Mjeku:Dy persona në Shqipëri kanë vdekur pasi morën vaksinën kineze

Mjeku:Dy persona në Shqipëri kanë vdekur pasi morën vaksinën kineze

729
SHPËRNDAJE

Mjeku i njohur Erion Dasho, në një thirrje drejtuar ministrisë së shëndetësisë dhe çështjeve sociale, ka kërkuar pezullimin e vaksinës kineze në vendin tonë, pasi sipas tij, dy persona kanë humbur jetën pas dozës së parë.

Dasho shprehet se 2 humbje jete në radhën e 50 mijë personave të vaksinuar janë një kambanë alarmi që duhen parë me shqetësim, edhe pse e thekson se procesi i vaksinimit është shumë i rëndësishëm për imunitetin e qytetarëve.

Ai shprehet se është i gatshëm që të komunikojë me MSH-në për një prej rasteve që e ka ndjekur vetë nga afër, dhe është në dijeni të rrethanave në të  cilat ka ndodhur vdekja.

”Për shkak të të paktën dy vdekjeve të papritura midis personave që kanë kryer vaksinën CoronaVac (një prej të cilave rast i investiguar personalisht që humbi jetën një ditë pas vaksinimit), i rekomandoj Ministrisë së Shëndetësisë, Komitetit të COVID dhe Komitetit të Imunizimit të pezullojnë përkohësisht fushatën e imunizimit deri sa këto vdekje të investigohen dhe të provohen si të palidhura me vaksinën CoronaVac.

Kjo thirrje nuk ka aspak qëllim të ngjallë panik dhe të dëmtojë një proces të dobishëm siç është imunizimi ndaj COVID. Thjesht është në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare të farmakovigjilencës.

Dy humbje jete midis rreth 50 mijë të vaksinuarve është një tregues që kërkon kujdes të jashtëzakonshëm!

Mbetem i hapur për të komunikuar me përfaqësues të ministrisë dhe komitetit lidhur me rastin që kam investiguar personalisht”, shkruan Dasho në postimin e tij.

Prej të dielës në vendin tonë ka nisur procesi i vaksnimit masiv, që po bëhet kryesisht me vaksinat kineze, të cilat erdhën në një sasi të madhe në vendin tonë. Zyrtarisht sipas MSH-së në vendin tonë që prej Janarit janë kryer më shumë se 100 mijë vaksinime, ndërsa qeveria brenda Majit thotë se do të jenë vaksinuar të paktën me një dozë gjysmë milioni persona.

Sa i takon vaksinës kineze, informacioni për të është i cunguar, ndërkohë që një nga shtetet që po e aplikon është Turqia.

S'KA KOMENTE