Motra e Silvanes thirrje qytetarëve nesër në një protestë në Fier...

Motra e Silvanes thirrje qytetarëve nesër në një protestë në Fier në orën 18:30 për 4 viktimat

5120
SHPËRNDAJE

Dëshmi rrëqethëse, vaj e dhimbje nga shtëpia e Silvana Gushit, 33-vjeçares që humbi jetën në aksidentin tragjik në Levan-Vlorë, së bashku me bashkëshortin dhe dy vajzat. 

Emisioni “Me zemër të hapur” në News24 ka sjellë sot dëshmitë e familjarëve të Silvanës, apeli i vetëm i të cilëve është drejtësia për katër të vdekurit që i rreshtuan në mes të shtëpisë. 

Motra e Silvanës, Suela tregon bisedat një natë para dhe si e mori lajmin e hidhur, teksa sipas saj në spital nuk i jepnin asnjë informacion. 

“Nuk gjej fjalë të flasë dhe të mbyllë plagët e familjes sonë. Hera e fundit që folëm në darkë deri në orën 1 të natës. Hera e parë që flisnim deri në 1 të natës. Sikur e ndjenin, po qeshnin e këndonin. Në mëngjes po i prisnim. Në 9 pa çerek, se si më hoqi engjëlli marr telefonin dhe shikoj lajmet për aksidentin, sikur ma ndjeu engjëlli që ishin ata, shkova në spital. Kur shkoj atje nuk më tregonte njeri, dëgjova që ishin 4 të vdekur”, shprehet ajo.
Suela kërkoi që shteti të vërë dorë, për motrën e saj, mbesat dhe kunatin.
“Janë dy mbesat e mia që i rrita vetë. Kërkoj të drejtën për motrën e vetme që kishin, për kunatin që i thosha vëlla, për këto dy çupat e mia, se nuk i kisha mbesa. kërkoj shtetin të vërë dorë.
Nuk e kuptoj ça janë ata njerëz të pashpirt. Babai duhet të ishte ngritur, dhe sikur ta kishim vrarë, duhet të kishte ardhur. Duam drejtësi vetëm. I lutem të gjithë shtetit të ngrihet në këmbë, të gjithë njerëzve të mirë. Të ngrihen të kërkojnë të drejtën e tre çupave tona dhe çunit tonë. Nuk bëhet puna me lekë dhe me vrasje, ai të dënohet. Ne kërkojmë këtë të drejtë.
Asnjë s’më tregonte në spital. Policët nuk thoshin asgjë. Unë shtrihesha në shesh, nuk më kapte njeri me dorë, nuk më thoshin një llaf. Emrat kanë dalë pas dy orësh. Më thoshin ik tek morgu të shikosh trupat, veja atje më thoshin ik se nuk i shikon dot”, rrëfeu ajo.
Suela i ftoi qytetarët nesër në një protestë në Fier në orën 18:30 për 4 viktimat dhe theksoi se do kërkojë drejtësi deri në fund të jetës.
“Ju lutem të gjithë njerëzve të vënë dorën në zemër dhe nesër në 18:30 në shesh të Fierit i presim për drejtësi për këtë familje që s’do i shohim më në jetë të jetëve, përveç katër varreve që i pamë në mes të shtëpisë. Jam 23 vjeçe, do e kërkoj drejtësinë deri sa të vdes. Nuk dua hakmarrje, dua drejtësi. Shikojini këto çupa, si mund të iknin”, tha e reja.

S'KA KOMENTE