pikatore dhe raportojnë norma shumë të ulëta kthimi, 0.5-2%, duke qenë sektori më pak fitimprurës në ekonomi. Në tregun e pakicës, norma është pak më e lartë, arrin në 4 – 6%.

Luhatjet në këtë sektor janë shumë të larta, me kompani që hyjnë dhe dalin nga tregu brenda një periudhe të shkurtër, si tregues i një biznesi të vështirë, por shpesh edhe të lidhur politikisht.

Ndonëse tregu po shfaq shenja konsolidimi, normat e fitimit në 2018, ranë për pjesën më të madhe të kompanive. Aktorët e tregut pohojnë se kjo lidhet me shtimin e barrës fiskale (ku vetëm kosto e taksës së rilicencimit shkoi nga 3 lekë në 10 lekë për litër), ndërsa çmimet nuk pësuan luhatje për shkak të konkurrencës.

Në renditjen e 100 më të mëdhenjve sipas fitimeve janë vetëm dy, “Kastrati” (shumicë dhe pakicë) dhe “Bolv Oil”.

Operatori më i madh sipas qarkullimit vjetor, “Kastrati Sh.a.”, është vetëm i 11-i, sipas fitimeve, duke u ngjitur me dy vende në krahasim me vitin e kaluar. Fitimi i kompanisë para taksave ishte 1.47 miliardë lekë, me rritje prej 22% në raport me vitin e mëparshëm, si rrjedhojë e zgjerimit të lartë të të ardhurave. “Prej vitesh jemi kryesues në sektorin e energjisë dhe tregtimit të hidrokarbureve me shumicë dhe pakicë”, tha zëvendëspresidenti i “Kastrati Group”, z. Leonard Kastrati.

“Kastrati sh.a.” kishte një normë fitimi prej 2.4%, në rënie për të dytin vit radhazi (një vit më parë ishte 2.8%). Më i lartë është fitimi në tregun e pakicës, ku “Kastrati sh.p.k.”raporton një normë prej 4.2%, sërish në rënie nga 5.9%, dhe 6.3% përkatësisht në 2016 dhe 2017.

Operatori tjetër i shumicës, “Bolv Oil”, ka raportuar një normë fitimi para taksave prej 2.7%, nga 3.8% në vitin 2017 dhe rënie të ndjeshme nga vitet e kaluara, kur ky tregues luhatej mes 7 – 8%.MONITOR

S'KA KOMENTE