Mira Meksi për shqiptarofobinë

Mira Meksi për shqiptarofobinë

56
SHPËRNDAJE

Libri i ri i shkrimtares Mira Meksi “Vrasje në Venecia” është një novelë policeske, që flet për aventurat fatkeqe të refugjatëve shqiptarë nëpër botë dhe për shqiptarofobinë.

Novela e Meksit është botuar nga shtëpia botuese Onufri dhe është shpërndarë nëpër librari vetëm një ditë më parë.
Bëhet fjalë për një krim të llahtarshëm që ndodh në Venecia një mesnatë fundnëntori. Pranë urës së Turkeshëzave, Fantino varkëtarit i gdhendet në retinë me saktësi pamja e tmerrit: imazhi i një djaloshi të pashëm mbi urë, i cili nxjerr nga pelerina e zezë kokën e prerë të një gruaje të re shumë të bukur, që çurkon gjak.

Identikiti i vrasësit në polici vë në pranga refugjatin shqiptar Adrian Gjergji, i cili akuzohet se ka vrarë të dashurën e tij, xhazisten shqiptare Anila Duka, e zhdukur ditën e shfaqjes së krimit. Hetimi i çështjes me emrin e koduar “Koka e Meduzës” vendos në një përballje të ashpër, komisarin e policisë së Lagunës, Matteo Genovese dhe kryeinspektorin e policisë, Marino Lambertini, në zhvillimet më të pabesueshme dhe më halucinante që mund të njohë hetimi i një krimi të mbinatyrshëm, të çuditshëm, të pashpjegueshëm dhe pa corpus delicti.

“Një novelë policeske me shpirt legjende, ‘Vrasje në Venecia’ është portretizimi thriller i aventurave fatkeqe të refugjatëve shqiptarë nëpër botë, si edhe i shqiptarofobisë”, shkruhet në njoftimin e shpërndarë nga enti botues i këtij libri.

Novela “Vrasje në Venecia” e Mira Meksit vjen pas një varg romanesh si: “Frosina e Janinës”; “Porfida – Ballo në Versailles”, “ E kuqja e demave”, “Mallkimi i Priftëreshave”, dy romaneve për adoleshentë “Planeti i ngrirë” dhe “Fantazma me sy njeriu” , apo novelës së mëparshme të saj “Ballo në Versailles”, dhe përmbledhjeve me tregime: “Mali i shpirtrave”; “Buzë të panjohura gruaje”; Zonja plakë e Parisit” etj.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.