Letra e zyrtarit të doganave për Gazhelin zbulon skandalin:“Grupet e anti-kontrabandës marrin...

Letra e zyrtarit të doganave për Gazhelin zbulon skandalin:“Grupet e anti-kontrabandës marrin 15-20 000 € në javë”

72
SHPËRNDAJE

Merr përmasa të mëdha denoncimi i shefit të Anti-kontrabandës Detare për situatën e korrupsionit në doganat shqiptare. Pasi e njoftoi me e-mail drejtorin e përgjithshëm të Doganave për një rast konkret në Doganën e Tiranës në 4 mars 2021 kur zyrtarët e doganave nuk po lejonin kontrollin fizik për një kamion të dyshuar me mallra kontrabandë, përgjegjësi i anti kontrabandës detare i është drejtuar me një shkresë zyrtare Genti Gazhelit për situatën e korrupsionit kapilar në dogana. 

Ai flet edhe në pozitat e ish-drejtorit të anti- kontrabandës duke e njohur mirë të gjithë sektorin. Në shkresën për informim që mban datën 12 mars 2021 thuhet se në dy vite është shkatërruar një punë 2 vjeçare. Ai tregon edhe mënyrën se si bëhet kontrabanda në Shqipëri duke nisur nga pikat kryesore kufitare.

Pikë së pari Ju informoj dhe Ju bëj me dije se grupet e Antikontrabandës Tokësore sidomos ato të Kakavijës, Kapshticës, Tiranës dhe të Durrësit dy javët e fundit të muajit dhjetor 2020, kanë përfituar nga aktiviteti kriminal kontrabandist shuma që variojnë nga 15-20 mijë euro në javë, për tu ndarë më pas kjo shumë sipas piramidës. Imagjinoni pak se sa kanë përfituar përgjegjësit e turneve dhe kryetarët e doganave ??!!”, thuhet në letër. 

Zyrtari i Doganave i tregon me hollësi skemat e kontrabandës në Dogana. 

“Në pikën doganore Kapshticë e njohur më së shumti për “golat” gjatë ditës dhe “gomat e përdorura” gjatë natës, mallrat me origjinë kineze, atletet, veshmbathjet etj, janë bërë tashmë të rëndomta. Shprehja “i paguhen prurësit me të parë” duket se është bërë ekskluzivisht për këtë pikë doganore. Durrësi me portin e tij është kthyer han me porta të shqyera pasi Monitorimi, Informacioni, Antikontrabanda, Hetimi Doganor duket se janë kokë e këmbë të dashuruar me doganierët lakmitarë e të dashuruar pas eurove, ndryshe s’ka si shpjegohet që askush nuk kthen për kontroll qoftë edhe një mjet sado i parëndësishëm qoftë. Furgonat anglezë dalin plumb dhe autobusët e linjave nuk kontrollohen fare, pasi përndryshe të paktën një gjobë do e vendosnin”.

Ulëritëse e quan situatën në pikën doganore të Tiranës përgjegjësi i antikontrabandës detare.
“Pika doganore Tiranë, këtu fillon dhe ulëret Sistemi Doganor nga shartimi injorancës me korrupsionin, nga pazaret e ndyra gjoja për hir të partisë, deri tek obligimet për vendet e punës. Ndryshe s’ka si shpjegohet që aparaturat e Bitcoin dalin si servera të thjeshtë, apo kontejnerët me çorape dhe mallra kinez të ikin ditën për diell dhe nganjëherë edhe natën për pak hënë. Jo më kot ju z.Drejtor dërguat në pikat kyçe persona me njohuri dhe vjetërsi zero në sistemin doganor në pozicionet ku duhet të ishin specialistët e vërtetë, ku për hir të vërtetës ata nuk mungojnë në sistemin doganor”.

Përgjegjësi i anti kontrabandës detare e konsideron mjaft të rëndë situatën në të cilën gjendet ky sektor në periudhën që drejtohet nga Genti Gazheli. 

“Ju siguroj që asnjëherë, po asnjëherë Drejtoria e Antikontrabandës nuk është katandisur në këtë situatë, si ç ‘është në këtë periudhë. Ju garantoj se jam i gatshëm të ballafaqohem në gjykatë apo prokurori me këdo dhe kurdo për vërtetësinë e sa shpreh më lart”, vijon më tej letra.
Ndërkohë në ditët në vijim News 24 do të paraqesë një dosje të plotë në lidhje me të ashtuquajturat magazinë fiskale virtuale të miratuara nga Genti Gazheli, një praktikë kjo që nuk njihet nga legjislacioni doganor shqiptar dhe që krijon mundësi të mëdha të evazionit fiskal dhe mosvjeljen kurrë të detyrimeve doganore.

S'KA KOMENTE